Fundamenti

Rrugëtimi drejt Europës

/ 6 minuta lexim
FITORJA

Nga Vlora Çitaku – Gjatë viteve të fundit Kosova ka pësuar ndryshime të rëndësishme dhe kuptimplote që kanë dinamizuar më tej integrimin evropian të vendit duke reflektuar konsolidimin e mëtutjeshëm si shtet evropian i pavarur dhe funksional. Megjithëse perspektivën evropiane Kosova e ka pasur premtim të qartë nga Bashkimi Evropian që nga Deklarata e Selanikut e qershorit 2003, në praktikë dinamikat e brendshme, por edhe hapat nga BE kanë pasur hove të intensitetit jo aq të njëtrajtshëm e shpesh jo të kënaqshëm.

Gjersa thirrja që Kosova e ka rrugën e hapur për në BE ka pasur një eko të njëtrajtshme ndër vite, realiteti dhe hapat e nevojshëm konkretë që do t’i hapnin me të vërtetë rrugën kanë munguar. E pikërisht këtu qëndron dallimi me situatën e krijuar së fundmi. Nëse shërbehemi me analogjinë e njohur të rrugës, dhe rrugëtimit, që shpesh përdoret për të përshkruar procesin integrues, mund të thuhet se vetëm vitin e kaluar kemi pasur një kthesë domethënëse ku Kosova doli në një udhë të shpejtë, dhe të vetmen, që çon drejt destinacionit final, atë të vendit anëtar.

Në fillim të vitit 2012 kemi filluar dialogun për viza – proces ky që Kosova e ka pranuar vetëm pas përmbushjeve të kushteve që për vendet tjera ka qenë kërkesë vetëm në prag të hapjes të mundësisë së udhëtimit pa viza në BE për qytetarët e tyre. Kjo pastaj është pasuar me dorëzimin e udhërrëfyesit në qershor nga komisionarja e BE-se për Punë të Brendshme, znj. Cecilia Malmström. Ky udhërrëfyes tani po përdoret si bazë nga të gjitha institucionet përgjegjëse për punën e tyre drejt përmbushjes së kushteve .

Sa u përket marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, në tetor të vitit 2012 Komisioni Europian ka publikuar Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Dokumenti përshkruan progresin që Kosova ka arritur në tre vjetët e fundit dhe shqyrton nëse Kosova është e gatshme për të filluar negocimin e një MSA-je. Studimi konfirmoi se Kosova “…është kryesisht e gatshme për të filluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.” Më 12 dhjetor 2012 Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme ka marrë parasysh iniciativën e Komisionit për të propozuar direktivën negociuese për MSA-në, pasi që Kosova të ketë përmbushur prioritetet afatshkurtra, të cilat janë identifikuar në Studimin e Fizibilitetit.

Kjo marrëveshje, mbi të gjitha, do të shënojë hapin e parë të rëndësishme kontraktual me BE-në, dhe nga ana praktike do të përmbajë në vete edhe një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillim të ekonomisë, lehtësimin e tregtisë dhe përafrimit me BE-në.

ARKATANA

Një lajm tjetër i mirë i ndërlidhur me këtë fushë erdhi në dhjetor 2012, kur Bordi i Guvernatorëve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) miratoi anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar financiar. Ky nuk është vetëm shembulli i fundit i përparimit të Kosovës drejt integrimit në komunitetin ndërkombëtar, por kjo gjithashtu do të lejojë që Kosova të përfitojë nga një financim më i madh dhe do të kontribuojë në promovimin e zhvillimit socio-ekonomik të Kosovës.

Megjithatë, Integrimi Evropian është sfidues jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë Bashkimin Evropian. Parimet fundamentale të BE-së, sundimi i ligjit, liria e lëvizjes dhe e mallrave, dinjiteti dhe mundësitë e barabarta janë vlerat themelore evropiane që sfidohen në Kosovë. Nuk do të lejojmë që Kosova të jetë vrimë e zezë në zemër të kontinentit evropian, ky është përkushtim edhe i BE-së pasi që në fund të ditës kredibiliteti i të gjithëve do të vijë në pikëpyetje. Fuqishëm, besojmë se BE do të flasë me një zë dhe Kosovës do t’i ofrojë një perspektivë konkrete europiane. Më shumë duhet të bëjmë për vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale, në mënyrë që perspektivën e deritanishme që e kemi pasur me BE-në, e cila në masë të madhe ka qenë në nivel abstraksioni, ta shndërrojmë në një udhërrëfyese konkrete për integrimin europian të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe e vendosur për t’i zbatuar të gjitha kriteret e kërkura nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Deri sa në njërën ane numri i kritereve është më i madh se sa që ka qenë për vendet e rajonit, në anën tjetër ne kemi nisur këtë proces në mënyrë të njëanshme shumë më herët dhe nuk ka shumë kritere që nuk i dimë ose që nuk jemi marrë me to, kjo na bën të sigurt,që për sa i përket anës sonë, ne do t’i zbatojmë të gjitha kriteret në afat rekord.

Por, të jemi të qartë, të gjitha kriteret e caktuara nga BE nuk janë kritere që duhet përmbushur vetëm nga qeveria. Të gjitha institucionet publike, duke filluar nga Parlamenti, Qeveria, komunat, Policia, Doganat, Prokuroria, Gjyqësia etj. kanë përgjegjësi në këtë proces. Unë jam më se e bindur që të gjitha këto institucione e kuptojnë rëndësinë e këtij procesi dhe e di që edhe ata do të jenë në krye të detyrës.

Kosova ka një rrugë të gjatë dhe të vështirë në udhëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE, por ky vit është vit shumë i rëndësishëm për procesin e integrimit të Kosovës në BE, këtë vit do të trasojmë rrugën e gjatë por të sigurt drejt BE-së. Rrugë kjo e cila kërkon punë dhe angazhim të pamohueshëm për t’i ndërmarrë reformat e nevojshme dhe reformat që kemi përpara janë para së gjithash në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.