Rrugët lokale dhe regjionale të kalueshme në Anamoravë

Gjilan – Behar Mehmeti drejtor i shërbimeve publike tha se të gjitha rrugët lokale dhe ato në fshatrat e Gjilanit janë të kalueshme. Ismet Hashani zëdhënës i policisë tha për rajonipress se rrugët regjionale janë të mbajtura mirë dhe nuk janë shënuar aksidente. Rrugët janë të kalueshme edhe në drejtim të Dheut të Bardhë dhe Myqibabës.
Bora e fundit që ra në Anamoravë dhe ngricat e ditës së diel kanë bërë që kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve lokale dhe regjionale të jenë më të mobilizuara.
Behar Mehmeti drejtor i shërbimeve publike tha për rajonipress se të gjitha rrugët lokale në qytet duke përfshirë edhe fshatrat e Gjilanit janë të kalueshme. Mehmeti tha se rrugët lokale i mirëmban kompania “Magjistralja” dhe sipas informacioneve që ata na kanë dhënë gjendja është e mirë pavarësisht se natën pritet të ketë ngrica dhe sidomos në mëngjes.”Ne lusim vozitësit që mos të dalin në rrugë të papërgatitur dhe të kenë kujdes gjatë vozitjes natën dhe herët në mëngjes” tha Mehmeti.
Kurse Ismet Hashani zëdhënës i policisë rajonale tha për rajonipress se rrugët regjionale të gjitha janë të kalueshme dhe nuk ka pasur aksidente këtë fundjavë.”Rrugët po mirëmbahen mirë dhe realisht të gjitha rrugët që shpien në drejtim të Prishtinës, Bujanocit, Preshevës e Ferizajit janë të kalueshme. Normalisht ne apelojmë për kujdes të shtuar dhe syqeltësi maksimale sepse nata mund të jetë me ngrica” tha Hashani.
Gjendja ndërkaq më e rëndë paraqitet në fshatrat e brezit kufitarë. Në fshatin Stublinë rruga nuk është e kalueshme dhe banorët kanë vështirësi në qarkullim./rajonipress/