UBT

Rritja e korrupsionit, shqetësim për vendin

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Rritja në masë të madhe e korrupsionit po cilësohet si një njollë e zezë për të ardhmen evropiane të Kosovës. Ditë më parë, Instituti Demokratik i Kosovës, (KDI) dhe Transparency International Kosova (TIK) kanë publikuar “Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2013”, ku Kosova ka zënë vendin e 111-të në botë me korrupsionin më të lartë.

Shoqëria civile ka reaguar ashpër, duke kritikuar institucionet e vendit, të cilat, sipas tyre, kanë krijuar ligje të dobëta për parandalim të korrupsionit.

Avni Zogiani, drejtor në organizatën “Çohu”, ka thënë se institucionet e Kosovës kanë krijuar ligje të dobëta dhe këtë e kanë bërë qëllimisht.

Sipas tij, politika ka interesa nga korrupsioni, prandaj nuk ka asnjë iniciativë për ta ndryshuar këtë situatë.

Zogiani ka thënë se organizata “Çohu” ka dhënë sugjerime grupeve punuese të ligjbërësve, mirëpo këta të fundit, sipas tij, i kanë injoruar ato totalisht.

“Mënyra si janë bërë ligjet, e sidomos Ligji për Konfiskimin e Pasurisë e kanë pamundësuar parandalimin e korrupsionit. Ne këtë e kemi bërë të qartë. Natyrisht se ka edhe aspekte të tjera të rëndësisë së madhe të cilat i kemi propozuar, mirëpo vazhdimisht propozimet tona janë injoruar nga institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.

Uji Dea

Më tej, Zogiani ka thënë se për ndalimin e korrupsionit, ka plot mënyra, por, siç ka thënë ai, duhet nisur nga krijimi i një pushteti të fortë të pavarur në këtë fushë.

”Gjyqësia, por edhe Agjencia Kundër Korrupsionit deri sot nuk kanë pasur ketë pavarësi. Prandaj ka dështuar kjo luftë për largimin e korrupsionit”, ka thënë Zogiani.

Edhe Kenan Tora, koordinator i projekteve në organizatën “Fol”, ka thënë se pasi që Kosova renditet në vendin e 111-të në “Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit” për vitin 2013 të publikuar nga Transparency International, është mjaft shqetësuese, sepse tregon për rritjen e perceptimit kundrejt nivelit të korrupsionit.

Sipas tij, organizata “Fol” beson se rritja e transparencës dhe llogaridhënies janë mjete shumë efektive për të luftuar korrupsionin.

Në anën tjetër Astrit Kolaj, zëdhënës në këtë Ministri, ka thënë se Ministria e Drejtësisë në bazë të kompetencave që ka dhe në bazë të planit strategjik për hartim të legjislacionit, ka hartuar një numër të madh të ligjeve që kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit.