Rruga e Suharnës bëhet funksionale, realizohet ëndrra e mërgimtarit Sevdail Haziri

Gjilan – Rruga e Suharnës tashmë është bërë funksionale dhe është shtruar me zhavorr dhe kalimi me vetura e automjete tw rwnda është e kalueshme, falë investimit pothuajse vetanak të mërgimtarit të palodhur Sevdail Haziri. Sevdaili tash ndihet i lumtur për këtë investim familjar për të cilin thotë se ua ka dedikuar banorëve të Malësisë. Po shoh që disa familje veç kanë filluar të ndërtojnë villa e kampeshtëpiza në Suharnë dhe kjo më gëzon shumë sepse Suharna dhe Malësia është e gjallë vetëm me kthimin e banorëve shprehet Sevdaili.
Sevdail Haziri të premten ndihej tejet i gëzuar dhe i lumtur pasiqë rruga e nisur në vitin 2020 dhe e përfunduar me zhavorr këtë vit po bëhet e kalueshme për të gjitha automjetet.
Sevdail Haziri një mërgimtar i palodhur dhe i dashur për Malësisë thotë se shumica e investimit është familjar dhe ua ka dedikuar banorëve të asaj pjese. “Sot e përfunduam edhe me zhavorr dhe rruga është e kalueshme dhe funksionale. Jam shumë i lumtur që ëndrra ime u bë realitet dhe jam shumë i gëzuar që tashmë veturat po kalojnë dhe banorët kanë filluar të kthehen” shprehet Sevdail Haziri.
Haziri thotë për rajonipress se ai tash e ka kryer misionin e tij. “Ëndrra ime u realizua dhe tash pres nga familjet e atjeshme që t`i kthehen jetës dhe gjallërisë sepse vetëm kështu ka efekt dhe shpaguhet investimi im. Unë po dëgjojë që disa familje veç kanë filluar të ndërtojnë edhe villa, dhe besoj edhe unë shumë shpejt do të ndërtojë një shtëpi familjare atje” tha Haziri.
Haziri tha se së shpejti do të rregullohet edhe rruga tek lagjja e Tahiroviqe sepse edhe atje ka familje që kanë nevojë për rregullimin e infrastrukturës.
Sevdail Haziri ky mërgimtar me zemër të madhe nuk harron të falënderojë të gjithë ata që e kanë përkrahur aksionin e tij. “Vërtet u jam falënderues të gjithëve për përkrahje dhe mbështetje. Sot bile edhe Nagip Arifi më thirri dhe më përgëzoi për kontributin tim. Rruga është e të gjithëve dhe e rëndësishme është që ta bëjmë jetën realitet, pra fshati të bëhet i banueshëm dhe i gjallë” u shpreh Haziri.
Ndryshe aksioni, vullneti, dëshira dhe motivi i madh i Sevdail Hazirit dhe investimi i tij prej mijëra eurosh tashmë ka ngjallur shpresat e shumë familjeve shqiptare. Atje në Suharnë tash mund të jetohet, aty rruga është e kalueshme dhe banorët pritet t`i kthehen jetës e gjallërisë.
“A ka më mirë se ta shoh atë vend të gjallë, ta shoh vendlindjen time teksa mbushen shtëpitë e tymosin oxhaqet. E kemi amanet nga të parët tanë që t`i dalim zot tokës sonë. Çdo investim që e kam bërë për vendlindje, e kam bërë me zemër e me shumë dashuri sepse askund në botë nuk ka si vendlindja jote” shprehet me shumë emocione Sevdail Haziri.
Sevdail Haziri përmes Rajonipress ka shprehur falënderimin më të madh nga zemra për të gjithë ata që e mbështetën dhe e përkrahën në ëndrrën e tij. “Dua t`i falënderojë publikisht të gjithë ata që përkrahën këtë aksion, por edhe ata që nuk kanë pasur mundësi të përkrahin aksionin e rrugës së fshatit Suharnë, prapë i falënderojë nga zemra” u shpreh Haziri.
Sevdail Haziri ka dhënë një kronologji duke treguar se aksioni për rrugën e Suharnës ka nisur me 3 nëntor 2020 kurse me datën 10 dhjetor 2020 është mbyllur.
Aksioni ka nisur nga Çami te ledinat e Suharnës e ka kaluar nëpër fshatin Suharnë deri në rrugën e Zarbincës dhe është lidhur për çka edhe është realizuar premtimi i Sevdail Hazirit.
Haziri mendon se viti 2021 do të ndryshojë rrënjësisht në të mirë për Suharnën sepse shumë banor tashmë kanë shprehur dëshirën që të kthehen në vatrat e tyre stërgjyshore. “Shumë banorë të Suharnës janë pa dokumenta dhe arsyeja është se nuk kanë pasur kushte për të jetuar atje sepse në vitin 2000 aty është zhvilluar luftë dhe shumë familje tashmë ndodhen në Bujanoc ose në Gjilan” shprehet Sevdaili, i bindur se në vitin 2021 do të përfundojnë edhe projekte tjera që janë në interes të banorëve të atjeshëm./rajonipress/