Fundamenti

Rriten çmimet e produkteve bazë

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Çmimet e konsumit bazë janë ngritur duke e thelluar me të madhe krizën ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Shterja e xhepit të tyre për produkte elementare, është duke shkaktuar vështirësi të mbijetesës për një kategori të madhe të kosovarëve. Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vërtetojnë inflacionin e lartë për muajt që lamë pas.

Ngritja e indeksit të çmimeve të konsumit prej (4 %) e deri në (31 %) e ka varfëruar edhe më tepër xhepin e qytetarit të Kosovës.

Te indeksi i çmimeve të konsumit për muajin shtator ngritje të çmimeve vërehen te nëngrupet, p.sh. te pemët çmimi është rritur për (14,8%), te mishi çmimi është rritur për (3,4%).

Në indeksin e çmimeve të konsumit, rritje të çmimit ka pasur edhe duhani me (6,3%), kurse rritje enorme vërehet te shërbimet bankare me (31,0%).

Raporti i ASK-së, pasqyron të dhëna të ngritjes së çmimeve dhe te kafja, çaji dhe kakao me (3,6%), veshmbathjet me (2,4%), si dhe orenditë dhe aparaturat, qilimat dhe shtrojat tjera për dysheme (2,8%) me një ndikim të përbashkët prej 1,7 %.

Organizata për mbrojtjen e konsumatorit dhe qytetarët në Kosovë, kërkojnë nga institucionet që të ndërpresë këtë praktik ku po taton qytetarin dhe konsumatorin nga 2 deri në 3 herë.

Kryetari i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaqaniku, thotë se konsumatori kosovar është taksapagues dhe gjenerues i buxhetit të Kosovës pasi që Kosova mbi 90 % të produkteve i importon.

Uji Dea

“Kosova nuk ka treg të brendshëm dhe nuk ka ekonomi tregu të lirë dhe kjo ka bërë që këto çmime të rriten dhe të varfërojnë edhe më tepër konsumatorin”, ka thënë Kaqaniku.

Por, sipas këtij raporti të ASK-së, indeksi i çmimeve të konsumit pësoi rënie për -0,2% në muajin shtator, nëse e krahasojmë me muajin gusht 2013.

Rënie e indeksit të çmimeve të konsumit vërehet te drithërat me (-2,4%).

Por këtë rënie e kanë neutralizuar kryesisht nga ngritja e çmimeve te veshja (1,0%), drutë e zjarrit (6,5%), përdorimi i pajisjeve për transportin personal-(nafta dhe benzina) për (0,7%).

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, shprehet se në ngritjen e çmimeve, përveç ndikimeve globale, ka ndikuar edhe rritja e kërkesës.

“Rritja e çmimeve është si pasojë e rritjes së konsumit të përgjithshëm, si pasojë e ngritjes së çmimeve në bursë”, ka thënë Shahini.

Çmimet sipas këtij indeksi janë edhe më të larta për 0,2% në muajin shtator 2013 nëse i krahasojmë me muajin shtator të vitit 2012./zeri/