Hidromorava

Rruga përpara

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Vlora Çitaku – Pa dyshim që nga shpallja e pavarësisë është shënuar progres i jashtëzakonshëm në kuadër të agjendës evropiane të Republikës së Kosovës. I gjithë ky progres është konfirmuar kohëve të fundit me fillimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe nisjen e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim Asociimi. Përmes këtyre dy proceseve, Bashkimi Evropian ka dëshmuar që e trajton Kosovën barabartë me vendet e tjera të rajonit, ndërsa nga ana tjetër Kosova ka konfirmuar vullnetin politik për të vazhduar me reformat në kuadër të agjendës evropiane.

Është përparësi e veçantë, dhe indikator i pjekurisë politike, që në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë, procesi i integrimit evropian gëzon konsensusin më të madh politik dhe shoqëror. Një konsensus i tillë ka qenë faktor i pazëvendësueshëm në përmbushjen e obligimeve në kuadër të agjendës evropiane.

Javën e kaluar, së bashku me Ministrin Bajram Rexhepi, kam njoftuar Komisionin Evropian për progresin e arritur në fushë e liberalizimit të vizave. Njëkohësisht, u dakorduam për hapat e radhës dhe vazhdimin e punës intensive gjatë pjesës së mbetur të këtij viti. Gjatë kësaj jave, personalisht do të jam e përfshirë në diskutimin e çështjeve teknike lidhur më përmbushjen e kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

Puna intensive është duke u zhvilluar edhe në kuadër të përgatitjeve për nisjen e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim Asociimi. Në këtë drejtim, dua të lavdëroj punën e dy negociatorëve të emëruar, zëvendësministrin e Tregtisë Bernard Nikaj dhe zëvendësin tim Gëzim Kasapolli. Gjatë javës që lamë pas, ekipet negociatore kanë zhvilluar një numër takimesh me qëllim të përcaktimit të interesave shtetëror dhe formulimit të pozicioneve negociuese në kuadër të negociimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimi.

Synojmë që deri nga mesi i muajit shtator t’i kemi të përgatitura pozicionet tona negociuese në fushën e tregtisë së produkteve dhe përafrimit të legjislacionit. Në këtë mënyrë, nisja e negociatave në muajin tetor do të na gjen të përgatitur për të negociuar me shpejtësi dhe kualitet Marrëveshjen Stabilizim Asociimi.

Fundamenti

Planifikojmë që negociatat teknike të përfundojnë deri në pranverë të vitit të ardhshëm. Nuk parashohim shumë vështirësi gjatë negociatave, me përjashtim të negociimit të tregtisë me disa produkte sensitive për ekonominë tonë dhe përafrimit të legjislacionit në disa fusha të qeverisjes. Një nga çështjet e vështira do të jetë negociimi përafrimit të legjislacionit në fushën e ndihmës shtetërore që shteti i jep ndërmarrjeve publike, gjegjësisht ri-strukturimi i ndihmës shtetërore dhe përmirësimi i qeverisjes së ndërmarrjeve publike.

Sidoqoftë, konsideroj që ky është pikërisht shembulli më i mirë i ndryshimeve të ngadalshme, por rrënjësore, që sjell procesi i integrimit evropian. Kushtëzimi, i cili është thelb i procesit të integrimit evropian, do të ndërlidh avancimin në kuadër të agjendës evropiane me reformimin e ndërmarrjeve publike dhe ofrimit më të mirë dhe më të lirë të shërbimeve publike.

Përmbyllja e negociatave për MSA do të hap kapitullin e ri për procesin e integrimit evropian të Kosovës. Pas përmbylljes së negociatave, hapi i radhës do të jetë përmbushja e kënaqshme e marrëveshjes dhe aplikimi për statusin e vendit kandidat, si dhe nisja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Statusi i kandidatit do të sjell Kosovën në stad të njëjtë të procesit të integrimit evropian me shumicën e vendeve të tjera të rajonit dhe do të jetë një incentivë e fuqishme për Kosovën, por edhe për rajonin, për të vazhduar më tutje me reformat evropiane.

(Autorja është nënkryetare e PDK-së dhe ministre e Integrimeve Evropiane. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)