Ruajtja e identitetit përmes trashëgimisë kulturore

Nga Xhemaledin Salihu – Presheva, gjatë historisë së saj të bujshme dhe të pasur pati periudha të ndryshme të progresit kulturor. Andaj edhe trashëgimia e saj është e pasur dhe e bollshme nëpër periudha të ndryshme kohore.
Hyrje
Duke patur parasysh gjendjen e vështirë të kulturës shqiptare në Luginë të Preshevës, gjendjen jashtëzakonisht të vështirë të Trashëgimisë kulturore dhe krijimtarisë kulturore shqiptare, sidomos kërcënimet e shumta të identitetit shqiptar, mora përsipër ta trajtojë temën ruajtjen e identitetit përmes trashëgimisë kulturore. Konventat botërore dhe europiane mbi trashëgiminë dhe krijimtarinë kulturore, trashëgiminë tonë kulturore shqiptare e konsiderojnë pjesë të trashëgimisë kulturore civilizuese europiane e botërore.
1.Çfarë nënkuptojmë me identitet?
Sipas ekspertit Antoni D. Smith: (autor i veprës “Identiteti kombëtar” – National Identity, London 1991), janë 6 tipare kryesore të një bashkësie kombëtare: emri kolektiv i përbashkët, miti mbi prejardhjen e përbashkët, kujtesa e përbashkët historike, një ose më shumë elemente diferencuese të kulturës së përbashkët, lidhja me një atdhe të caktuar dhe ndjenja e solidaritetit dhe përbashkësisë e një pjese të rëndësishme të popullsisë.
2.Çka nënkuptojmë me trashëgimi kulturore
Nga Wikipedia,
Trashëgimia kulturore është trashëgimi fizike e artefakteve dhe objekteve (atributeve) të një grupi ose të shoqërisë të cilat janë të trashëguara nga gjeneratat e kaluara, tek gjeneratat e tashme me qëllim të kujdesit për të mirën e brezave të ardhshëm. Trashëgimia kulturore përfshin pronën kulturore e njohur edhe si kultura materiale (të tillë si ndërtesat, monumentet, peizazhet, librat, veprat e artit dhe objektet e ndryshme), kulturën shpirtërore, (të tilla si folklori, traditat, gjuha dhe njohurit tradicionale), si dhe trashëgiminë natyrore (duke përfshirë peisazhet e rëndësishme kulturore).
Grup autorësh, Trashëgimia kulturore, Prishtinë, 2023, f.6: “Në përgjithësi, me termin” Trashëgimi kulturore nënkuptohet kultura e trashëguar nga e kaluara, të cilën e përjetojmë dhe e vlerësojmë në të tashmen, për ta bartur gjeneratat e ardhshme, që ta gëzojnë në të ardhmen”
Po aty:f.8: “Trashëgimia kulturore është ambasadore e së kaluarës të një populli. Ajo tregon veçantinë e kulturës së një populli, si dhe ngjashmëritë me kulturat e popujve të tjerë.”
Trashëgimia kulturore është vlerë qenësore e kombësisë apo përkatësisë kombëtare-përmes saj në kuptojmë lirinë, përkatësinë, identitetin, barazinë e diversitetin.”
Terma të ndryshëm: traditë janë nënkuptuar folklori, kostumet dhe trashëgimi kulturore/ka nënkuptuar kalatë, trashëgiminë arkeologjike, ndërtimore, fetare, ndërsa sot nënkuptojmë me trashëgimi kulturore traditën dhe trashëgiminë kulturore.
“Popujt, si dhe foshnja, kanë rritën e vet dhe kjo rritë bazohet në njohuritë dhe përvojat e fituara nga e kaluara, nga rrënjët individuale e kolektive. Këto rrënjë gjenden në trashëgiminë kulturore, të krijuar nga njerëzit dhe për njerëzit.”
Pra, ekziston trashëgimia kulturore material, shpirtërore dhe natyrore.
Vlerat kryesore të trashëgimisë kulturore janë: vlerat historike, vlerat artistike, vlerat simbolike/plisi/, vlerat shoqërore/dasma/, vlerat ekonomike /turizmi kulturor/, vlerat edukative, vlerat shkencore, vlerat lokale dhe ato universale.
Prof. dr.Anila Omari:
“…Fëmija edukohet nga familja shqiptare me gjuhë amtare e me kulturë, traditë e trashëgimi shqiptare. Mirëpo më vonë kur fillon shkollimin, ai përballet më lloj lloj lëndësh, të cilat fillojnë ndryshe ta edukojnë fëmijën. Pra ka të atillë në shkolla po edhe ndër “intelektualët që thonë se kryesorja është që mëson gjuhën amtare dhe për detyrë mbetet mbrojtja dhe ruajtja e gjuhës shqipe. Në këtë edukim, fëmija dalëngadalë harron që pos gjuhës shqipe të edukohet me kulturën, traditën, trashëgiminë shqiptare. Në këtë drejtim më shumë edukimin e fëmijëve e bastardhon mësimi i lëndës fetare qysh në klasën e parë apo edhe i gjuhëve të huaja. Për atë preferoj dhe propozoj që mësimi i lëndës fetare të filloj në shkollë të mesme, ndërsa e gjuhëve të huaja në klasën e pestë, për një mosngarkesë psikologjike të fëmijëve. Atëherë do të kemi fëmijë të dijshëm, të shëndetshëm, me njohuri elementare nga lëndët të tjera e jo fëmijë të ngarkuar më shumë lëndë, të cilat ia humbin hapin fëmijës që në shkollë fillore dhe shkollimi i duket i vështirë.
Faza e mëvonshme e Fëmijës duhet ta studioj, ta dashuroj, ta mbroj dhe ta ruaj edhe trashëgiminë kulturore dhe shkencën shqiptare, sepse pa këto nuk zhvillohet dhe ruhet e mbrohet edhe gjuha amtare.
Nuk mund të mbijetoj gjuha shqipe pa kulturë, pa traditë, pa trashëgimi kulturore, pa shkencë shqiptare, sikur po propagandojnë disa individë dhe institucione shqiptare!?”
Presheva, gjatë historisë së saj të bujshme dhe të pasur pati periudha të ndryshme të progresit kulturor. Andaj edhe trashëgimia e saj është e pasur dhe e bollshme nëpër periudha të ndryshme kohore. Secila prej këtyre periudhave në vete ka pasuri të bollshme të trashëgimisë kulturore, të trashëgimisë natyrore dhe asaj shpirtërore. Asnjë prej këtyre periudhave, gjegjësisht trashëgimia e tyre kulturore, natyrore dhe ajo shpirtërore nuk është hulumtuar, studjuar, identifikuar, regjistruar, ruajtur dhe mbrojtur sa duhet. Kështu, sot kemi shumë lokaliteti, objekte dhe gjësende të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, sidomos asaj shqiptare të rrezikuar, të prishur, të huazuar dhe aspak të ruajtur, aspak të mbrojtur dhe nën përkujdesjen e shtetit.Pra, gjendja edhe pozita e trashëgimisë kulturore në Preshevë është e vështirë me tendencë të shkatërrimit total të saj.
Ato, në emër të ndërtimeve moderne, gërmimeve jo zyrtare arkeologjike, dorës së njeriut të paditur dhe për një interes personal apo kolektiv përfitimi, lokalitetet, objektet dhe vlerat të trashëgimisë kulturore, aspak nuk kursehen, rrezikohen deri në shfarrosjen e tyre. Andaj popullata, institucionet, organet shtetërore, shoqëria civile, Shoqata për Trashëgimi kulturore në Preshevë me fanatizëm të madh duhet t’i ruajë dhe t’i mbrojë edhe ato pak objekte që kanë mbetur në komunën e Preshevës.
Shoqata për Trashëgimi dhe krijimtari Kulturore në Preshevë, e themeluar më 2010, me të vetmin qëllim dhe mision të mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe kultivimit e zhvillimit të krijimtarisë kulturore shqiptare, në realitet të ruajtjes së identitetit kombëtar të Shqiptarëve përmes trashëgimisë kulturore, me të drejtë legjitime dhe në suaza të obligimeve që i ka marrë mbi vete, njofton opinionin e gjërë publik, në veçanti institucionet dhe organet kompetente të Republikës së Serbisë, se gjendja e vendeve, objekteve të Trashëgimisë kulturore, me vlera historike, kulturore, etnologjike, arkeologjike, ndërtimore, muzeale, fetare të së kaluarës tonë, të lashtë dhe asaj të mesme janë në gjendje të mjerueshme, disa nga të cilat gati janë në fazën përfundimtare të shkatërrimit, mu për shkak të moskujdesjes së institucioneve dhe organeve të lartpërmendura, të cilat asnjëherë jo vetëm që nuk u kujdesën, por asnjëherë nuk reaguan ashtu siç i kanë obligimet statutare për mbrojtjen e Trashëgimisë kulturore. Shembuj kemi në Miratovc, në Tërrnavë, në Bukuroc, në Preshevë, në Bilaç, e tjerë.
Të shpresojmë se veprimet e tilla dhe të ngjashme, është koha e fundit që në të ardhmen të mos përsëriten, se përndryshe Shoqata e jonë për Trashëgimi do ta ngritë zërin edhe më lartë, duke i sensibilizuar edhe institucionet tjera jo vetëm vendore, por edhe ato ndërkombëtare.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës ishin edhe më të varfur para Luftës së Kosovës dhe ditën ta ruajnë dhe mbrojnë identitetin kombëtar që e kultivuan prindërit dhe gjyshërit tanë, ata asnjëherë nuk e humbën shpresën për të jetuar, për të qenë shqiptar. Mirëpo, tashti edhepse kushtet janë më të mira materiale sikur ka humbur shpresa për një të ardhme më të mirë. Këtu dikush ka faje a janë intelektualët, hoxhallarët apo klasa politike?
Çështja e mbrojtjes dhe ruajtjes së identitetit shqiptar është elementare për çdo shoqëri dhe çdo individ të formuar, intelektual, të vetëdijesuar, të ndërgjegjshëm, atdhetar.
Pra, nuk është kurrfarë patriotizmi i shtuar.
Individi që lakmon ndërrimin e identitetit kombëtar dhe nuk nderon trashëgiminë kulturore shqiptare është xero dhe pa vlerë shoqërore.
Për ata që synojnë dhe lakmojnë për identitete të tjera kombëtare: gjermane, amerikane, italiane, arabe, turke, myslimane, serbe, maqedonase e tjerë janë jo kombëtar, jo intelektual, të pa vetëdijësuar, të pa ndërgjegjshëm dhe jo atdhetar.
Identiteti jone kombëtar për çdo ditë po sulmohet nga ideologji të ndryshme lindore apo perëndimore dhe askush nuk po merakoset për këtë dukuri, sikur jemi strukur me hallet tona familjare, shoqërore dhe nuk konfrontohemi me këto dukuri që po na ndodhin për çdo ditë. Këtë e quaj indoktrinim. Gjatë socializmit jugosllav tejkaluam dhe e flakëm indoktrinimin, vëllazërim-bashkimin dhe krijimin e kombit jugosllav, ndërsa tashti po anojmë kah kombe të tjera, sidomos kohëve të fundit ka marrë hov një lëvizje të them globale në krijimin e një kombi mysliman, për të gjithë popujt me përkatësi fetare islame. Shqiptarët si komb me popullatë të pakët do të shkrihen dhe nuk do të ruhet identiteti shqiptar dhe trashëgimia kulturore shqiptare në këtë komb “mysliman”.
Lëvizja vehabiste dhe selefiste ndër Shqiptaret ka obligim dhe qëllim që trashëgiminë kulturore shqiptare lokale ta shkatërrojë.
Është absurde për ne të imagjinojmë se mund ta promovojmë dhe imponojmë veshjen tonë kombëtare, gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë kulturore shqiptare në vendet arabe apo në Turqi?
Ne nuk i detyrojmë ata të veshin veshjen tonë kombëtare, të mësojnë shqip apo të ndjekin adete, zakonet tona.
Askush nuk po na bën nder duke na hequr kulturën tonë.
Askush nuk po na bën nder duke e zëvendësuar identitetin shqiptar me një model të huaj që nuk ka lidhje me rrënjët, historinë apo shpirtin e këtij populli.
Në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duhet të angazhohen institucionet përkatëse, por nuk duhet të anashkalohen komunat e Luginës së Preshevës, shoqëria civile, SHTKK dhe individi. Trashëgiminë kulturore nuk po e shkatërron vetëm natyra, por edhe dora e njeriut. Kemi shumë raste.
Gjuha dhe trashëgimia kulturore janë trupi i identitetit shqiptar. Mospërfillja e trashëgimisë kulturore shqiptare e shkatërron identitetin shqiptar, ndan trupin e identitetit shqiptar nga gjuha shqipe. Asimilimi i gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore asimilon identitetin shqiptar, ndërsa disa shqipëfolësa po na servojnë se mjafton vetëm gjuha shqipe, pa trashëgimi kulturore, pa rrënjë të trupit të identitetit kombëtar. Pra identitet kombëtar shqiptar është: gjuha shqipe, trashëgimia kulturore, kultura, arsimi, shkenca shqiptare.
Njollosja e flamurit, heronjve e tjerë është bërë modë e përditshme e disa “intelektualëve, hoxhallarëve e tjerë
Në këtë kohë të çthurrjeve shoqërore, të çthurrjeve arsimore, kulturore, politike, trashëgimisë kulturore, traditës, familjes si bërthamë themelore e shoqërisë, sidomos të identitetit kombëtar të Shqiptarëve, po e them me shumë përgjegjësi, po rrezikohet identiteti kombëtar edhe ate në përmasa shumë të mëdha,.
Inteligjenca shqiptare duhet të zgjohet nga gjumi i thellë, se e kanë trullosur, e kanë hipnotizuar, e kane droguar me shumëçka, vetëm jashtë kësaj që po i ndodh identitetit kombëtar, nga këto ndikime të shumta të brendshme e të jashtme. Zgjohu o Shqiptar, sa nuk është bërë vonë!
Për ta ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe përmes të saj edhe të identitetit kombëtar, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore realizoi 2 projekte të mëdha, me zgjatje nga gjashtë muajë, ku bëri evidentimin, regjistrimin, fotografimin, inçizimin dhe komplet dokumentacionin e plotësuar të një formulari prej 24 pyetjesh për 335 objekte të trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës dhe 447 objekte të trashëgimisë kulturore të komunës së Bujanovcit.
Poashtu Shoqata për Trashëgimi i propozoi Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe komunës së Preshevës që disa nga objektet që nuk janë në listën ligjore mbrojtëse të Republikës së Serbisë, në mbështetje të Ligjit të hyjnë në Listë mbrojtëse ligjore të komunave.
Ruajtja më e mirë bëhet përmes edukimit të brezit të ri. Përmes edukimit bartet njohja dhe vlerësimi i saj, por edhe dashuria e frymëzimi për ta ruajtur identitetin dhe trashëgiminë kulturore.
Gjatë viteve 2019, 2020, 2021, 2022, 2023 dhe 2024 realizuam projekte: „Nxënia e diturive dhe edukimi i Fëmijëve dhe të Rinjve nëpërmjet trashëgimisë kulturore si dhe promovimi e prezantimi i kësaj trashëgimie në Preshevë dhe Bujanovc.“
Kështu gjatë kësaj periudhe organizuam dhe realizuam 16 Konferenca shkencore: 13 Konferenca shkencore i realizuam në Preshevë, një të përbashkët me Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe 2 Konferenca shkencore në Medvegjë, me botimin e 21 librave: prej tyre 14 libra me punimet e Konferencave shkencore, 4 libra autoriale dhe nga letërsia botuam 3 libra.