RCCOLA

Rryma po i lodh bizneset, OEK dhe “Qeveria në hije” të pakënaqur me Kurtin

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

“Bizneset kanë filluar të ankohen për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike”, ka thënë Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike (OEK).

Shkruan: Sefer Zogaj

Në një përgjigje për Gazetën Express, Rafuna ka thënë se “humbjet e paraqitura financiare janë shqetësuese”, sidomos në sektorin e prodhimit.

Problemin e energjisë elektrike do ta pësojnë shumë kompani të cilat eksportojnë produkte – pasi ato nënshkruajnë kontrata me fuqi juridike ndërkombëtare.

“Çdo vonesë e paraparë me kontratë nënkupton edhe prolongimin e afateve të kontratave për eksport dhe për shkak të vonesave në liferimin e mallrave bizneset kosovare do të penalizohen dhe ajo që është më e dhimbshme rrezikohet humbja e tregut, i cili është fituar me shumë mund”, ka alarmuar Rafuna.

I pari i OEK-ut ka shtuar se një ndërprerje e rrymës një kompanie prodhuese po i kushton rreth 25 mijë euro.

“Procesi i prodhimit është i tillë që nëse paraprakisht nuk lajmërohen bizneset për ndërprerje të rrymës, dëmet për disa biznese prodhuese me vetëm një ndërprerje mund të shkoj rreth 25000 Euro dhe ato janë të pa evitueshme, sepse malli që gjendet në të gjitha vijat e prodhimit dëmtohet, ka deklaruar ai.

Sipas Rafunës, kriza energjetike është globale, por thotë se ka hapësirë që Qeveria të bashkëpunojë me komunitetin e biznesit.

“Ne jemi të vetëdijshëm që problemi me energji elektrike është një problem global, mirëpo konsiderojmë se një bashkëpunimin i mirëfilltë dhe transparent me komunitetin e biznesit do të gjejmë zgjidhje sa më të favorshme për bizneset kosovare”, ka deklaruar ai.

Reduktimet e energjisë mund t’i shtrenjtojnë akoma çmimet në treg

Ekonomisti Arben Mustafa, që është “ministër” i financave në hije i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se reduktimet e energjisë bizneseve po iu shkaktojnë kosto shtesë.

“Si pasojë e reduktimeve, një pjesë e madhe e bizneseve po detyrohen të sigurojnë rrugë alternative të gjenerimit të energjisë elektrike përmes blerjes së gjeneratorëve”.

Kur kosto rritet, ajo mbulohet përmes çmimit. Për këtë Mustafa paralajmëron se norma e inflacionit mund të ngritet si pasojë e krizës energjetike.

“Kjo mund të përkeqësojë edhe më shumë situatën me rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve pasi që një pjesë e kostos shtesë sigurisht se do të transmetohet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve që ato prodhojnë, duke shkaktuar presion shtesë mbi normën edhe ashtu shumë të lartë të inflacionit që po mbizotëron në Kosovë”.

UBT

Rrjedhimisht ekonomia e Kosovës sipas tij “do të përballet me krizë të shtuar”. Për këtë ka shprehur kritikë ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Ekonomia e vendit po kalon nga një fazë e krizës në një fazë edhe më të rëndë të krizës, përderisa në horizont nuk po shihet ndonjë përpjekje serioze e Qeverisë së Kosovës për ta ndihmuar ekonominë që të kthehet drejt normalizimit”, ka deklaruar ai.

Kriza me rrymë

Më 14 gusht të këtij viti kompania që është përgjegjëse për shpërndarjen e rrymës, KEDS kishte njoftuar se reduktimet e energjisë nisin.

Arsyetimi i KEDS-it ishte se reduktimet kanë pasuar si rezultat i çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit.

“Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi”, ishte thënë në kumtesën e KEDS-t.

Por Kosovës më pas i doli në ndihmë Republika e Shqipërisë, duke i dhënë rrymë.

Megjithatë, furnizimi nga Shqipëria nuk mjafton që të ndërprehen reduktimet, ka thënë të mërkurën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media.

“Javën e kaluar kemi pasur një bashkëpunim të shtuar me Shqipërinë. Ky bashkëpunim ka mundësuar zbutjen e reduktimeve, megjithatë energjinë që mund ta marrim nga Shqipëria për fat të keq nuk e plotëson në tërësi mungesën tonë”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit po ashtu ka shtuar se “Ministria e Ekonomisë është përgjegjëse për këtë fushë”, duke kërkuar nga mediat që atje të drejtohen për informacione më të detajuara.

E Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, ka shkruar të mërkurën në Twitter se Qeveria i ka ndarë 41 milionë euro si pjesë e zotimit për 90 milionët eurot në subvencionimin e faturave të energjike elektrike.

“Së shpejti çdo konsumator(e) do të informohet për kontributin e fondeve të Qeverisë & ndikimin e tyre në faturën e tij/saj”, ka thënë Rizvanolli.

Por, qytetarët e bizneset po humbin nga reduktimet e vazhdueshme të rrymës, në muajin gusht – sezona kur konsumi i energjisë është më i ulët. Kjo ka shkaktuar shqetësime se me çfarë situate energjetike Kosova mund të përballet dimrit – kur konsumi është në kulm. /Express