Rreziku në derë të shtëpisë

Gjilan – Qentë që shëtisin lirisht, në grupe, janë bërë një pamje e zakonshme për qytetin e Gjilanit. Ata i sheh kudo në çdo pjesë e në çdo skutë. I sheh në semaforë, në shesh, në park, në oborre të shkollave, në oborr të spitalit, i sheh para policisë, para zyrës së kryetarit, në rrugë, në rrugica, madje edhe para derës së shtëpisë thotë Valmire Arifi nga Lëvizja “Vatra”.
Sipas saj ky fenomen është tepër shqetësues për shkak të rrezikut që mund të vije për qytetarët, qoftë nga kafshimi, qoftë nga rreziku i sëmundjeve që këta qenë mund të bartin, sepse nuk e besoj që janë të vaksinuar. Të rrezikuar janë veçanërisht fëmijët, ngase në vendet ku zakonisht ata luajnë, në lagje apo në parqe, qentë i ke aty me shumicë.
“Pos fëmijëve, hiq më pak të rrezikuar janë edhe të rriturit të cilët shkojnë herët në punë apo të cilët kthehen vonë prej pune nga prania e qenve në oborr të spitalit rrezikohen edhe punëtorët shëndetësorë, pacientët apo ndihmësit e tyre që dalin për të blerë ilaçe, vizitorët e kush jo. Madje edhe vetë policia, siç ishte rasti i një videoje të publikuar kur një kope qensh, në orët e vona, në qendër të qytetit i turrej veturave ( civile dhe atyre të policisë). Mjekët infektolog vazhdimisht na paralajmërojnë për sëmundjet e rrezikshme që vijnë si pasojë e kafshimit të qenve, natyrisht, nëse së pari shpëtojmë gjallë, por prapë kurrfarë aksioni nga institucionet përkatëse. Dëgjojmë për sulme qensh dhe vdekje të fëmijëve si pasojë e këtyre sulmeve gjithandej Kosovës, prapë institucionet rrinë duarkryq. Kërkojmë nga kryetari i Gjilanit që të veprojë sa më shpejt në lidhje me këtë problem serioz. E dimë që kjo për institucionet nuk është e lehtë, por edhe të qëndrojnë duarkryq është e papranueshme. A duhet njëherë që dikush ta pësojë e pastaj të veprojmë? A duhet të vidhet plaka e pastaj ti vihet shuli derës? Kërkoj nga institucionet kompetente që të ndërmarrin diçka e jo të lejojnë qentë të rrinë “këmbëkryq” ku të duan” është shprehur Valmire Arifi./rajonipress/