Uji Dea

Rreziku nga ‘territori i panjohur’

/ 5 minuta lexim

Nga Blerim Shala – Në ADN-në e Kosovës si shtet, është orientimi pro-perëndimor, që njeh ato dy dimensionet e saja: të qenit pro-amerikanë dhe pro-evropianë. Nuk bën ndryshe. E kanë bombardu Serbinë për ne, e tash nuk po munden me na e dhanë liberalizimin e vizave.

Ndodhë, siç është rasti me këtë fjali, që një njeri i rëndomtë (këtu është fjala për një taksist të Prishtinës), të përmbledhë emocion, vlerësim dhe bindje më shumë se sa një skenë e tërë politike.

Kemi të bëjmë me një hark kohor prej njëzet vjetësh të plota. Në pranverën e vitit 1999-të, Perëndimi / Aleanca Veri-Atlantike për herë të parë (shumëkush thotë, edhe për herë të fundit), shfrytëzoi gjithë fuqinë e tij ushtarake, e në vijim edhe atë politike dhe diplomatike, për ta shpëtuar një popull dhe një vend. Ishte diçka e pashembullt në Shekullin XX, i cili më së shumti u shqua me krimet e mëdha kundër njerëzimit të cilat nuk u parandaluan dhe nuk u ndërprenë. Në rastin e Kosovës, ndodhi pikërisht e kundërta.

Në dimrin e vitit 2019, nuk mund të gjindet një qytetar kosovarë që mund të merr vesh pse Evropa nuk po i lejon të udhëtojnë lirshëm në BE (në Zonën e Schengenit), siç bëjnë të gjithë qytetarët e tjerë të shteteve përreth.

Ata janë të bindur që ishte e drejtë, dhe e merituar (për shkak të vuajtjeve tona dhe tmerreve të shkaktuara nga pushteti i Serbisë), që Pakti NATO të luftojë për ne, njëzet vjet më parë.

Ata janë të bindur që është e drejtë, dhe e merituar (për shkak të kritereve të cilat janë përmbushur viteve të kaluara), që të udhëtojnë pa viza në Evropë.

Ata, natyrisht, nuk kanë detyrim ta dinë që merita dhe e drejta nuk bëjnë shumë punë në raportet ndërkombëtare në mes të popujve dhe të shteteve. Gjërat janë shumë më ndryshe në histori dhe në politikë. Këtë do të duhej ta dinë politikanët e një shteti. Edhe të Kosovës, gjithsesi.

Sidoqoftë, kjo periudha kohore njëzetenjëvjeçare (sepse preokupimi intenziv me Kosovën dhe me fatin e saj nisi në dimrin e vitit 1998-të, kur shpërtheu lufta këndejpari), në relacionet në mes të Kosovës dhe Perëndimit, njeh një vijë të njëtrajtshme të bashkëpunimit dhe miqësisë, e cila ishte vendimtare për çlirimin e Kosovës, për bërjen e shtetit të Kosovës dhe për njohjen e këtij shteti prej mbi 100 shteteve të Botës.

Natyrisht, siç është thënë shumë herë javëve dhe muajve të fundit, Evropa dhe Bota e sotit është larg një Gjithësi (e jo vetëm dy decenie), asaj të vitit 1999. Këtë duhet ta dinë politikanët e Kosovës.

Fidanishtja

Sidoqoftë, nëse mund të thuhet kështu, në ADN-në e Kosovës si shtet, është orientimi pro-perëndimor, që njeh ato dy dimensionet e saja: të qenit pro-amerikanë dhe pro-evropianë.

Nuk bën ndryshe. Çfarëdo mëdyshje e këtij orientimi, konteston me themel krye-identitetin e shtetit të Kosovës, i cili nuk ka mundur të bëhet dhe as që mund të mbahet pa këtë raport të veçantë dhe të domosdoshëm me Amerikën dhe me Evropën.

Kushdo që i ka përcjellë kohëve të fundit zhvillimet në Britaninë e Madhe rreth Brexit-it, pos tjerash ka mundur të familjarizohet me një koncept politik dhe diplomatik të definuar si: unchartered territory dhe unchartered waters.

Në këtë mënyrë, ata që po i druajnë një daljeje të pamarrëveshur të Britanisë së Madhe nga BE-ja (në muajin mars), po artikulojnë shqetësimin e tyre se çka do të mund të ndodhë krejt me këtë shtet, nëse largimi nga BE do të bëhet kokë në vete, pa dakordim me Brukselin.

Do të hyhej në atë rast, (në bazë të koncepteve të përmendura më parë), në një territor të panjohur, të pashkelur ndonjëherë, i cili si i tillë bartë në vete shumë rreziqe për stabilitetin politik dhe ekonomik të Britanisë së Madhe.

Duket që edhe në Kosovë, natyrisht, në rrethana krejtësisht të tjera, (ne duam të hymë sa më parë në BE dhe në Paktit NATO), jemi afër situatës kur mund të hyjmë në një ‘territor të panjohur’ sa i përket marrëdhënieve tona me SHBA-në, me Paktin NATO dhe me BE-në.

Aty-këtu madje, si ‘mbulesë mediatike’ e kësaj situate, kemi shkrime dhe vlerësime që spikatin Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran që mund të bëjë çka të dojë në këtë aspekt.

Diçka e tillë nuk qëndron as politikisht, dhe as legalisht. Edhe këtë do të duhej ta dinë politikanët e Kosovës.

Ne duhet të rrimë dhe të mbetemi në ‘territorin’ e njohur politik dhe diplomatik për Kosovën. Ndryshe, rrezikojmë tepër shumë.