Rritet numri i aksidenteve në komunikacion

Aksidentet në komunikacion, të shkaktuara gjatë këtij viti janë në rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012. Megjithatë, aksidentet fatale për periudhën janar-nëntor 2013, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, janë në rënie.
Kështu u tha gjatë takimit të radhës të Këshillit Ndërministror për Siguri në Komunikacionin Rrugor. Sipas raportit janar-nëntor 2013, i cili u prezantua në këtë takim, ka pasur rënie të aksidenteve me fatalitet për 14.02 për qind, ndërsa numri i personave që kanë humbur jetën në këtë periudhë të këtij viti u tha se është më i vogël për 3.64 për qind.
Ndërkohë, numri i personave të lënduar për këtë vit thuhet se është në rritje për 13.82 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Po ashtu, u tha se zhvillimi i hovshëm i rrugëve, si dhe zhvillimi i industrisë së automjeteve e ka pasuruar dhe lehtësuar mirëqenien sociale të njerëzve për arritjen e shpejtë të lidhjes ndërmjet tyre si në aspektin ekonomik, ashtu edhe atë social. Me gjithë këto avantazhe që ka sjellë, zhvillimi i komunikacionit rrugor ka sjellë edhe mjaft probleme të tjera, siç janë aksidentet në komunikacionin rrugor dhe ndotja e ambientit.
Në takimin e këtij Këshilli njëzëri u miratua Strategjia për siguri në komunikacionin rrugor 2014-2020.
Ndërsa sa i përket planit të veprimit për siguri në komunikacionin rrugor, u tha se ky plan përbëhet nga 12 fusha prioritare, të cilat përmbajnë në përgjithësi 130 masa konkrete të sigurisë rrugore.
Fushat prioritare të Strategjisë për Siguri në Komunikacion dhe Planit të Veprimit janë: edukimi dhe fushatat për komunikacionin, edukimi, trajnimi dhe licencimi për shoferë, zbatueshmëria, fëmijët dhe të rinjtë pjesëmarrës në komunikacionin rrugor, pjesëmarrësit e moshuar në komunikacionin rrugor, këmbësorët, biçikletat, mopedët dhe motoçikletat, kamionët dhe autobusët, vendkalimet në të njëjtin nivel me hekurudhën, kujdesi pas aksidentit, infrastruktura, siguria e automjetit etj./Kosovapress/