Rritja e vazhdueshme e çmimeve, shqetësim për qytetarët
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, çmimet e produkteve ushqimore si qumështi, vaji, buka, mielli, dhe sheqeri janë rritur me më shumë se 100%, duke krijuar një ngarkesë të madhe për qytetarët, veçanërisht për ata që janë në kushte të vështira ekonomike, raporton Ekonomia Online.
Për qytetarët, një nga shqetësimet kryesore është mungesa e kontrollit mbi cilësinë e ushqimeve që importohen, siç e shpjegon qytetari Ramadan Ahmeti, i cili thekson se ushqimet vijnë nga shumë shtete të botës dhe nuk ka një mbikëqyrje të duhur.
Ai për EO, gjithashtu thotë se mungesa e kontrollit mund të çojë në rritjen e sëmundjeve, duke shtuar se autoritetet nuk po e zgjidhin këtë çështje.
“Sa i përket ushqimit në Kosovë pas lufte nuk ka kontroll të mjaftueshme se ushqimi vjen prej gjithkah, madje vjen prej pulave e prej Brazilit e prej lloj-lloj mishrave, kontrolli në ushqim është i pamjaftueshëm dhe kështu argumentoj, shkojnë në shërbime ua ndërrojnë tiketat, afatet dhe popullata për këtë ka sëmundje se nuk ka kontroll të ushqimit, sa për sy e faqe dalin se sistematik të kontrollit nuk ka”, ka thënë Ahmeti.
Një qytetar tjetër thekson se 70 për qind e popullsisë është në varfëri, ndërsa të rinjtë po largohen nga Kosova për të kërkuar mundësi më të mira jashtë shtetit, duke lënë pas një popullatë të moshuar.
Sipas tij, papunësia është një problem i madh, dhe ai kritikon faktin që ekonomia e Kosovës mbështetet kryesisht në bujqësi të thjeshtë, siç janë patatet dhe perimet, duke mohuar zhvillimin e industrisë dhe të sektorëve të tjerë të rëndësishëm për ekonominë.
”Çmimet deri në hënë kanë shkuar, pensionet i ka rritur për 20 për qind, kurse prej vitit të 2011 nuk ka pasur rritje as rrogë, as pensione, popullata për 70 për qind është në skamje e mjerim, këtu shihet se të rinjtë kanë ikur, ka mbet vetëm mosha e vjetër të rinjtë shkuan në diasporë, punësime nuk kanë, të ardhmen se presin dhe duhet të ikin që të bëjnn zgjedhje. Unë isha në Gjermani atje ish luftë për punë në orën 7 deri në 12 të natës në punë, por këtu papunësi, thonë kemi bërë punësim çfarë punësimi krejt në diasporë i kanë dërguar, punësim në Kosovë nuk ka për arsye se fabrikat xeheroret i shitën i bënë rrush e kumbulla, ku të puënsohen me patate e e me lakëra, shteti nuk mbahet. Jo, shtetin e mbajnë fabrikat, xeheroret, hekurudhat, me patate me lakëra nuk mbahet shteti. Doganat është sikur të dalësh me zënë peshqi me grep, kështu është dogana e më këtë mburren se po e mbajnë shtetin, jo, shtetin pa punë nuk mbahet”, ka thënë ai për EO.
Sipas tij, Kosova krejt tokat “i ka zënë me rrush u kumbulla i ka bërë në Lipjan e Ferizaj”.
Ai thotë se ky rrafsh është zënë ku të shikosh me objekte që s’kanë peshë e vlerë për popullatë.
“Strategjia rrjedhëse e Kosovës është zero, këta punojnë për shkëmb e jo për shtet, shteti nuk zhvillohet kështu”, thotë ai.
Përveç kësaj, qytetarët shprehen të shqetësuar se rrogat dhe pensionet kanë stagnuar për një periudhë të gjatë, duke theksuar se nuk ka pasur rritje të këtyre pagesave që nga viti 2013, dhe kjo ka bërë që jetesa të bëhet e pamundur për shumë qytetarë.
“Për dikë nuk janë të shtrenjta kurrë se ka para të mjaftueshme, e për këta që i kanë kushtet më të vështira pa paga e për pensioner çmimet janë të larta, me një fjalë janë të pa përballueshme, kështu që s’ka bereqet kjo para hiç. Vazhdimisht ngritje të çmimeve po ka, jetesa gjithëfare “, thekson ai.
Sejdi Halimi, një tjetër qytetar, thekson se Qeveria duhet të ndërmarrë masa për të kontrolluar çmimet dhe për të krijuar rezerva materiale që mund të ndihmojnë në stabilizimin e çmimeve dhe mbajtjen e stabilitetit ekonomik.
Ai thekson se pa këto masa, çmimet do të vazhdojnë të rriten dhe do të bëhen të papërballueshme për qytetarët.
“Unë mendoj që çmimet çdo ditë janë duke u rritur e jo duke stagnuar, e rrogat kanë stagnuar prej vitit 2013 nuk ka pasur rritje të rrogave kjo është katastrofë, pra çmimet për ditë të papërballueshme, duhet të mendoj kjo Qeveri për këtë popullatë edhe të ketë një kontroll të çmimeve e jo me i rritë çmimet, të ketë rezerva materiale se nëse ka rezerva materiale atëherë le t’i ngrisin çmimet sa të duan se rezervat materiale e zbusin kështu që pa rezerva materiale shteti nuk mundet t’i frenojë këto ngritje të çmimeve”, ka thënë ai.