Rruga që asnjëherë se përjetojë kujdesin institucional të mirëmbajtjes

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Rruga Pograxhë – Stublinë që lidhet me Dobrosinin edhe pse ka kushtuar mbi 1 milion euro nuk mirëmbahet nga askush. Kjo rrugë është lënë në mëshirën e fatit dhe të banorëve të paktë që kanë mbetur atje, të cilët kujdesen kohë pas kohe për ta pastruar rrugën nga gurët dhe shembjet e dheut.

Edhe pse janë investuar mbi 1 milion euro në rrugën Pograxhë – Stublinë – Dobrosin kjo rrugë ende nuk mirëmbahet nga askush. As Komuna e Gjilanit e as Ministria e Infrastrukturës nuk kanë mirëmbajtur asnjëherë këtë rrugë.

Shembja e dheut dhe gurët e shumtë nëpër rrugë tani paraqesin rrezik serioz për veturat dhe ata që dëshirojnë ta kalojnë këtë rrugë.

Edhe pse Lutfi Haziri gjatë fushatës zgjedhore disa herë e ka përmendur këtë rrugë, dhe madje flitet shumë herë për ndihmën që Gjilani do ti ofrojë fshatrave të Luginës, kjo ndihmë mbetet vetëm në letër.

Rruga Pograxhë-Stublinë-Dobrosin e gjatë gjashtë kilometra e quajtur si rruga e shpresës dhe e bashkimit të dhjetëra fshatrave shqiptare andej dhe këndej kufirit tanimë ka mbetur nën mëshirën e zotit. Kjo rrugë ka kushtuar mbi 1 milion e 300 mijë euro dhe është investim i Ministrisë së Transporteve.

Fundamenti

Rruga kishte gëzuar tej mase banorët e brezit kufitar. Me asfaltimin e kësaj rruge tashmë janë lidhur edhe fizikisht fshatrat shqiptare me Kosovën, sidomos Dobrosini, Lluqani, Verbani, Nasalca, Cerretica, etj e shumë fshatra tjera që tashmë e kanë më të lehtë edhe komunikimin, por edhe shërbimet mjekësore.

Zymer Osmani banor nga Stublina thotë për rajonipress se kjo rrugë asnjëherë nuk është pastruar as nga dheu as nga gurët. “Po të mos ishte KFOR-i që kujdeset për ta hapur rrugën në të gjitha kohët dhe po të mos ishin banorët e Dobrosinit që herë pas here e pastrojnë rrugën dhe ne pak banor të Stublinës që kemi mbetur, kjo rrugë do të shkatërrohej që moti. Kjo rrugë ndihmën institucionale nuk e ka përjetuar asnjëherë” thotë Osmani”.

Osmani thotë se miliona euro ndahen nga buxheti i Kosovës për mirëmbajtjen e rrugëve kurse kjo rrugë për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ka filluar shumë shpejt të dëmtohet. “Është një rrugë që frekuentohet shumë nga shqiptarët e fshatrave të Bujanocit. Komuna e Gjilanit vazhdimisht thotë se do i ndihmojmë banorët e Kosovës Lindore dhe ndihma më e mirë për ta do të ishte mirëmbajtja e rrugës” thotë ai.

Edhe banorët e Dobrosinit ndihen të zhgënjyer që asnjë kompani apo institucion nuk e ka mirëmbajtur rrugën./rajonipress/