Rritja e pagesave kesh për partitë politike po shihet si hapësirë për keqpërdorime

/ 5 minuta lexim

Rritja e pagesave kesh për partitë politike nga 50 në 500 euro në projektligjin e ri për financimin e partive politike po konsiderohet si mundësi për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve. Të paktën kështu thonë shoqëria civile dhe ambasadat e akredituara në Kosovë. Kurse hartuesit dhe shqyrtuesit e këtij projektligji e shohin si të arsyeshme këtë vendim.

I ashpër në ndryshimet e projektligjit është shprehur ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell.

Sipas tij, ndryshimet e bëra i kanë humbur kuptimin gjithë projektligjit dhe se rritja e pagesës kesh për partitë politike iu jep mundësi kontrabandistëve.

Duke u bazuar në gjitha këto, O’Connell ka thënë në “Fol hapur”, se nuk do të vazhdojnë të përkrahin KQZ-në.

“Hartimi i ligjit që është bërë nga shoqëria civile ka qenë shumë i mirë, por tash ndërhyrjet nga paritë politike ka filluar dhe ligji do të humb krejt kuptimin. Njëri prej sugjerimeve të partive është me lejuar rritjen e sasisë së parave që nuk mundet të kontrollohen, kesh të partive. Kush bën kontribut politik me këto para, kontrabandistët, kriminelët e bëjnë, pasi njerëzit normal nuk bëjnë ashtu…nëse vazhdojnë me ndërhy në draftligj, ne nuk do të vazhdojmë me përkrah KQZ-në, as me rekrutim dhe as me monitorim”, ka deklaruar, O’Connell.

Se ka të meta ky projektligj e thonë dhe shoqëria civile. Nga organizata “Çohu”, Arton Demhasaj shprehet se në dy aspekte negative draftligji i Qeverisë është ndryshuar nga grupi punues.

Sipas tij, është shtuar mundësia e madhe që partitë politike të keqpërdorin fonde dhe të korruptohen. Gjithë këtë, ai e konsideron se do të bëhet në bazë të rritjes së pagesave kesh për partitë politike nga 50 euro në 500 sosh.

Aspekt tjetër për Demhasajn është mungesa e transparencës për të dhënat financiare të partive politike.

Eco Higjiena

“ Ligji i ka obliguar partitë politike që çdo tre muaj me publiku të dhënat e tyre financiare, ose donatorët e tyre në ueb faqe të tyre. Këto me u përditësuar çdo tre muaj. Këtë grupi punues e ka ndryshuar dhe ka kërkuar që partitë politike mos me i publiku këto. Por vetëm me i dorëzuar tek kjo zyre. Në një mënyrë po i bie që prapë se parë kemi me pas mungesë të transparencës së mënyrës së financimit dhe me i pa financat e partive politike deri sa ato nuk publikohen në ueb faqe që me pas qasje të gjithë. Problem tjetër në që është shumë domethënës në këtë është çështja e kesh-it. Në draft ligjin e parë që ka ardhur nga qeveria ka qenë 50 euro kesh për persona fizik dhe juridik që mund të i dhurojnë për parti politike. Ne kemi kërkuar si Çohu që kesh-i të largohet komplet dhe të jetë e pamundur që kushdo që dëshiron me dhënë donacion për parti politike me i dhënë vetëm përmes transferove bankare, dhe jo përmes kesh-it. Në këtë rast kemi pasur një mos pajtueshmëri me grupin punues, i cili e ka hedhur poshtë rekomandimin tonë dhe 50 euro-shin e ka rritur në 500-euro kesh. Kjo është bajagi një mundësi e madhe për partitë politike që të korruptohen dhe keqpërdorin fonde”, thotë, Demhasaj.

Ndryshe janë shprehur ata që e kanë shqyrtuar këtë projektligj në komisionin për Buxhet dhe Financa. Kryesuesi i grupit punues, njëherësh deputet i LDK-së, Naser Osmani e ka mbrojtur këtë vendim, duke thënë se rritja e kesh-it është e arsyeshme sepse jepet në kohë të fushatës.

“Tash dhe të jesh donator në rrethanat çfarë ne veprojmë dhe të shkon të pret në rend në bankë të humb ditën për t’i dhënë një subjekti politik 50 euro, ne e kemi konsideruar se është një pengesë e financimit nga donatorët të partive politike dhe kemi rritur deri në 500 euro. Konsideroj që në 500 euro, si qarkullim i kesh-it është e arsyeshme sepse ajo jepet në kohën e fushatës. Ai që e jep duhet të jap një deklaratë të nënshkruar me të dhënat e veta dhe ai që i merr do të lëshoj një dokument që i ka pranuar ato para”, është shprehur Osmani.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtare e grupit punues të këtij ligji, Arbërie Nagavaci nuk e mohoi që atyre iu konvenon të rritet pagesa nga 50 në 500 euro.

Mirëpo, sipas saj ata kanë kërkuar që gjitha pagesat të bëhen në mënyrë transparente dhe përmes xhirollogarisë bankare.

“Për ne ka qenë rëndësishme që secila pagesë të bëhet në mënyrë transparente dhe përmes xhirollogarisë bankare, ka pas mendime të ndryshme se është ngarkesë e madhe se kjo nuk e rritë plotësisht transparencën”, ka thënë ajo.

Projektligji për Financimin e Partive Politike ka ndryshuar dhe disa aspekte të tjerë, ku Zyra për Certifikimin dhe Regjistrim ka hy në kuadër të KQZ, ndryshe nga draftligji i Qeverisë. Aspekti tjetër është se në kuadër të këtij projektligji ka kaluar amendamenti i PSD-së, ku pritet në 6 mujorin e ardhshëm ta marrin fonde nga KQZ-ja.