Rruga “Nevzad Kryeziu” merr pamje të re, por qytetarët i reagojnë Alban Hysenit: “Kjo nuk është infrastrukturë moderne, por minimumi i kërkuar!”
Gjilan – Renovimi i banesave dhe shtrimi i rrugës “Nevzad Kryeziu” në Gjilan janë prezantuar nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni, si një tjetër ndryshim në infrastrukturën e qytetit. Megjithatë, postimi i tij në rrjetet sociale ka nxitur reagime të shumta dhe kritika nga qytetarët, të cilët kërkojnë më shumë investime dhe zgjidhje për problemet infrastrukturore në Gjilan.
Hyseni ka publikuar pamje nga rruga e renovuar, duke theksuar se pas ndërhyrjeve në banesa, edhe shtrimi i rrugës i ka dhënë kësaj pjese të qytetit pamjen që meriton.
“Punët nuk ndalen, sepse Gjilani po ndryshon çdo ditë!”, ka shkruar ai.
Por, jo të gjithë qytetarët e kanë ndarë të njëjtin entuziazëm me kryetarin.
Valon Salihaj, në komentimin e tij, ka vënë në pikëpyetje cilësimin e këtij investimi si infrastrukturë moderne.
“Çdo njeri që frymon e meriton mos me ecë n’lloç. Kjo nuk është infrastrukturë moderne, i nderuar, kjo është minimumi i kërkuar në një vend ku funksionon taksimi i të ardhurave dhe profitit”, ka shkruar Salihaj.
Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen e politikanëve ndaj projekteve infrastrukturore, duke thënë se shtrimi i një rruge me asfalt nuk duhet të prezantohet si standard i modernizimit të qytetit.
Edhe qytetari Moler Gipser ka kërkuar që komuna të fokusohet më shumë në qendrën e qytetit dhe rregullimin e hapësirave publike.
“O kryetar, lëri more këto rrugë pa krye ose këto rrugë qorre, po mirru me qendër se kur po dal në qytet nuk pe di a jam në Gjilan a ku jam. Puno qendër e liro rrugët”, ka komentuar ai.
Ndërkaq, Qemal Hajrullahu ka shprehur pakënaqësi për gjendjen e përgjithshme të qytetit dhe infrastrukturën në hyrjet kryesore të Gjilanit, duke përmendur veçanërisht rrugën për Preshevë dhe hyrjen nga Prishtina.
Komentet e qytetarëve tregojnë se, përtej investimeve të veçanta në lagje, një pjesë e tyre presin ndërhyrje më të gjera në infrastrukturën rrugore, rregullimin e qendrës dhe përmirësimin e pamjes së përgjithshme të qytetit.
Përderisa komuna e paraqet shtrimin e rrugës “Nevzad Kryeziu” si një tjetër hap në përmirësimin e infrastrukturës, reagimet në rrjetet sociale dëshmojnë se qytetarët kërkojnë më shumë sesa asfaltim të disa segmenteve: ata kërkojnë një Gjilan më të rregulluar, më funksional dhe me standarde të qëndrueshme urbane./rajonipress/

