Rrezja, lufta, Krasniqi, Qosja dhe tregime të tjera

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Nga Halil Matoshi – Muajin shkurt Kosova feston pesëvjetorin e pavarësisë shtetërore, ndonëse ajo është e lirë që nga qershori 1999, mirëpo për shumë kosovarë vragat e luftës dhe të trishtimit janë ende të mëdha. Këto ditë në Tiranë janë botuar disa fragmente nga ditari i Rreze Abdullahut (vajzës ferizajase që gjatë luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë i kishte vetëm 9 vjeç), e cila kishte mbajtur shënime, në një fletore shkolle…

“Ne s’kemi me u tutë ma, kemi me jetu sikur n’krejt botën. Ne jemi gjallë. Ne po shkojmë te shpija. Krejt po qajnë prej gëzimit. Un e kam dijtë që liria asht e mirë, po jo kaq shumë!” – Kështu shkruan Rreze Abdullahu në ditarin e saj në vitin ’99 kur ajo ishte nëntë vjeçe. E po qysh e shohin sot lirinë e Kosovës politikanët e si fëmijët e luftës?

Muajin shkurt Kosova feston pesëvjetorin e pavarësisë shtetërore, ndonëse ajo është e lirë që nga qershori 1999, mirëpo për shumë kosovarë vragat e luftës dhe të trishtimit janë ende të mëdha. Këto ditë në Tiranë janë botuar disa fragmente nga ditari i Rreze Abdullahut (vajzës ferizajase që gjatë luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë i kishte vetëm 9 vjeç), e cila kishte mbajtur shënime, në një fletore shkolle…

Tashti Rrezja është studente e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Në këtë ditar përvijohet përshkrimi i luftës me sytë e një fëmije.

Në ditar janë edhe shënimet e datës 10 prill 1999, ditën kur Rrezja mbushte 9 vjeç.

Krejt fleta e ditarit i kishte bërë përshtypje publicistit Petrit Palushi, por sidomos fraza: “Unë veç s’po due me vdekë, po due me qenë gjallë… “, e cila ia kujtonte atij një varg të poetit të njohur Izet Sarajliq: “Të gjitha i kam provuar, përveç vdekjes”.

Në vitet e Luftës së Dytë botërore, Ana Frank dëshmoi për Holokaustin.

Në vitin 1999, thuajse 70 vjet më vonë, Rrezja dëshmoi për luftën, për peshën e saj dhe ushtarët e milicët mizorë serbë dhe ndonjë që, sipas saj, “dinte të qante”!?

”Sot asht 10 prill. (…) Sot ka shku mami te shpia, prej malit me marrë bukë, un kam ikë prej traktorit edhe kam shku te nji ushtar i Serbisë, që ka qenë tue na ruejtë. I kam thanë që e kam ditëlindjen edhe e kam vetë a kanë me na vra. Ai ja ka nisë me qajtë, unë gjith kam mendu që serbët nuk qajnë, unë jam tutë shumë edhe kam ikë shpejt, shpejt…”

Analogjitë s’janë të rastit dhe do të jenë të pranishme, derisa bota të çlirohet nga mendësia e Holokaustit.

Në librin e zi, “Udhëtim nëpër zhgjëndërr të keqe” e kam të botuar një copëz ditari, më pak se gjysmë flete, që mban po këtë datë, ditëlindjen e Rrezes, 10 prill, 1999, në të cilin unë kisha drojë për urinë e fëmijëve, pa më shkuar mendja se ndonjë fëmijë do ta kishte ditëlindjen po atë ditë dhe ndonjë serb do të qante për fëmijët e luftës…

“Sot ka arritur ca miell nga diku. Katundarët kanë ndërtuar një furrë provizore për pjekjen e bukës. Aty punojnë në dy ndërrime si të ishte një fabrikë buke. Për herë të parë, ndonëse hanim dy herë në ditë, ndoshta jam ngritur nga sofra gjysmë i uritur, duke dashur të kursej bukë për fëmijët, e kam ndier nga larg aromën e atyre kuleçve që po piqeshin në furrë.

Desha të avitesha e t’i thosha: E., që të më jepte një kulaç, por sërish i rashë mohit me drojën se në shkollën e fshatit përplot të zhvendosur, mund të ketë fëmijë të uritur. Por gjatë do ta ndiej atë aromë buke të sapopjekur… ndoshta një jetë njeriu!?”

Rrezes tashmë e rritur, tërë jetën do t’i kujtohen fjalët e së ëmës: “Mami na ka thanë nji ditë: “Lufta u ka rritë para kohe”. (…)

Një fëmijë 9 vjeç i vjen Kosovës nga lufta për t’i thënë të vërtetën: “Serbët kanë ikë prej Kosove. Kosova asht e lirë. E di, ne s’kemi shpi ma, s’kemi kurrgja, po ne e kemi Kosovën e lirë, Kosovën pa luftë. (…)”

Por a ka kush ta dëgjojë sot këtë të vërtetë kërcitëse?

Rrezes dhe fëmijëve të luftës u ishte premtuar edhe nga ish-Presidenti amerikan Bill Clinton dhe kryeministri britanik Tony Blair se “do të ktheheni në shtëpitë tuaja, të lirë”, kurse nga politikanët kosovarë u ishte premtuar liria dhe demokracia, shkolla më e mirë, kujdes shëndetësor i avancuar, vende pune dhe mirëqenie, perspektivë euroatlantike, udhëtim pa viza…

Rrezja dhe tërë fëmijët kosovarë e kanë dashur Kosovën dhe lirinë, e kanë ditur se liria është e mirë, “por jo kaq e mirë” – siç shprehet ajo!?

“”Ne s’kemi me u tutë ma, kemi me jetu sikur n’krejt botën. Ne jemi gjallë. Ne po shkojmë te shpija. Krejt po qajnë prej gzimit. Unë e kam dijtë që liria asht e mirë, po jo kaq shumë!”

“Lirinë nga frika” (Freedom from fear), ish-presidenti amerikan Franklin Delano Roosewelt e radhiste menjëherë pas lirisë së shprehjes, asaj të besimit dhe lirisë ekonomike, si njërën nga liritë thelbësore. Këtë e kishte bërë gjatë fjalimit inaugurues, më 4 mars 1933.

“E vetmja gjë prej së cilës duhet të frikësohemi është vetë frika – frika e papërshkrueshme, e paarsyeshme, e padrejtë, e cila i paralizon të gjitha përpjekjet që zmbrapsja të shndërrohet në ofensivë”.

Kush do të parashikonte se gati shtatëdhjetë vjet më vonë, shoqërisë së lirë kosovare do t’i “injektohej” tuta të cilën Rrezja e përjashtonte!?

Ndonëse këtë e pati pranuar vitin që shkoi ish-zëdhënës i UÇK-së, njëri nga themeluesit e PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ai mbeti pothuajse i vetmuar.

Uji Dea

“Shoqëria kosovare e ka një frikë për t’u shprehur, e ka një frikë për ta thënë mendimin e vet. Një gjë duhet ta dimë: forca kurrë nuk i ka mbajtur diktatorët, as nuk i ka krijuar. Frika lejon paligjësi, frika lejon që njerëzit të korruptohen, edhe moralisht edhe politikisht, edhe financiarisht…”

U desh të kalojnë katërmbëdhjetë vjet pas lufte, që nëpërkëmbjen e lirisë së kosovarëve ta hetojë dhe ta qortojë edhe akademiku Rexhep Qosja, i afërt me gueriljen e dikurshme çlirimtare, sot në pushtet. Ai thotë se do ta mbajë mend vitin 2012 edhe për rënien politike dhe shoqërore që në institucionet politike e shtetërore tregojnë ish të burgosur politikë duke i kaluar në heshtje edhe disa të këqija të rënda që po ndodhin në jetën tonë, në njërën anë, kurse duke u kapardisur me privilegjet e shumëllojshme, që po gëzojnë edhe vetë, në anën tjetër.

Ai ka besuar se ata nuk do t’i heshtin të këqijat që mund të ndodhin në Kosovë.

“Dhe, ky besim që kisha në ta, në ish të burgosurit politikë, dikur më bënte t’i mbroja prej atyre që u vinin gjithfarë etiketash dhe shkruanin kundër tyre si kundër armiqve të popullit! E shoh se paskam pasur shumë iluzione për ta, për përkushtimet e tyre ndaj së drejtës, së vërtetës dhe demokracisë!”

Katërmbëdhjetë vjet iu deshën këtij njeriu që të deziluzionohet dhe i kthjelluar të shohë katandisjen dhe zvetënimin e këtyre njerëzve deri në përmasat e krimit.

Në anën tjetër, një mik i Kosovës si ambasador britanik në Kosovë dikur, e tash i mbështjellë me dyshim nga kasta që e ka zaptuar shtetin, sepse ishte zëvendësshef i EULEX-it, Andy Sparkes, tha në këtë fillimvit se i takon popullit të Kosovës që të zgjedhë se kush do ta udhëheqë atë me anë të kutive të votimit, por duke u bazuar në një sistem të drejtë. Sipas tij, nuk kanë të drejtë absolute ata udhëheqës, që ishin udhëheqësit e luftës për çlirim, gjithmonë të jenë në pushtet dhe të kenë shokët dhe bashkëpunëtorët e tyre në pushtet. “E kam respektin më të madh për luftën, dhe për ata që ishin të përfshirë në të, dhe rreziqeve që ndërmorën, por tani që Kosova është shtet, të udhëhiqet ky shtet nga praktikat më të mira të Bashkimit Evropian, dhe për Bashkimin Evropian, të mos ketë më ligje ndaras, një ligj për të pushtetshmit dhe një ligj për të dobëtit…”, tha ai.

Më parë Jakup Krasniqi e tashti edhe Rexhep Qosja e pranojnë se ndihen të zhgënjyer, thjesht të trishtuar!

Po ashtu edhe një i huaj, Andy Sparkes, e di se Kosova është zaptuar nga një kastë njerëzish që sundojnë me ligje ndaras, një për të pushtetshmit e një për të dobëtit.

A e do vërtet kush këtë vend, apo që të gjithë janë shndërruar në rrenacakë e zhvatës?

Pyetni nëse njerëzit që jetojnë në këtë vend janë të lumtur?

Shumica e qytetarëve kosovarë kanë besuar se këto gra e këta burra që kanë shkuar në luftë për Kosovën gjatë viteve ’90, kanë për ta qitur në dritë Kosovën e Rrezes.

Kanë besuar me arsye!

Por janë zhgënjyer keq, po ashtu me arsye!

Ndoshta që nga fillimi shenjat nuk ishin aq ogurmira, por qytetarët do të kenë menduar se zaptuesit e shtetit sot, atëbotë ishin të rinj dhe se do të emancipoheshin.

E pse do të degradonin kaq shpejt dhe kaq rrënjësisht, se do ta përmbysnin pushtetin që buron nga populli, për popullin në pushtet personal, pakkujt mund t’i ketë shkuar mendja.

Është e pashmangshme në këtë shkrim ripërsëritja e një shembulli shkollor se si mbrohen shteti dhe liria.

Vitin e kaluar Mirela Holy, ministre më e reja në moshë në Qeverinë e re kroate, pati dhënë dorëheqjen nga posti ministror me arsyetimin se “me sjelljen time të pamatur i kam bërë dëme Qeverisë”.

Këtë fjali është dashur që qytetarët e Kosovës ta dëgjonin që moti nga liderët e tyre politikë, që nga Kryeministri e Kryetarja e shtetit, nga ministra e deputetë, nga prefektë komunash e zyrtarë të tjerë shtetërorë, që e kanë çoroditur drejtimin e shtetit.

Zyrtarët kosovarë tek qesin flakë nga goja si kuçedra përrallash në mbrojtje të atdheut, të kombit dhe të lirisë, kanë harruar luftën dhe përjetimet e Rrezes, e kanë shpërfillur idenë se një ditë, pos Krasniqit, edhe vetë Qosja do të ngrihet kundër tyre, e të mos flasim për Sparksin.

Në prapavijat e thella të metanarracioneve të shumë nga ish-luftëtarët e lirisë së Kosovës fshihen veprime që e kanë cenuar shtetin, sigurinë dhe lirinë (shumë nga ta janë shndërruar në armiq të lirisë) duke mos u ndalur sot së zhvaturi dhe së rrjepuri popullin e tyre, për të cilin, thoshin se po luftonin dje…

Statistikat flasin se në Kosovë rreth 150 mijë qytetarë kurrë nuk kanë gjetur një punë. Shumica janë meshkuj të moshës nën 35 vjeç dhe pjesa më e madhe e atyre që nuk kanë marrë rrogë asnjëherë janë me shkollë të mesme dhe të lartë. Ka dhe persona me shkollim pasuniversitar dhe me doktoraturë që nuk kanë punuar kurrë më parë, si Ardian H. të cilin derisa e ka kryer shkollimin e ka mbajt i ati kurse tash nuk arrin të gjejë punë. Për ekspertët e ekonomisë ky grup i të papunëve që nuk kanë punuar kurrë janë shtresë e të dëshpëruarve të cilët as që kërkojnë më punë. Kanë hequr dorë nga e drejta e tyre themelore, nga liria ekonomike.

E kemi ditur se liria është e mirë…

Por nuk e kemi ditur se ajo mund të vidhet nga çlirimtarët…