Rudaku: Gjilani po diskriminon fshatrat politikisht
Gjilan – Nëse shihni buxhetin e komunës, kuptohet qartë se ky buxhet është buxhet i pagave dhe mëditjeve, por edhe shpenzimeve të zyres së kryetarit të komunës, por jo edhe para për investime kapitale. Sidoqoftë, ne nuk i bëjmë thirrje kësaj qeverisjeje lokale më për të riparuar dëmet, sepse keqmenaxhimi ka arritur kulmin dhe jemi afër përfundimit final të mandatit të këtij mentaliteti qeverisës. Mirëpo, i bëjmë apel këtij pushteti aktual në komunë, që të mos merret aq herët me fushatë parazgjedhore dhe të na qesin sytë se si partia në pushtet do të fitojë, por të merret sa më shumë me problemet e grumbulluara dhe të paktën të përgatitet për të lënë valixhet ka thënë Avni Rudaku në një konferencë për medie.
Avni Rudaku duke komentuar raportin e para pak kohësh, ku Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar, kishte bërë një hulumtim rreth 10 fshatrave të komunës së Gjilanit, lidhur me perceptimet dhe vlerësimet e banorëve për qeverisjen komunale në Gjilan, investimet kapitale, punësimin e të rinjve e të ngjashme tha se sezultatet thanë se 90 përqind e qytetarëve ishin të pakënaqur me qeverisjen e këtij pushteti dhe nëse marrim parasysh pjesën tjetër 10 përqind të kënaqur, po të heqim fshatin Malishevë që kishte vlerësime më pozitive për qeverisjen aktuale, atëherë do t’i bie se shumica absolute e qytetarëve të Gjilanit janë të pakënaqur me qeverisjen komunale dhe besonin se komuna është thellësisht e korruptuar raporton rajonipress.
Avni Rudaku nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan tha se është shqetësuese shifra e lartë e papunësisë së të rinjve nga fshatrat e ndryshme të Gjilanit, ku kjo shifër ishte përqindje e pavlefshme, dhe po të hiqej Malisheva, përsëri kjo shifër do të binte aq poshtë, deri në zero.
“Ne besojmë se pasojat e kësaj qeverisjeje komunale janë të tmerrshme, shqetësuese dhe do të vërehen gjatë. Do të merret kohë në riparimin e këtij dëmi, sepse përgjatë këtyre dy mandateve të PDK-së, kanë mbetur shumë fshatra në të cilat nuk janë prekur nga dora e komunës dhe kur kemi parasysh se Gjilani ka aq shumë fshatra, e veçmas ato në zonat kufitare me Kumanovën, Preshevën e Bujanovcin, atëherë kjo do të ketë shumë pasoja” ka thënë Rudaku.
Sipas Rudaku këto pasoja janë , rritja e pakënaqësisë qytetare e cila rrit motivimin e dobët në pjesëmarrjen politike, në dëgjime publike dhe avokimin e shprehjes së nevojave sepse jemi dëshmitarë se 95 përqind e pjesëmarrësve në debatet me qytetarë dhe dëgjimet publike nga kryetari i komunës, janë zyrtarë komunalë, militantë të PDK-së. Pastaj humbja e besimit në komunën e Gjilanit nxit edhe rënien e dëshirës për obligime ndaj komunës, mungesa e investimeve në fshatrat e Gjilanit, ka shënuar rënie të interesimit për të qëndruar në fshatra, sepse sipas të gjitha studimeve mbi emigrimin fshat-qytet, nëse nuk ka investime në infrastrukturë, qasje të shërbimeve publike, investime kapitale, subvencione bujqësore, pasiguria e prodhimit blegtoral dhe bujqësor për në tregun e brendshëm, e të ngjashme, atëherë rritet shpërngulja masive nga fshatrat në qytete, dhe si rrjedhojë, edhe lindje të problemeve sociale, nevojë për asistencë sociale dhe ndihmë nga shteti, probleme me njësi banuese dhe nevoja për banesa kolektive, vështirësitë për ta paguar qeranë etj. etj. Kjo ka ndodhur në Gjilan dhe është pasojë edhe e politikave të gabuara të komunës tha Rudaku.
Rudaku tha se kur qytetarët ndjehen se po diskriminohen politikisht, veçmas fshatrat prej nga nuk vjen kryetari i komunës, apo drejtori i zhvillimit ekonomik, pa dyshim se kjo ka efekte edhe në demokratizimin e jetës në komunë, por edhe krijon instalimin e qeverisjes së padrejtë lokale, e cila mbetet e padrejtë për sa kohë që nuk i trajton të gjithë qytetarët pa dallime politike, po ashtu, pamundësia e të rinjve për punësim dhe nepotizmi në komunë, humb perspektivën e të rinjve për të qëndruar në vendbanimet e tyre, prandaj kemi edhe një rritje ekstreme të emigracionit, ku pikërisht këta emigrantë jo rastësisht janë më së shumti edhe nga rajoni i Anamoravës dhe Gjilani. Madje, shumë prej këtyre emigrantëve të cilët i kemi takuar edhe ne, kanë qenë nga fshatrat e komunës së Gjilanit, si Zhegra, Bresalci, Livoçi etj.
Rudaku tha se edhe kur qytetarët shihen vetëm si votues, atëherë kemi edhe një problem shtesë të klientelizmit politik, që pengon komunikimin e ligjshëm, parimor, demokratik dhe të drejtë në mes të qytetarëve dhe autoriteteve komunale. “Po e ilustrojmë rastin kur disa banorë të Kravaricës patën shkuar në takim me kryetarin e komunës, ku patën kërkuar që të përmbushej premtimi i dhënë për asfaltimin e rrugës, ai u kishte pas thënë: “Mos më votoni më! Nuk kam nevojë për votën tuaj!”. Ta lidhësh investimin në asfaltim me këmbim të votës, kjo konfirmon diskriminimin politik në investime dhe kjo pengon fuqizimin e një komune të drejtë dhe demokratike”.
Rudaku tha se ne jemi të bindur se Malisheva dhe secili fshat në komunë, ka nevojë akoma për investime dhe nuk është bërë as aty kushedi se çfarë investimi, sepse në përgjithësi menaxhimi i dobët financiar i komunës, shpenzimet e panevojshme për disa dreka e darka, mungesa e politikave zhvillimore që nuk e bëjnë qytetin konsumues , por edhe prodhues, po bëjnë që të kemi shumë pak investime kapitale në secilin cep të komunës. “Nëse shihni buxhetin e komunës, kuptohet qartë se ky buxhet është buxhet i pagave dhe mëditjeve, por edhe shpenzimeve të zyres së kryetarit të komunës, por jo edhe para për investime kapitale. Sidoqoftë, ne nuk i bëjmë thirrje kësaj qeverisjeje lokale më për të riparuar dëmet, sepse keqmenaxhimi ka arritur kulmin dhe jemi afër përfundimit final të mandatit të këtij mentaliteti qeverisës. Mirëpo, i bëjmë apel këtij pushteti aktual në komunë, që të mos merret aq herët me fushatë parazgjedhore dhe të na qesin sytë se si partia në pushtet do të fitojë, por të merret sa më shumë me problemet e grumbulluara dhe të paktën të përgatitet për të lënë valixhet! Me hulumtimin nga Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtar, ku vetëm 10 përqind e qytetarëve janë të kënaqur, nuk ka shpresë që do të durohet më kjo formë dhe përmbajtje e qeverisjes lokale” ka shtuar Rudaku./rajonipress/


