Fundamenti

Rritja e madhe e futbollistëve të Kosovës

/ 9 minuta lexim
United Hospital

Viti 2019 ka qenë i begatë për futbollistët e Kosovës si në nivelin ekipor, ashtu edhe në atë me përfaqësuese. Shumë prej tyre kanë pasur ngritje në vlerë sipas faqes së specializuar “Transfermarkt”, duke veçuar këtu Milot Rashicën, i cili është aktualisht më i vlefshmi me 35 milionë euro, i pasuar nga Vedat Muriqi me një vlerë prej 12 milionë eurosh, shkruan sot, gazeta “Zëri”

Meriton Bytyqi

Ani pse kanë kaluar vetëm pak më shumë se tre vjet prej pranimit të Kosovës në instancat më të larta të futbollit ndërkombëtar, si UEFA dhe FIFA, kjo nuk e ka ndalur Përfaqësuesen tonë të ketë ambicie të mëdha në garat më të mëdha të futbollit në botë.

Vitin e kaluar në krye me trajnerin zviceran Bernard Challandesin Përfaqësuesja e Kosovës ishte shumë afër kualifikimit në kampionatin evropian “Euro 2020”, ku në ciklin eliminator kishte në grup kombëtare si Anglia, Republika e Çekisë, Mali i Zi dhe Bullgaria.

Megjithatë, ëndrra nuk ka mbaruar, pasi Kosova e ka edhe një shans të dytë përmes fazës “play-off” të Ligës së Kombeve.

Natyrisht, e gjithë kjo ecuri e Kosovës në vitin 2019 ishte për shkak të formës së lartë që kanë treguar futbollistët, të cilët janë zhvilluar në masë të madhe në klubet evropiane, ku po zhvillojnë karrierë.

Futbollistët si Milot Rashica, Vedat Muriqi dhe Amir Rrahmani po kalojnë momente fantastike në klubet e tyre, ku janë shndërruar në futbollist kyçë.

Miloti po shkëlqen me Werderin, Muriqi po i mbyt kundërshtarët me gola në Turqi me Fenerbahçen, ndërsa Rrahmani është “Muri i Berlinit” te Hellas Verona.

Përveç tyre, formë të mirë në klubet e tyre po gëzojnë edhe futbollistët si Idriz Voca, Florent Hadërgjonaj, Edon Zhegrova dhe Herolind Shala.

Për shkak të kësaj vlera e tyre në tregun e transferimeve, sipas “Transfermarkt”, është rritur dukshëm, ku futbollisti më i vlefshëm i “Dardanëve” është Milot Rashica, me një vlerë prej 35 milionë eurosh, i ndjekur nga Vedat Muriqi me 12 milionë euro dhe Florent Hadërgjonaj me shtatë milionë euro. Kurse vlera e mbrojtësit fantastik nga Prishtina, Amir Rrahmani, është rritur në gjashtë milionë euro.

Milot Rashica, futbollisti më i vlefshëm i Kosovës

I dalë nga “lloçi” i Kosovës, por që po mahnit botën e futbollit me paraqitjet e tij mbresëlënëse.

Po flasim për Milot Rashicën, futbollistin 23-vjeçar nga Vushtrria, i cili po gëzon një formë mbresëlënëse te Werder Bremeni që prej ardhjes së tij në Gjermani nga Vitesse për 6 milionë euro.

Këtë edicion me Werder Bremenin Rashica ka shënuar nëntë gola dhe ka dhuruar tri asistime në të gjitha garat, duke qenë futbollisti më i mirë te skuadra e Florian Kohfeldt.

Edhe te Kosova Rashica ishte ndër më të mirët në vitin që lamë pas, duke shënuar dy gola, si dhe duke dhuruar një asistim.

Krejt kjo ka bërë që vlera e Rashicës të rritet nga 20 milionë në 35 milionë euro nga “Transfermarkt”, duke u bërë futbollisti më i shtrenjtë i Kosovës, por edhe i Werder Bremenit.

“Shpërthimi” i Vedat Muriqit

E nisi karrierën me entuziazëm te Liria e Prizrenit, por sot është futbollisti të cilit i frikësohet çdo mbrojtës në Superligën e Turqisë.

Vedat Muriqi ka kaluar pritshmëritë e tij që prej kalimit në Fenerbahçe nga Çaykur Rizespor, duke qenë golashënuesi më i mirë në kampionatin elitar turk me dhjetë gola të shënuar dhe me një asistim të dhuruar në 16 ndeshje.

Në vitin e kaluar sulmuesi prizrenas ishte vendimtar edhe me Kosovën, duke shënuar katër gola dhe duke dhuruar dy asistime.

Madje ai u shpall edhe futbollisti më i mirë për vitin 2019 në Kosovë nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Natyrisht, vlera e tij në treg ka shënuar rritje të madhe në tregun e transferimeve.

Nga tetë milionë euro sa kushtonte muaj më parë, tani 25-vjeçari kushton 12 milionë euro, gjithnjë sipas “Transfermart”.

Shkëlqimi i Amir Rrahmanit

Me përkushtim të madh, me pasion e me entuziazëm Amir Rrahmani e nisi karrierën te Drenica, duke vazhduar më pas te Partizani, RNK Spliti, Dinamo Zagrebi, Lokomotiva e Zagrebit dhe tani luan te Hellas Verona.

Sot atij i është shpërblyer i gjithë mundi i tij përgjatë gjithë karrierës, duke qenë njëri prej mbrojtësve më të mirë në Serie A-në italiane, aty ku mbron ngjyrat e Hellas Veronas.

Mbrojtësi prishtinas është titullar i padiskutueshëm te skuadra e Ivan Juric, duke qenë titullar në 18 ndeshje të zhvilluara deri më tani dhe me paraqitjet e tij ai e ka bindur Napolin që ta transferojë atë në afatin kalimtar veror.

Edhe vlera e Rrahmanit ka shënuar rritje në “Transfermarkt”, duke u vlerësuar tani me një shumë prej gjashtë milionë eurosh, tre milionë më shumë sesa që vlerësohej në tetorin e vitit të kaluar.

Hadërgjonaj, Celina e Voca

I ardhur te Kosova vetëm në muajin qershor të vitit të kaluar, Florent Hadërgjonaj e mori shumë shpejt besimin e trajnerit Bernard Challandes, duke u kthyer në një futbollist titullar dhe duke i zhvilluar pesë ndeshje në vitin 2019.

25-vjeçari nga Deçani ishte fenomenal si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm për “Dardanët” dhe kjo bën që ai të jetë njëri prej më të vlerësuarve te Kosova.

Edhe në Huddersfield Hadërgjonaj po kalon nëpër një formë të mirë këtë edicion, duke luajtur në 19 ndeshje në të gjitha garat. Nga gjashtë milionë euro sa kushtonte muaj më parë, sot vlera e Hadërgjonajt në “Transfermarkt” është shtatë milionë euro.

Njëri prej futbollistëve më të mirë që Kosova ka në dispozicion është edhe Bersant Celina.

Fantazisti nga Prizreni është titullar i padiskutueshëm në skuadrën e Challandesit, ku vetëm në vitin e kaluar u paraqit në nëntë ndeshje.

Si te Kosova, ashtu edhe te Swansea City Celina është i pazëvendësueshëm, duke u paraqitur në 25 ndeshje.

Ndryshim së fundmi në vlerën e tij në treg nuk ka pasur, por vlera momentale e tij është pesë milionë euro.

I nevojshëm e i vlefshëm te Kosova është edhe mesfushori Idriz Voca.

Në shumë ndeshje Challandesin e kundërshtuan për vendimin për të luajtur nga fillimi me 22-vjeçarin, por me cilësitë dhe me paraqitjet e tij Voca na dëshmoi të kundërtën.

Ai në vitin e kaluar luajti gjashtë ndeshje për Përfaqësuesen kosovare.

UBT

Ani pse në moshë kaq të re, Idriz Voca është zëvendëskapiten te Luzerni dhe këtë edicion ka luajtur në 23 ndeshje.

Vlera e tij në “Transfermarkt” llogaritet të jetë katër milionë euro.

Rritja e vlerës së Vojvodës dhe Zhegrovës

Vlera në tregun e transferimeve sipas “Transfermarkt” i është rritur edhe Mërgim Vojvodës.

Mbrojtësi drenicas, që paraqitet te Standard Liege, nga 1.5 milion tani kushton 2.5 milionë euro.

Ai ka zhvilluar nëntë ndeshje me “Dardanët” në vitin 2019, kurse me Standard Liegen në të gjitha garat, duke përfshirë edhe në Ligën e Evropës, është paraqitur në 22 ndeshje.

Edhe Edon Zhegrova është një xhevahir në vete për Kosovën.

20-vjeçari nga Prishtina u paraqit në nëntë ndeshje për Kosovën në vitin që lëmë pas, duke treguar gjithnjë cilësitë e tij në fushën e gjelbër.

Ndërkaq te Baseli, pavarësisht një fillimi të dobët, tani ai është kthyer në një futbollist titullar te skuadra e Marcel Kollerit, ku deri më tani ka bërë dhjetë paraqitje në të gjitha garat.

Vlera e tij në tregun e transferimeve është 1.5 milion euro.

Rënia e Valon Berishës dhe e Aro Muriçit

Ndonëse te Kosova futbollist titullar, Valon Berisha po kalon momente të këqija te Lazio në Serie A.

Mesfushori shqiptar është paraqitur në vetëm gjashtë ndeshje këtë edicion me Lazion në të gjitha garat, duke e humbur besimin e plotë të trajnerit Simone Inzaghit, i cili pritet ta largojë atë këtë muaj. Ndërkaq te Kosova u paraqit në gjashtë ndeshje vitin e kaluar, duke qenë njëri prej më të mirëve në formacionin e Challandesit.

Nga shtatë milionë euro sa kushtonte muaj më parë, Berisha tashmë ka një vlerë prej pesë milionë eurosh.

Nga ana tjetër, portieri i talentuar i Kosovës Aro Muriçi, edhe pse nuk ka luajtur në një ndeshje kampionate te Nottingham Foresti që nga muaji gusht, te Kosova është tiullar i padiskutueshëm, madje duke na shpëtuar në shumë raste.

Vlera e tij në treg është dy milionë euro, duke mos ndryshuar qe disa muaj.

Vlera e futbollistëve të Kosovës në “Transfermarkt”

Samir Ujkani 200 mijë euro

Arijanet Muriç 2 milionë euro

Visar Bekaj 225 mijë euro

Amir Rrahmani 6 milionë euro

Fidan Aliti 700 mijë euro

Mërgim Vojvoda 2.5 milionë euro

Florent Hadërgjonaj 7 milionë euro

Leart Paqarada 1 milion euro

Ibrahim Dreshviq 1 milion euro

Mirlind Kryeziu 1 milion euro

Idriz Voca 4 milionë euro

Anel Rashkaj 300 mijë euro

Besar Halimi 600 mijë euro

Valon Berisha 5 milionë euro

Bersant Celina 5 milionë euro

Florent Hasani 550 mijë euro

Edon Zhegrova 1.5 milion euro

Florent Muslija 3 milionë euro

Elbasan Rashani 700 mijë euro

Bernard Berisha 2 milionë euro

Vedat Muriqi 12 milionë euro

Atdhe Nuhiu 5 milionë euro./Zëri.info

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.