Rritje e tarifës së mbeturinave për Gjilanin, Vitinë dhe Kamenicën

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Pasi Ferizaj vendosi rritjen e tarifës disa muaj më parë, tani po rriten edhe tarifat e grumbullim bartjes së mbeturinave në Gjilan, Viti dhe Kamenicë. “Për të siguruar mbarëvajtjen e mirëfilltë operacionale të ndërmarrjes dhe deponimin korrekt të mbetjeve në rajonin tonë, prej disa muajsh kanë vazhduar bisedimet me partnerët publikë dhe privatë të “Eco – Higjienës” për rritjen e tarifës“, thotë Senad Ramaj, Drejtor Ekzekutiv në “Eco – Higjiena”.

“Duke qenë se Ministria e Ekonomisë miratoi në dhjetor rritjen e tarifës së deponisë për gati 40% , unë si drejtor përgjegjës i ndërmarrjes, vendosa një masë të përkohshme emergjente për të siguruar mbarëvajtjen e përditshme të deponimit të mbetjeve deri në marrjen e një vendimi nga aksionerët. Kjo është arsyeja pse tarifa në janar ishte 6.50 € për amvisëritë, njëlloj si në Ferizaj“ ka sqaruar Senad Ramaj.

Sipas Gerhard Dummer në mbledhjen e aksionarëve të datës 10 shkurt 2023, pas një analize të situatës dhe konsultimeve intensive, shumica e partnerëve publikë dhe privatë, në përputhje me nenin 11 të Ligjit për PPP, miratuan rritjen e tarifës së mbeturinave në 6 € për amvisëritë, kurse për kompanitë dhe institucionet në varësi të kategorisë vendosën një rritje ndërmjet 20% dhe 24%. Kjo do të thotë se, vendimi i përkohshëm emergjent i drejtorit ekzekutiv është shfuqizuar dhe tarifat e reja do të vendosen për muajin shkurt”, ka thënë Gerhard Dummer, kryetar i Bordit.

UBT

“Rritja e fundit e pagave ishte para pandemisë. Me rritjen e tarifave që tani është vendosur, ne mund të paguajmë kostot më të larta të deponisë dhe të rrisim pagat e të punësuarve tanë“, thotë Senad Ramaj.

“Stafi ynë do të vazhdojë të punojë në mënyrën më të mirë të mundshme për qytetarët e rajonit tonë ndërsa kërkojmë, që të gjithë klientët të paguajnë rregullisht tarifat në mënyrë që të jemi në gjendje të kryejmë me përgjegjësi detyrat tona“, apelon drejtori Ramaj.

Kushdo që nuk është ende i regjistruar duhet të regjistrohet në “Eco – Higjiena”, shpejt në mënyrë që mbeturinat të hidhen në mënyrë korrekte. Hedhja e duhur e mbetjeve është e vlefshme për mjedisin dhe një kontribut i rëndësishëm për shëndetin e popullatës./rajonipress/