Rreziku Trepçë

Drejtuesit e Trepçës e quajnë të rrezikshme shpalljen e konkursit për kreditorë të kësaj ndërmarrjeje. Këshilltari në Trepçë, Shyqyri Kelmendi, thotë se mbi 90 për qind e kreditorëve që do të lypin hise në këtë ndërmarrje, janë kompani serbe, të cilat do të përfaqësohen pastaj në Komisionin e Kreditorëve.
E, ky komision do ta ketë edhe fjalën e fundit për fatin e ndërmarrjes.
Shpallja e konkursit për kreditorët e Trepçës nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, po shihet si e rrezikshme nga drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje.
Këshilltari në Trepçë, Shyqyri Kelmendi, ka tërhequr vërejtjen se mbi 90 për qind e kreditorëve që do të lypin hise në Trepçë, janë kompani serbe.
Të njëjtat, në bazë të Ligjit për AKP-në, do të përfaqësohen në Komisionin e Kreditorëve, i cili edhe do ta ketë fjalën e fundit për fatin e kësaj ndërmarrjeje.
“Dëmi më i madh që i bëhet Kosovës, është futja e Trepçës nën ingerencën e AKP-së, sepse e ka vendosur problemin nga njerëz që e njohin ndërmarrjen tek ata që s’e njohin atë. Mbi 90 për qind e kërkesave do të jenë kompani nga Serbia dhe Bordi i Kreditorëve do të përbehet nga këto kompani. Ky bord do të vendosë edhe për fatin e ndërmarrjes”, ka thënë Kelmendi.
Këto ditë AKP-ja ka shpallur njoftimin për afatin e kërkesave për të gjithë kreditorët pretendentë ndaj ndërmarrjes Trepça. Të shqetësuar me ketë proces kanë dalë edhe drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës. Ata kanë ftuar Qeverinë që të jetë kreditori kryesor i ndërmarrjes, pasi ka investuar rreth 100 milionë euro vetëm në dekadën e fundit.(express)