Rritja e paralajmëruar e pagave për 15% për mësimdhënësit – ekspertët e shohin të pamjaftueshme

Rritja e paralajmëruar e pagave, me Ligjin e pagave prej 15 për qind për mësimdhënësit, nga njohësit e fushës së arsimit po konsiderohet si jo e mjaftueshme marrë parasysh krizën dhe rritjen e inflacionit në Kosovë.

Njohësi i arsimit, Argjend Osmani, tha për Ekonomia Online se Kosova është vendi më i goditur në Evropë nga inflacioni, pas Rusisë dhe Ukrainës të cilët janë në luftë.

Prandaj sipas tij, për këtë arsye rritja e pagës për 15 për qind për mësimdhënësit është e pamjaftueshme.

“Në situatën e krijuar pas rritjes enorme të inflacionit që mos të harrojmë që Kosova është pra prej vendeve më të goditura nga ky fenomen në Evropë, pas Rusisë dhe Ukrainës të cilët janë në luftë. Mendoj se shtrenjtimi që është bërë pastaj niveli enorm i papunësisë gjitha këto kanë ndikuar që themi se rritja prej 15 për qind është e vogël, gjithmonë duke pasur parasysh se rrogat e mësimdhënësve kanë qenë të pamjaftueshme për ta përballuar këtë krizë që është krijuar”, tha Osmani.

Sa i përket krahasimit të pagës se mësimdhënësve të Kosovës me rajonin, Osmani tha që pagat janë të përafërta mirëpo duke pasur parasysh inflacionin më të madh në vendin tonë kjo pagë është e vogël për ta përballur koston e jetesës.

Ai ndër të tjera shtoi se ngritja e pagës për mësimdhënësit do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në ngritjen e cilësisë në arsim.“Nëse i krahasojmë pagat e mësimdhënësve në Kosovë me rajonin nuk mund të themi që janë shumë larg në kuptimin e shumës që paguhen, në anën tjetër duhet ta kuptojmë se niveli i inflacionit te këto vende është më i vogël në krizën e krijuar, për këtë arsye e shoh të domosdoshme që këto paga të jenë të dinjitetshme në mënyrë që edhe mësimdhënësit të mund të përballojnë koston e jetës.“Kur flasim për cilësinë në arsim unë mendoj se duhet ta kemi parasysh që në të ndikojnë një numër mjaftë i madh faktorësh dhe është një proces multi-dimenzional. Nuk mund të themi se vetëm pagat e mësimdhënësve ose greva kanë ndikuar në cilësinë e arsimit, aty ndikojnë edhe numër mjaftë i madh i faktorëve të tjerë. Mendoj se rritja e pagave do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejt edhe në ngritjen e cilësisë, duke pasur parasysh motivimin e mësimdhënësve dhe angazhimin e tyre. Ka kaluar koha kurë mësimdhënësit kanë mbajtur disa punë për ta mbajtur familjen, duhet të mendojmë që tu krijojmë një jetë të dinjitetshme edhe për ta si shoqëri Kosovare që jemi”, tha ai.

Drejtori i Institutit “EdGuard” Rinor Qehaja, tha se rritja e pagës do të merrte kuptim nëse instalohen mekanizma llogaridhënës për punën e mësimdhënësit ose në të kundërtën kjo rritje nuk do të këtë efekt në cilësinë e arsimit.

Qehaja shtoi se do të ishte mirë që të kishte një rritje më të madhe në pagë për mësimdhënësit pasi që sipas tij ata meritojnë më të mirën.“Rritja në paga më ligjin e ri është substanciale në krahasim me profesione tjera, kjo dëshmon edhe për përkushtim institucional për një pagë të dinjitetshme për mësimdhënësit sikurse edhe e meritojnë. Mirëpo kjo pagë do të merr kuptim nëse instalohen mekanizma llogaridhënës për punën e mësimdhënësit, në të kundërtën rritja e tillë e pagës për të gjithë dyshoj që mund të ketë efekt cilësi në arsim”.“Në krahasim me vendet e rajonit, përfshirë, Shqipëri, Maqedoni e veriut, pagat e mësimdhënësve qëndrojnë përafërsisht të mira, dhe në krahasim me pagat e shërbyesve tjerë civil, por gjykimin më të mirë sa janë të mjaftueshme këto paga mund të e japin vet mësimdhënësit. Paga me rritje është pagë e mirë, por do të doja të shihja një rritje ende më të madhe – mësimdhënësit meritojnë më të mirën”.“Cilësia e mësimdhënies nuk ka ndonjë korrelacion me pagat, kjo është e keqja ne këtë situatë, pra edhe po të kishim rritje dyfish nga ajo që është zor që e njëjta të kthehet në një motivim më të madhe ose performances më të mirë – cilësia është subjekt i llogaridhënies dhe mekanizmave që sigurojnë cilësinë ne klasë, deri sa mungojnë nuk do të ketë efekt”, tha Qehaja.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS