Fundamenti

Rruga për Bujanoc mund të asfaltohet kah fundi i qershorit, në Kllokot janë ndërprerë punimet, kurse rruga e Prishtinës po ec me hapa të breshkës

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Rruga në dalje të Gjilanit për Bujanoc megjithë protestat e ankesat e shumta të qytetarëve nuk pritet të asfaltohet para qershorit. Ndërsa rruga në drejtim të Kllokotit që gjithashtu po i terrorizon vozitësit është ndërprerë për shkak të problemeve në projekt. Edhe rruga në drejtim të Prishtinës është duke u punuar me hapa të breshkës.

Qytetarët gjilanas po edhe të Anamoravës në përgjithësi do të kenë shumë telashe për të hyrë dhe dalur në Gjilan për shkak të punimeve të ngadalta, që po zhvillohen në tri hyrje daljet.

Qytetarët çdo ditë po e humbin durimin, por si duket kompanitë nuk po brengosen as pas protestave që u mbajtën ditë më parë, e që u është dhënë ultimatum deri më 13 maj që të shpejtohen punimet.

Burimet tona nga Ministria e Infrastrukturës thanë se rruga në drejtim të Bujanocit nuk mund të asfaltohet para fundit të qershorit.

Fundamenti

Zyrtarët e komunës së Gjilanit ndërkaq janë jashtë këtyre rrjedhave derisa kryetari i Vitisë Sokol Haliti pothuajse çdo ditë bënë presion tek Qeveria që rruga Gjilan – Kllokot të përfundojë sa më shpejt që është e mundur.

Në rrugën në drejtim të Kllokotit ndërkaq nuk është duke u punuar fare për shkak të defekteve që janë shfaqur në projekt.

Edhe rruga në drejtim të Prishtinës po ecë me hapa të breshkës, madje qytetarët gjilanas kanë ironizuar nëpër rrjete sociale.

“Kalova aty pari dhe i pash 8 punëtor qëndronin në këmbë kurse vetëm një bagerist punonte. Me këtë ritëm as në vitin 2024 kjo rrugë nuk mund të përfundojë” ka ironizuar Mirsadi qytetar gjilanas./rajonipress/