Rrugëtimi i nisur me 50 shikues u mbyll me festën e miliona shqiptarëve
Kualifikimi i Shqipërisë në Euro 2016 vlerësohet të jetë fryt i një pune të gjatë të bërë për vite të tëra në Kombëtaren kuqezi.
Shqipëria të dielën me fitoren 3:0 ndaj Armenisë në Jerevan për herë të parë u kualifikua në një ngjarje të madhe futbolli, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndonëse kualifikimi vlerësohet fryt i një pune më të gjatë, rrugëtimi i vërtetë për në Francë 2016, nisi në nëntor të vitit 2013.
Shqipëria më 15 tetor të vitit 2013 kishte luajtur ndeshjen e fundit eliminatore për botërorin e vitit 2014.
Barazoi pa gola me Qipron në udhëtim për të mbyllur një cikël që përfundoi në mënyrë të zakonshme për kuqezinjtë – në pozitën e parafundit në grup dhe larg zonës që siguronte kualifikimin direkt apo barazhin.
Pas edhe një eliminimi të zakonshëm, ishte koha për të nisur një cikël të ri. Cikli i ri nisi me më shumë shpresë.
Favorizues vlerësohej fakti se numri i përfaqësueseve që kualifikohen në evropian ishte rritur nga 16 në 24, ndërsa skeptikët bazoheshin në grupin e fortë të Shqipërisë, ku bënin pjesë përfaqësuese me emër si Portugalia e Cristiano Ronaldos, Danimarka, Serbia e Armenia që vinte pas një kampanje të suksesshme.
http://koha.net/?id=6&l=79376


