RTK: LDK po na bënë presion politik

Bordi dhe menaxhmenti i RTK –së i kuptojmë shqetësimet e subjekteve politike në një vit zgjedhor dhe jemi të përgatitut të ballafaqohemi profesionalisht me sfidat në situatë elektorale.
Ashtu sic edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2013, të mbajtura në një skenë politike të acaruar, kur RTK arriti të dëshmojë pavarësinë editoriale, duke qenë shembull i mbulimit korrekt dhe të paanshëm të fushatë zgjedhore, edhe në zgjedhjet që e presin Kosovën sivjet, RTK garanton përmbushjen e misionit tonë të transmetuesit publik sic përshkruhet në Ligjin e RTK-së dhe në pajtim me standardet e EBU.
Reagimi i sotëm Zyrës për Informim të LDK-së, është i ndërtuar mbi bazën e gjysmë informatave dhe spekulimeve që rrezikojnë të shfaqin tendenca të diktatit politik mbi vendimmarrjen dhe praktikat editoriale brenda transmetuesit publik.
Ne duam të besojme se bëhet fjalë për një reagim të ngutshëm dhe të ndikuar nga situata e përgjithshme e ditëve të fundit. Mirëpo, nëse vërtet bëhet fjalë për qëndrim politik ndaj vendimmarrjes dhe praktikave editoriale të transmetuersit publik, atëherë konsiderojmë se kemi një përpjekje për presion politik të një partie të madhe ndaj transmetuesit publik të Kosovës.
Duam të theksojmë se asnjë parti apo subjekt tjetër politik nuk kanë asnjë të drejte ligjore të përfshihen në vendimmarrjen apo në vlerësimin a komentimin e përgjithshëm të funksionimit të RTK-së, pavarësia editorial e të cilës është e garantuar me ligj.
Ato kanë të drejtën e qasjes dhe prezencës në transmetuesin pubik sikurse që kanë të drejtën e demantit, sqarimit por edhe të adresimit të vërejtjeve serioze dhe për këto raste, kanë adresa të qarta, thuhet në një reagim të RTK-së, dërguar medieve.
Prandaj, u bëjmë thirrje subjekteve politike dhe të tjera të Kosovës, pa përjashtim, që të mos e fusin dhe të mos e llogarisin RTK-në si pjesë e agjendave të tyre elektorale apo të tjera.
Po ashtu, RTK i bën thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës, si themelues i RTK-së që të mbështesë RTK-në në përpjekjet e saj për përmbushjen e misionit dhe obligimeve që dalin nga Ligji i RTK-së miratuar nga ky Kuvend.