“Rrjeti…” synon rolin e ombrellës së bizneseve shqiptare në Zvicër

“Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër” ka më shumë se 200 anëtarë.“Kemi mjaft biznese serioze të përfshira, disa prej të cilëve kanë bërë edhe investime në Kosovë”, thotë kryetari, Fehmi Fetahu.
Për kryetarin e odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliun, i ardhur enkas në takim, Rrjeti Bizneseve Shqiptare në Zvicër, është një organizim me premisa të mira për të fuqizuar bizneset shqiptare në Zvicër dhe për përcjelljen e investimeve dhe përvojave zvicerane në Kosovë. Ngjashëm është shprehur edhe ministri i diasporës, Ibrahim Makolli, i cili ka premtuar edhe mbështetjen e “Rrjetit…” nga Qeveria e Kosovës.
Hapi i parë i kësaj mbështejeje tashmë është bërë, ka thënë Makolli, pasi që “Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër” qysh tash ka në dispozicion zyrën në kuadrin e Ministrisë së Diasporës, ku do të vendoset përfaqësuesi nga “Rrjeti…”.
Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër, i themeluar pak muaj më parë, ka mbajtur të dielën në Altbyron të Lucernit mbledhjen e tij të parë me anëtarësi të gjerë. Në këtë takim që ka pasur për qëllim promovimin e këtij asociacioni të ri, kanë marrë pjesë edhe ministri i diasporës në Qeverinë e Kosovës, Ibrahim Makolli dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
Ministri Makolli ka përgëzuar themeluesit e “Rrjetit…” për guximin e tyre dhe ambiciet e treguara. Ai ka thënë se ministria që drejton, duke qenë e lidhur drejtpërdrejt me diasporën, do të jetë në krah të këtij asociacioni. Makolli po ashtu ka shfaqur besimin se shqiptarët e Zvicrës, jo vetëm me fuqinë e tyre financiare por edhe me kulturën e punës, të fituar në njërin ndër vendet më të zhvilluara në botë, do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Në prezantimet e bëra nga nënkryetari i parë i “Rrjetit…” Naser Mustafa dhe sekretari Skender Thaqi, janë elaboruar detyrat dhe objektivat e këtij asociacioni. “Të shërbejë si organizate ombrellë e të gjitha bizneseve shqiptare në Zvicër, të krijojë ura komunikimi mes bizneseve etj.” janë disa nga objektivat. Në mesin e qëllimeve të tij janë edhe lidhja më e ngushtë me Seco-n,(Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Ekonomi), bashkëpunimi me partnerët si Oda Ekonomike, “Start up Fondation”, Ministria e Tregtisë dhe industrisë, ajo e Diasporës, IPAK etj.
Një synim tjetër është krijimi i një mekanizmi për shkëmbimin e njohurive në mes diasporës e Kosovës. Kjo mendohet të bëhet përmes lansimit të një programi për kredi për projektidetë më të mira nga diaspora për investimet në Kosovë; pastaj nxitja e eksporteve të Kosovës në Diasporë, kanë theksuar veç tjerash Mustafa dhe Thaqi. Ndërsa nënkryetarja tjetër, Lirije Veselaj është ndalur në rekapitullimin e punëve të realizuara deri më tash drejt konsolidimit të rrjetit, që ende janë në fazën fillestare.
Kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, Fehmi Fetahu është shprehur i kënaqur me praninë e madhe dhe cilësore, siç ka thënë ai, të përfaqësuesve të bizneseve në këtë takim. Ai ka theksuar se prania e ministrit Makolli është tregues për mbështetjen që asociacioni do të ketë nga institucionet e Kosovës. Ndërsa sa i përket pranisë së kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, ai thotë se “Rrjeti…” tashmë ka partneritet të ngushtë me Odën dhe ka një zyrë në kuadër të saj.
Fetahu për albinfo.ch thotë të jetë shumë i përqendruar në punën me rrjetin që e drejton, i cili, sipas tij, tashmë ka më shumë se 200 anëtarë. “Kemi mjaft biznese të përfshira këtu, disa prej të cilëve kanë bërë edhe investime në Kosovë. Kemi edhe firma shumë serioze, ndonjë që ka edhe mbi 120 punëtorë, dhe në këtë aspekt jemi shumë të kënaqur”, thotë Fetahu.
“Ne i njoftojmë anëtarët tanë që, për problemet eventuale që u dalin lidhur me investimet në Kosovë të paraqiten te ne dhe ne do t`i adresojmë ato në bashkëbisedim me institucionet përkatëse të Kosovës, me komunat ku paraqiten ato probleme, me Odën Ekonomike etj.”, shprehet optimist Fetahu, duke numëruar shërbimet që i ofron subjekti i ri.
Një hap i dytë, sipas tij është që atyre që duan të investojnë në Kosovë t`u sigurohet nga fondet e këtushme 50% e shumës për investim, me kamata simbolike. “Jemi në fillim, dhe besoj se rezultatet konkrete do t i shohim pas sezonit të pushimeve”, ka thënë kryetari Fetahu.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu gjatë fjalës së tij ka thënë se pret shumë nga “Rrjeti…” në drejtim të fuqizimit të ofertës biznesore të shqiptarëve nga Zvicra.
Ai ka shprehur besimin e madh që ka për këtë asociacion duke rekomanduar që diaspora të heqë dorë nga politizimi dhe folklori, për tu përqendruar nga investimet dhe logjika ekonomike.
Të pranishmit u kanë shtruar pyetje të shumta krerëve të “Rrjetit” rreth asaj se çka mund të bëjë ai për t`i ndihmuar bizneset që shkojnë nga Zvicra në Kosovë. Disa nga ta kanë shfrytëzuar sidomos rastin e pranisë së ministrit Makolli në podium, për të drejtuar kritikat dhe pakënaqësinë e tyre me klimën e përkrahjes së bizneseve nga diaspora në Kosovë.
Një numër folësish u ankuan për korrupsion, për procedura të stërzgjatura dhe korruptive të regjistrimit të bizneseve, pastaj për pritje të paarsyeshme në dogana etj. Nga ana e tij ministri Makolli i doli në mbrojtje institucioneve, duke theksuar se kohëve të fundit ka një përparim të dukshëm në shkurtimin e procedurave për regjistrimin e kompanive në Kosovë.
Ai madje e ka klasifikuar shërbimin doganor të Kosovës si më efikasin në rajon, pasi që “aty pritet mesatarisht jo më gjatë se një minutë e gjysmë” etj.
Makolli edhe kësaj here, sikur në tubimet tjera, është përballur me ankesat e bashkatdhetarëve lidhur me pagesën për sigurimin e automjeteve në kufi të Kosovës. Ai ka përsëritur atë që dihej, se Kosova, duke mos qenë pjesë e OKB-së nuk mund të anëtarësohet në “Kartonin e Gjelbër” dhe për këtë arsye, të gjithë të huajt, përfshirë edhe kosovarët me qëndrim jashtë vendit, detyrohen të paguajnë për sigurimin e automjeteve të tyre./Blerim Shabani/albinfo/