Rrustem Mustafa: Kryeparlamentarin e propozon PDK
Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Rrustem Mustafa, ka thënë se në seancën e ardhshme konstituive do të votohet për Kryetarin e Parlamentit i cili do të propozohet nga PDK’ja.
Ai ka thënë se është herët të flitet për zgjedhje të reja pasi ende s’janë shterur të gjitha rrugët institucionale për krijimin e institucioneve të reja.
“Kryetar i Parlamentit do të jetë njëri prej 120 deputetëve të Parlamentit. PDK do ta propozojë Kryetarin e Kuvendit”, ka thënë Mustafa, për Express, të martën.
“Neve na bien më së miri nëse do të kishte zgjedhje të reja. Mirëpo, po më duket se nuk është koha për zgjedhje të reja pasi ende nuk jemi në fazën kur kanë dështuar përpjekjet për formimin e institucioneve”, ka shtuar ai.
Ndryshe, Vendimi i Gjykatës Kushtetuese parasheh që grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet e ka mandatin të propozoi Kryeparlamentarin. Sidoqoftë, LDK-AAK-NISMA kanë deklaruar se do të votojnë Isa Mustafën për Kryetar të Kuvendit nëse dështon PDK në mungesë të numrave.
Sidoqoftë, Rrustem Mustafa s’ka dashur të flas se kur do të mbahet seanca konstituive me arsyetimin se për këtë duhet të pyeten udhëheqësit e partisë.
Por, Remi ka vazhduar të deklarohet për një koalicion me LDK’në. Ka thënë se ideja e tij do të realizohet pasi është në të mirë të Kosovës.
“Ajo është vetëm ide cka kam thënë unë. Koalicioni PDK-LDK i duhet Kosovës dhe unë besoj se duke qenë ide normale edhe do të bëhet. Kjo do të bëhet në afatin e duhur kohor”, ka thënë ai.


