RCCOLA

Rruga “Hasan Mekuli” dhe “Kadri Osmani”, shembull i neglizhencës së institucioneve

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Kanë kaluar pothuajse 4 vjet, e akoma nuk janë finalizuar punimet për rikonstruktimin e rrugëve “Hasan Mekuli” e “Kadri Osmani”.

Në fillim të muajit të kaluar, shpresat e banorëve të lagjes Fidanishte u zgjuan, me rastin e vazhdimit të punimeve në rrugën “Hasan Mekuli”. Kjo nuk zgjati shumë. Puna është ndalur sërish, pa ndonjë shpjegim.

Thirrjet për rregullimin e tyre vazhdojnë të trokasin në vesh të mbyllur të komunës, pavarësisht ankesave të banorëve të saj si dhe raportimeve të mediave, që prej vitit 2015. Madje, u cilësuan edhe si rrugët më të degraduara të qytetit nga vet zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës si financues të këtij projekti.

Në tetor të vitit 2019, Komuna e Gjilanit pati kontraktuar një kompani për rikonstruktimin e tyre. Kontrata thoshte se punët do të finalizoheshin brenda 24 muajve.

Megjithatë, edhe pas dy viteve nga përfundimi i kontratës, punimet nuk janë përmbyllur.

Siç ka raportuar RajoniPress në të kaluarën, kjo për shkak të neglizhencës së autoriteteve publike.

UBT

Në korrik të vitit 2021, është bërë asfaltimi i rrugës “Kadri Osmani” (ish Enver Miftari) me shtresën e parë. Që prej atëherë, ani pse vetëm 480 metra në gjatësi, asnjë punë tjetër nuk është kryer.

Qytetarët, sikurse edhe vetë banorët e kësaj lagje, e kanë të vështirë të qarkullojnë nëpër të. Nuk ka trotuar të rregulluar. Këmbësorët detyrohen të shfrytëzojnë trasenë e makinave si alternativ të vetme.

Shumë shoferë, jo vetëm nga kjo pjesë e qytetit, e përdorin trasenë e makinave si vend parkim. Kjo sjellje e tyre po e përkeqëson edhe më shumë situatën.

Sikur nuk do të mjaftonte me kaq. Ende pa u finalizuar, projektit në vlerë mbi 1 milion Euro, i janë shfaqur edhe dëme në infrastrukturën e re, në disa pjesë të saj.

Ky është një tjetër shembull i jo-seriozitetit të autoriteteve gjegjëse në menaxhimin e projekteve infrastrukturore, në ruajtën e pasurisë publike dhe aq më tepër në mos dhënie të llogarisë për vonesat si dhe dëmet e shkaktuara ndër vite ndaj taksapaguesve.

Përndryshe, përveç që kanë rëndësi për banorët e kësaj pjese, këto rrugë janë vitale për lidhjet që bëjnë me qendrën e qytetit si dhe rrugën qarkore, respektivisht me hyrjet në autostradë që priten të ndërtohen./rajonipress/