Uji Dea

Rrugëtimi kuqezi drejt “Euro 2024”, nota për Kombëtaren dhe jeta në Shqipëri: Sylvinho rrëfim në të gjithë fushën

/ 11 minuta lexim
ARKATANA

Sylvio Mendes Campos Junior, trajneri i Kombëtares Shqiptare, ka rrëfyer në një intervistë për RTSH rrugëtimin e kuqezinjve në kualifikueset e “Euro 2024”. Braziliani tregoi si pranoi ofertën e FSHF, ndërkohë që kaloi më pas te ndryshimet e bëra në Kombëtare. Tekniku kuqezi i ka vënë një notë Shqipërisë së tij në kualifikuese dhe është ndalur edhe te dy ndeshjet e fundit me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Në fund Silvinjo ka folur edhe në lidhje me rinovimin e kontratës.

KUALIFIKUESET – “Është kënaqësi të mund të rikujtojmë gjithçka, teksa gjithçka është kaq e freskët. Por po, kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur, të gjithë bashkë. Futbollistët i kapën shpejt idetë e futbollit, konceptin tim. Por përtej kësaj, njerëzit vijnë masivisht në stadium… E dimë se kur luan për kombëtaren përgjegjësia është e madhe, ka një peshë të madhe. Tifozët duan të shohin zotërim të mirë të topit, një driblim, një tunel, një goditje të bukur, gola po sigurisht, por mbi të gjitha zemër dhe shpirt. Ka pritshmëri, sigurisht edhe në klub, por në kombëtare është diçka më shumë. Kam bërë një rrugëtim 3-vjeçar me kombëtaren braziliane, nga 2016 në 2019. Bëmë Botërorin e 2018 së bashku, pastaj unë e ndoqa edhe atë. Si futbollist është një gjë, por si bashkëpunëtor i stafit e pashë që ishte e rëndësishme. Aty e kuptova menjëherë se përtej të luajturit e të bërit punë, shpirti e zemra janë të rëndësishme”.

PSE PRANOI SHQIPËRINË – “Futbolli të mundëson gjëra të mrekullueshme. Eksperienca me Kombëtaren me bëri të shkoja përpara me Shqipërinë. Gjëja e parë ishte të jetoja në Shqipëri. Këtu Federata të jep mundësinë të bësh një punë të madhe. Fusha. Qendra sportive. Edhe eksperienca me Brazilin më bëri që të prezantoja te lojtarët projektin tonë. Ishte një sfidë e rëndësishme dhe e bukur. Mendoj se të gjitha palët janë të kënaqura sot, si Federata, edhe ne, edhe futbollistët, madje duke përfshirë edhe tifozët.

A më tha njeri pse erdha deri në Shqipëri? Mundësi për të punuar, një federatë e mirë, një qendër sportive e re, futbollistë të fortë. Duhet të organizoj dhe punoj, na duhet kohë për t’u rritur. Nuk them që mund të bëhemi Franca, Gjermania, por mund të rritemi dhe të mendojmë të zhvillohemi shkallë-shkallë, duke menduar që të luajmë në një Botëror, apo Evropian tjetër. Pastaj fillon dhe mësohesh me këto nivele”.

MODULI, ASANI DHE SEFERI – “Kisha studiuar pak skuadrën. Prej 2-3 vitesh luante me një 3-5-2, unë kisha për qëllim të luaja me 4-3-3, ose 4-2-3-1. Nuk do të kishte një lojtar të pestë në linjë që shtyn, por një lojtar krahu. Nuk e kishim një lojtar krahu. Seferi është një sulmues i dytë, është përshtatur shumë mirë aty. Në fakt ne e nisëm me Uzuni titullar, por edhe Uzuni është një sulmues i dytë që i pëlqen të shkojë në zonë. Mes të dyve Seferi u përshtat më mirë, si lojtar i krahut të majtë. Asani? Mua më pëlqen një mëngjarash nga e djathta, I cili hyn drejt zones. Sipas meje na jep më shumë qetësi gjatë lojës. Teknik, më shumë në kontroll të topit dhe ne mund të zhvillojmë një futboll më të bukur. Doriva dhe Zbaleta më thonë: “ah meqenëse ti je mëngjërash, të pëlqen një mëngjërash”. Nuk e kishim një mëngjërash. Kërkuam nëpërmjet federatës, 1, 2,3 nuk na bindnin. Pastaj ishte Asani, i cili kishte luajtur me Partizanin dhe tani luante në Kore dhe menjëherë më ra në sy. Ky është pikërisht ai që na duhej për Kombëtaren dhe na u përgjigj. Sepse ne kërkojmë, por ata duhet të të përgjigjen. Dhe lojtarët shihen sapo vijnë, që në stërvitjen e parë. Mënyra sesi përshtaten është shumë e rëndësishme, sepse nuk kemi shume kohë të punojmë me Kombëtaren. Djemve u them gjithnjë që duhet të japin maksimumin, sepse vëzhgohen. Asani u përgjigj shumë mirë, duke marrë shumë përgjegjësi edhe në ndeshjen e tij të parë, atë përballë Polonisë”.

HUMBJA NË POLONI – “Pas ndeshjes në dhomat e zhveshjes unë pashë se kishte diçka, ndodhi diçka, një gjë e mirë. U kërkova djemve ishte të qëndronim pjesë e sfidës. Nuk duhej të luanim mirë dhe të humbisnim 2-0, 3-0. Duhet të luftonim dhe të mbeteshim pjesë e lojës. Po të shikosh, 2 minuta nga fundi kishim mundësi me Uzunin të barazonim. Mua nuk më rri mirë asnjëherë humbja, por duke arsyetuar mbi atë ndeshje, e kam parë 3-4 herë, ata nuk e meritonin fitoren. Futbolli nuk është meritë ose jo, është humbje ose fitore. Ne humbëm, por lamë një shenjë të rëndësishme në fushë. Aty u kuptua se mund të shikohej përpara”.

BESIMI NË STAF DHE EKIP – “Kjo është pjesa e vështirë e futbollit, sepse mund të ndodhë gjithçka. Ti bën gjithçka mirë, por një penallti, një gol, je 0-1 dhe ndalon. Kjo ishte një shenjë shumë e fortë mes nesh, Federatës, stafit, lojtarëve. Besuam gjithnjë se projekti ishte i mirë. Mua më pëlqen që t’i shoh lojtarët në sy dhe t’u flas dhe ua them gjithnjë. Sepse nëse unë ul sytë ndaj një lojtari apo personi, e kam mësuar nga babai që do të thotë se ka një problem. E njëjta gjë edhe në krahun tjetër. Kjo për mua është shumë e rëndësishme”.

NDESHJET E SHTATORIT – “Tre ditë pas barazimit me Çekinë ishte Polonia. Provoj, duke menduar se ajo gjë ishte ende duke u përjetuar nga të gjithë. Ishim dakord se duhet të tregonim ndaj Polonisë, një skuadre të fortë, dhe pas 70 vitesh nga një rezultat pozitiv ndaj tyre besuam. Tre ditë përgatita ndeshjen ndaj tyre. Një finale, për ne ishte si një finale Championsi. E kuptuan mirë idenë. Rikuperuam shpejt, stadium ishte plot. Mbështetja e njerëzve ishte e jashtëzakonshme”.

Uji Dea

FITORET ME ÇEKINË E POLONINË – “Lumturi, kjo ishte ndjenja në dhomat e zhveshjes. Entuziazmi është një gjë, lumturia diçka tjetër. Unë kam studiuar 3-4 vitet e fundit të kombëtares, kjo për të nisur mirë punën, dhe për të kuptuar më mirë. Ajo me Poloninë ishte diçka që kishte ndodhur edhe më parë. Ne që merremi me futboll e dimë se nëse për një periudhë të vazhdueshme barazon ose humbet rresht, krijohet një shije e keqe e tmerrshme, por duhet përgatitur mirë ndeshja e radhës ndaj atij kundërshtari. Fitorja arrihet me durim dhe punë, ndaj asnjë kundërshtari nuk fitohet me inat, por me organizim. Në ndeshjen me Poloninë unë pashë një rrjedhojë të situatës së viteve të fundit, 2-3-4 viteve të fundit. Polonia ka qenë e pakalueshme sepse është një kundërshtar shumë i fortë, me lojtarë shumë të mirë dhe në fund të ndeshjes fitonin gjithmonë ata. Një herë 2-1, një herë 1-0. Ishte ajo që nuk doja të ndodhte”.

NJERËZIT DHE JETA NË SHQIPËRI – “Akoma nuk di ta them plotësisht, është diçka e bukur, reagimi që kemi marrë nga njerëzit. Njerëzit tregojnë shumë respekt, shumë bukur… Për më tepër unë bëj një jetë të thjeshtë. Në orën 07:30 zgjohem, në orën 08:00 ha mëngjesin, në orën 09:00 jam në Federatë. Në orën katër ose 5 pasdite kthehem në hotel, dal për vrap te liqeni. Më pas kthehem, ha darkën dhe shoh futboll. Edhe të nesërmen bëj të njëjtën gjë… kjo rutinë vazhdon prej 10 muajsh. Por kjo më pëlqen, nëse nuk jeton kështu, nuk mund të punosh për futbollin.

Dikush më tha: “Në fundjavë merr makinën dhe shko në jug, është shumë bukur, ka ushqim të mire” Ushqim të mirë ka edhe në Tiranë, kjo është e vërtetë. Por unë duhet të shoh ndeshjet. Si mund të kem fundjavë kur kemi 50 lojtarë që luajnë në gjithë botën. Nuk është e thjeshtë… Unë të hënën shkoj në Federatë dhe duhet të kontrolloj edhe 15 të tjerë. Do të vijë dita që unë do të bëj një tur të gjatë nëpër Shqipëri, për ta njohur më mire, por kjo momentalisht do të më ndikonte tek puna dhe puna është punë. Unë kam prejardhjen nga një qytet si San Paolo, një qytet kaotik dhe prindërit e mi ishin shumë të zotë, kanë punuar gjithë jetën e tyre. Ndaj edhe unë punoj, kur ka punë, duhet punuar”.

NOTA PËR SKUADRËN – “Këtë duhet ta shpjegojmë sepse nëse po them 7, kjo shtatë mund të duket si vlerësim i ulët, ndërkohë që është i lartë. 10-ta për shembull jepet kur fiton të gjitha ndeshjet, 24 pikë, mision i pamundur. Nota 1 jepet kur bën 3-4 pikë. Brenda këtij marzhi them se ne jemi tek 7 e gjysma, ndoshta 8-ta. Nëse heqim një ose dy ndeshje, tek të tjerat kemi qenë në nivel të lartë, si në rezultat ashtu edhe në paraqitje”.

DY NDESHJET E FUNDIT – “Bëmë më të mirën. Nëse do të më pyesje, në cilin moment vuaje më shumë? Po ta them, në Moldavi! Ia kishim dalë, kishim pritur shtatë vite! Në aspektin njerëzor është e pamundur të mos ndikohesh, vuajtëm të gjithë! Në një moment, ishte kohë e shkurtër. Nga Polonia erdhën fitoret dhe gjithçka me radhë. Unë gjithmonë u thosha djemve, vazhdojmë, kemi rrugë përpara… Unë u thosha gjithmonë, pas Çekisë dhe Polonisë kemi edhe tre finale, kemi edhe 2, por me atë barazim gjithçka u konkretizua.

Kur u rikthyem, atmosfera në qytet e jashtëzakonshme, deri në 2 të mëngjesit festë. Dy ditë më vonë të bindësh një lojtar që duhet të zbresë në fushë… Janë profesionistë, dakord, por futbolli shkon përtej… Unë jam shumë i sigurt që nëse do të kishte qenë një ndeshje ku duheshin marrë tri pikët, qasja do të kishte qenë e ndryshme. Në aspektin njerëzor është e pamundur të kërkosh, që rri në shtëpi, qetësohu, ushqehu, stërvitu. Ata po bëheshin gati, i gjithë vendi, jo vetëm ata. Ndaj nuk është faji i tyre, është i të gjithëve, faj në sensin pozitiv në këtë rast. Pritëm shtatë vite për atë natë në Moldavi”.

EUROPIANI NË GJERMANI – “Është e vështirë të flasësh që tani për këtë kombëtare, në sensin pozitiv. Kemi 6 muaj përpara, do të kem pak mundësi të shoh lojtarët nga afër. Ajo që duhet të bëj është t’i monitoroj të gjithë, të udhëtoj për t’i ndjekur, sepse unë do të grumbulloj 23 më të mirët, për të shkuar në Evropian. A do jetë Broja? Ai është një lojtar kalibri, i jashtëzakonshëm, por ai pati një dëmtim të rëndë. U rikthye muajin e fundit, por pati sërish problem. u rikthye, por u dëmtua sërish, ndodhi disa herë. Të paktën ai tani është mirë dhe po rikuperon. Tani ka një muaj të rëndësishëm sepse Premier Liga nuk ndalet, dhjetor, janar, shkurt. Shpresoj të rifitojë formën. Sigurisht është një lojtar i shkëlqyer. Ai për më tepër sqaroi se nuk ka asnjë problem mes nesh, janë lajme false. Djalë i shkëlqyer. Është një lojtar që mund të jetë pjesë e skuadrës siç janë edhe të tjerët, duhet të presim që të rikthehet në formë, të jetë mirë, janë shumë gjëra që duhen parë…”.

RINOVIMI I KONTRATËS – “Po, jam gati. Edhe pse ndoshta nuk po mendoj për këtë gjë. Mendimet e mia lidhen me punën, jam i qetë në këtë aspekt. Nëse Duka sjell kontratën, a firmos? Sigurisht, patjetër. Nuk është se e kam aty… Jam gati, por kjo nuk më shqetëson. Mendjen e kam te puna që kam përpara. Për t’u përgjigjur, nëse vjen sot, po, patjetër”.