UBT

Rreth 4300 nxënës janë përfshirë në projektin e kontrollit sistematik

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Komiteti i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (KSHMS), të premten, është njoftuar me raportin e kontrollit sistematik të nxënësve të klasave të para, të pesta dhe të nënta në Gjilan, ku janë përfshirë rreth 4300 fëmijë. Projekti është realizuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare.

Jashar Jashari, kryesues i KSHMS ka thënë se kontrollimi sistematik ka për qëllim zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe problemeve shëndetësore te fëmijët e kësaj moshe si dhe trajtimin me kohë dhe adekuat të tyre. Rezultatet e këtij hulumtimi do të jenë tregues shumë i mirë për planifikimin dhe orientimin e politikave shëndetësore në të ardhmen, ka thënë Jashari.

Zejdush Tahiri, koordinator i projektit, ka thënë se janë vlerësuar 30 parametra mjekësorë për gjendjen e përgjithshme shëndetësore si dhe shëndetit oral. Fëmijët tek të cilët janë zbuluar sëmundje ose çrregullime të caktuara, do të referohen për hulumtime të mëtutjeshme tek specialistët përkatës në institucionet shëndetësore.

Është hera e parë që QKMF-ja bënë vlerësimin e gjendjes shëndetësore të nxënësve në këtë komunë, me një projekt të detajizuar, përmes matjes së kaq shumë parametrave, të cilët në mënyrë gjithëpërfshirëse japin një pasqyrë të plotë mbi shëndetin e nxënësve.

“Pas analizës së rezultateve, kemi nxjerr edhe rekomandimet me qëllim jo vetëm të sanimit të problemeve dhe sëmundjeve të identifikuara, por edhe për krijimin e politikave shëndetësore, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore”, ka thënë Tahiri.
Është konstatuar se nxënësit nga qyteti kanë një përqindje më të lartë të sëmundjeve dhe patologjive tjera se sa nxënësit nga fshatrat, në disa parametra. Me higjienë jo të mirë janë identifikuar 12 nxënës nga qyteti, kurse 2 në fshatra, me pediculozë – 281 nxënës në qytet, 125 në fshatra, me deformime të boshtit kurrizor – 21 nxënës në qytet, 4 nxënës në fshatra, me deformitet të kraharorit – 72 nxënës në qytet, 27 nxënës në fshat, me deformitete skeletore – 2 nxënës në qytet, ndërsa në fshatra nuk ka pasur asnjë rast.

Eco Higjiena

Me probleme të të pamurit janë identifikuar 113 nxënës në qytet, 29 në fshatra, kurse me probleme në të dëgjuar – 7 nxënës në qytet, 5 në fshat. Devijime të hundës kanë pasur 317 nxënës nga qyteti dhe 93 nxënës nga fshati. Me probleme të zemrës janë identifikuar 2 nxënës në qytet, ndërkaq në fshatra nuk ka pasur asnjë rast e kështu me radhë.

Kurse sa i përket shëndetit oral, gati se në të gjitha shkollat, si ato në qytet, po ashtu edhe në fshatra, janë identifikuar probleme te dhëmbët e përhershëm. Po ashtu, nxënësit nga qyteti, kanë më shumë probleme edhe me dhëmbë.

Tahiri ka thënë se ekipet mjekësore, pas identifikimit të gjendjes dhe përpunimit të të dhënave, kanë dhënë edhe rekomandimet si duhet vepruar më tej. Sipas mjekëve, në shkolla duhet të vazhdohet me edukimin shëndetësor mbi rëndësinë e higjienës. Duke qenë sa ka pasur raste me deformitete të boshtit kurrizor, po ashtu është rekomanduar që të gjendet një zgjidhje për qantat e rënda të nxënësve.

Diskutimit i kanë kontribuuar edhe Nexhat Halili, njëherësh anëtar i ekipit mjekësor, Sami Ahmeti, Veton Uka, Agron leka, Mirvete Kurteshi e Fatbardha Selmani.

KSHMS ka kërkuar që Komuna të ndajë një linjë të përhershme buxhetore për projektin e kontrollit sistematik të nxënësve, sepse realizimi i tij është shumë i rëndësishëm./rajonipress/