Rrustemi: Institucionet qendrore dhe ato lokale ta ndihmojnë më shumë kulturën

Gjilan – Sabit Rrustemi nga Ars Clubi “Beqir Musliu” tha se institucionet qendrore dhe ato lokale duhet të bëjnë më shumë për librin dhe aktivitetet kulturore derisa Bujar Haziri tha se Gjilani po shndërrohet në qendër ndërkulturore edhe pse nuk kemi buxhet për të ndihmuar botimin e librave. Këto komente ata i bënë në hapjen e manifestimit “Vjeshta letrare 2014”.
Është hapur zyrtarisht edicioni i pestë “Vjeshta letrare 2014” manifestim ky që organizohet nga Ars Clubi “Beqir Musliu” dhe Drejtoria Komunale për Kulturë, Rini e Sport, raporton rajonipress.
Hapjen zyrtare e bëri Bujar Haziri drejtor për kulturë rini e sporte i cili tha se Gjilani ka krijuar një identitet të kulturës dhe realisht edhe po shndërrohet në qendër ndërkulturore. “Gjilani ka potenciale, ka kapacitete që ta zhvillojë dhe avancojë kulturën, edhe pse komuna nuk ka vijë buxhetore për të ndihmuar botimin e librave të rinj” tha Haziri.
Kurse Sabit Rrustemi në emër të Ars Club “Beqir Musliu” tha se mënyra më e mirë për ta ndihmuar këtë manifestim është që të jemi afër librit.”Institucionet qendrore dhe ato lokale duhet të bëjnë më shumë për ta ndihmuar e përkrahur çdo sferë dhe organizim të jetës kulturore. Botimet letrare duhet të ndihmohen sepse kështu e ndihmojmë dhe e pasurojmë edhe më shumë jetën letrare e kulturore të Gjilanit” tha Rrustemi.
Edhe Nexhat Rexha ka folur për rolin që po luan Vjeshta letrare derisa ka përmendur një varg librash të rinj që kanë lindur pikërisht nga Ars Clubi “Beqir Musliu”.
Ndryshe në këtë manifestim me botimet e reja të vitit 2014, do paraqiten më 15 tetor, me përurimin e librit poetes Qëndresë Shala “Pritja jote jam”, në sallën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.
Më 18 tetor, në Gjilan prezantohet “Portreti letrar i Bujar Salihut”, i cili krijon e vepron në Zvicër. Më 23 tetor, pas hapjes solemne të Panairit të Librit në Gjilan, mbahet Ora e shkrimtarëve, ku do të paraqiten anëtarë të Pen Qendrës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe të Ars Clubit “Beqir Musliu”.
“Vjeshta…” vazhdon më 25 tetor, me portretin letrar të Prend Buzhalës, për të shkuar tutje, më 8 nëntor, me portretin letrar të Zejnepe Aliut -Rexhepit nga Tetova. Të dyja këto aktivitete mbahen në Gjilan.
Më 15 nëntor prezantohet poezia e Edona Halitit, në Viti, kurse më 22 nëntor bëhet paraqitja e librit më të ri të Nexhat Rexhës “Zogjtë fluturojnë në kafaz”.
Në dhjetor zhvillohen dy aktivitete të “Vjeshtës….”. Më 6 dhjetor, vjen mysafiri i Vjeshtës, që kësaj here është shkrimtari Petrit Palushi nga Kukësi.
Kurse më 20 dhjetor, në program është paraqitja e Edicionit të tretë dhe të katërt të Manifestimit “Vjeshta Letrare e Gjilanit” dhe përmbyllja e manifestimit të sivjetmë./rajonipress/