Mobi Casa

Rreth Ramushit dhe doktrinës “Ofrimi”

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Astrit Gashi – E kam një pyetje? A e keni menduar ndonjëherë se si do të dukeshit ju, familja, rrethi i miqve, e përfundimisht edhe i gjithë vendi ynë, sikur të gjithë përnjëherë t’i bindeshim, ta përqafonim e zbatonim doktrinën më të re të mendimit pozitiv, që na e solli Ramushi Haradinaj- atë të Ofrimit.

Ka gati një muaj që kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i sapoliruar nga çdo akuzë për krime lufte, po na e sjell përditë të lume, qoftë përmes intervistave, vizitave nëpër komuna e madje edhe tek familjarët e policëve që pësuan në mbrojtje të rendit e ligjit, një koncept të ri jo vetëm politik, por edhe shoqëror. Ramushi, si asnjë më parë, nuk po do me e marrë pushtetin e as me e rrëzua atë, por në frymën pozitiviste po “ofrohet” me u bë kryeministër dhe me “punu në të mirë të vendit”.

Pa dashur me e vlerësuar këtë “doktrinë” të re pozitiviste, e cila siç e kërkojnë “laboratorët ndërkombëtarë” së pari duhet të pritet, nëse do të zbatohet në praktikë e pastaj të testohet pas zbatimit efektshmëria e saj, nuk do mend për të konkluduar se ajo të paktën është një risi dhe si e tille na ka zënë në habi!

Ta pranojmë të gjithë në unison- është një “breakthrough”, një depërtim, një qarje e re kjo për ne qytetarët e vendit të mësuar me “fëlliqësitë” politike, ku secili është bërë kundër secilit dhe ku në lëkurën tonë përditë e shohim se në fakt në këtë vend një pozitë ose merret, ose grabitet, por assesi nuk të ofrohet, e rrallëherë madje suksesi është i bazuar mbi meritat.

Është kjo një formë pra e primitivizmit shoqëror. Andaj edhe me gjasë na ka zënë gafi l, madje ndoshta edhe vet Daut Demakun, babën kosovar të mendimit pozitivist, e së fundi edhe të konvertuarin e fundit në pozitivizëm, biznesmenin kontrovers Ethem Ramadanin.

Nuk kam biseduar me ta dhe nuk e di për siguri, por që mundet të jenë ndjerë të rrezikuar nga “doktrina” e Ramushit, ka gjasa të mëdha.

Pra, si do të dukej Kosova nëse secili të ishim ofruar për diçka?

Imagjinojeni një metalurg të sapodiplomuar, që hopa- hopa, me një palë dokumente të pështjelluar në xhep, të paraqitet në sportelin e Trepçës dhe të ofrohet për drejtor menaxhues, i bindur në aftësitë e tij që burojnë nga 10-shet e fakultetit dhe nga plani strategjik që e mban të mbështjellë në kuvertën e bardhë? A do të fillonte që nga dita e parë e punës së tij ky “gjigant” metalurgjik të eksportonte ari në tregun botëror? Nuk e di.

Mendojeni tash Arin e “Bamboo”, një kafiteri e kryeqytetit që pretendon se veç kur të hysh në të, de fakto je në Prishtinë- të ofrohet për ta marrë nën menaxhim një hotel a restorant publik, me qëllime të mira dhe krejt i bindur se do ta bënte po aq të suksesshme sa edhe lokalin që e mban dhe se për një gjë të tillë është totalisht e paarsyeshme që të pritet e të humbet kohë. Ndoshta edhe kish me dhezë!

Eco Higjiena

Paramendojeni tash arsimtarin e Kulturës fizike, në një shkollë në Kosovë, që i mbledh krejt nxënësit e prindërit e tyre, këshillin e arsimtarëve e madje edhe vetë drejtorin dhe ofrohet që ai vetë të bëhet drejtor për ta avancuar suksesin e nxënësve të shkollës në provimin e maturës!

Hala- hala, veç mendojini tinejxherët që i ofrohen një vajze që e simpatizojnë e i propozojnë që të jenë bashkë dhe tërë këtë punë e zënë të përfunduar, pa marrë parasysh mendimin e tjetrës palë. Madje nëse këtë formë të marrëdhënies, që gati se nuk ndalet këtu, por është një formë e përgjithshme e marrëdhënies shoqërore, atëherë na del që ai që ofrohet i pari dhe që i deklaron synimet e tij, zakonisht merr më së paku, në mos edhe humb që të gjitha.

Këto punë veç me zor nuk shkojnë.

Për të qenë fer sa të mundem, imagjinojeni tash një student që ka përfunduar masterin e gazetarisë duke më trokitur në zyre me ofertën për t’u bërë kryeredaktor në vend timin. Guximshëm po se po, çuditshëm po se po. Ndoshta edhe do të kishte sukses. Të paktën një jave ia kisha lënë në duar gazetën!

Këtu qëndron edhe problemi i doktrinës “Ofrimi”, aty krejt puna varet kush është në anën tjetër- pra pranuesit i saj. Këtu nuk është puna mirë me doktrinën e re pozitiviste “Ofrimi”. Personi që po i bëhet oferta, nga Kaçaniku, vendi i vetëm në Kosovë ku rriten palmat dhe kryetari i të cilit është diku në arrati nga ligji, Kryeministri “aktual” Hashim Thaçi po merret me rivizatime hartash e kufijsh dhe me toponime.

Ai nga atje vendosi të formojë një etnitet të ri “Vilajetin e Kosovës”, me kryeqytet Shkupin. Vilajeti ky më i ri virtual në glob pas Dominionit të Molchedezekut! Synimet duken të ndryshme, pra.

Por, nuk ka lidhje edhe ashtu, doktrina pozitiviste “Ofrimi” është alternative, madje edhe opozitare!Le të rrijë aty.

Siç e thonë Dire Straits në një këngë të tyre: Money for nothing, chicks for free (Pare për asgjë, e “pulat” falë) kështu është edhe puna e kësaj “Ofrimi”.

Para së gjithash, kjo ironi aspak personale , le të kuptohet si një ftesë për të mos bërë shaka edhe më tutje me ne qytetarët e Kosovës!