“Rritja” e Qeverisë ‘Mustafa’ sjell varfëri dhe papunësi
Ekspertët vlerësojnë se kjo rritje, që e proklamon Qeveria, nuk ka efekte në të ardhura, as në paga, as në të gjitha sferat e tjera, si: eksporti, punësimi, që është një plagë e rëndë për të rinjtë. Sipas tyre, propagandimi qeveritar është tendencë manipulimi e opinionit të gjerë.
Zhvillimi ka ngecur, korrupsioni dhe informaliteti lulëzuan
Ekspertët vlerësojnë se kjo rritje, që e proklamon Qeveria, nuk ka efekte në të ardhura, as në paga, as në të gjitha sferat e tjera, si: eksporti, punësimi, që është një plagë e rëndë për të rinjtë. Sipas tyre, propagandimi qeveritar është tendencë manipulimi e opinionit të gjerë, shkruan sot Gazeta Kosova Sot
Drejtues të dikurshëm të Odës Ekonomike të Kosovës, ekspertë të ekonomisë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës e kanë përgënjeshtruar Qeverinë kosovare për shifrat, që flasin për shkallën e rritjes ekonomike në vendin se gjoja është më e madhja në rajon.
Deputeti opozitar i Kuvendit të Kosovës, Bali Muharremaj (AAK), thotë se pohimet e pushtetarëve tanë që po trumbetojnë me të madhe se rritja ekonomike është më e madhja në rajon është edhe një gënjeshtër e radhës së Qeverisë së ‘Isa Mustafës’, sikurse që janë edhe shumë gënjeshtra të tjera. Sipas deputetit Muharremaj, po të ishte kjo rritje në vendin tonë, do të kishte një ndryshim për të mirë të gjendjes ekonomike të qytetarëve tanë dhe nuk do të kishim një eksod masiv të qytetarëve, sikurse që ishte ai i fundvitit 2014 dhe fillimvitit 2015, kur emigruan 130 mijë qytetarë në botën perëndimore.
Për deputetin Muharremaj, ky emigrimi i qytetarëve tanë që ka ardhur nga varfëria dhe papunësia është treguesi më i mirë se sa realisht ka qenë kjo rritje ekonomike. “Gënjeshtrat e Qeverisë ‘Mustafa’ për shkallën e rritjes ekonomike më së miri po i demantojnë të dhënat e Bankës Botërore dhe të FMN-së, sipas të cilave në Kosovë viteve të fundit nuk kemi pasur më shumë se 1 për qind rritje ekonomike”, u shpreh ai.
Mjedisi i përkeqësuar biznesor
Deputeti Muharremaj thotë se pengesa kryesore në bërjen e biznesit të ndershëm tek ne është edhe konkurrenca jo fer. Sipas tij, bizneset që janë të lidhur me pushtetin e dekadës së fundit dhe garniturës aktuale nuk po i lënë që të marrin frymë bizneset e tjera të ndershme dhe kështu konkurrenca po mbytet. “Pa eliminimin e të gjitha këtyre barrierave nuk do të kemi një zhvillim ekonomik, por as edhe një rritje ekonomike që me të madhe po e trumbetojnë pushtetarët tanë”, u shpreh ai.
Edhe deputeti tjetër opozitar, Enver Hoti, deputet nga Nisma, thotë se pohimet e pushtetarëve për një shkallë aq të lartë të rritjes ekonomike se është më e larta në rajon janë edhe një gënjeshtër e kulluar e kësaj Qeverie. Deputeti Hoti thotë se bazuar në të dhënat e ASK-së të prezantuara nga raporti “Bruto produkti vendor tremujor TM4 – 2014” del që rritja e vlerësuar ekonomike në vitin 2014 ka qenë vetëm 0.9 për qind. “Kjo është rritja më e ulët që është shënuar që nga paslufta në Kosovë. Madje kjo bie ndesh edhe me vlerësimet e institucioneve shtetërore, duke përfshirë edhe BQK-në, se rritja ekonomike në vitin e ka kaluar ka qenë mbi 2 për qind”, tha Hoti. Ai thotë se me këto shifra pajtohen edhe BB-ja dhe FMN-ja.
Rritje nga minusi
Eksperti i ekonomisë, Nazmi Mustafa, ish-kryetar i OEK-ut, tha se burimet e të dhënave, që janë në duar të qeveritarëve, siç janë ASK-ja dhe institucionet e tjera, shpeshherë janë instrumente politike më tepër sesa që janë domethënëse për një zhvillim ekonomik. “Në Kosovë që nga viti 2000 e këtej, baza në të cilën është llogaritur rritja ekonomike, ka qenë jo me zero, por nën zero, pra ka qenë me minus. Kjo do të thotë se nëse ju filloni nga një start shumë i dobët, atëherë mund të themi se keni një rritje më të madhe, por çfarë në të vërtetë tregon realiteti. Kjo rritje që ju e proklamoni nuk ka efekte në të ardhura, as në paga, as në të gjitha sferat e tjera, siç janë eksporti, punësimi, që është një plagë e rëndë për të rinjtë, si dhe shumë gjëra të tjera që lidhen me këtë. Andaj, propagandimi i Qeverisë aktuale se e kemi një rritje më të madhe në rajon, mund të them lirshëm se është një rritje mashtruese sesa që jep bazë reale për një zhvillimin ekonomik”, theksoi ai.
Mustafa ka komentuar pohimet e Bankës Botërore, që po thotë se më 2014 në Kosovë ka pasur vetëm 1 për qind rritje ekonomike, kurse Qeveria thonë se kjo është 3 për qind, duke dëshmuar se cila është e vërteta. “Në shtetet që kanë traditë në përcjelljen e rritjes së GDPsë, ekzistojnë institute që janë të certifikuara me standarde ndërkombëtare shkencore dhe profesionale dhe ato gjithmonë janë reale. Kurse tek ne mund të them se dallimet e shifrave të rritjes ekonomike të BB-së, FMN-së dhe të dhënave të vendorëve është një diapazon dhe një hendek, që tregon se nuk ka matje reale të rritjes ekonomike, sepse këto janë më tepër disa të dhëna të Qeverisë që nxirren në mënyrë provizore, por jo në aspektin as profesional, e as real, dhe që i shërbejnë kryekëput politikës ditore”, potencoi ai./kosova sot/


