UBT

Rreth 40 milionë euro për kompensimin e ish të burgosurve

/ 2 minuta lexim

Kompensimi për ish të burgosurit politikë do t’i kushtojë miliona euro Qeverisë së Kosovës. Ky kompensim, sipas përfaqësueseve të Qeverisë së Kosovës, do të sillet rreth 40 milionë euro. Zv/ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ramadan Avdiu, ka thënë se ende nuk është bërë përllogaritja se sa do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës ky kompensim, për shkak se ende nuk dihet sa është numri i ish të burgosurve politikë të cilët kanë vuajtur nëpër burgjet serbe.

Megjithatë, ai beson se kjo shifër nuk do të kaloj 40 milionëshin. “Ne jemi pajtuar 100 për qind me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) që ta bëjmë kompensimin. Sa i përket kostos, do të bëhet vlerësimi dhe do të dihet saktësisht pasi të përfundojë periudha e përmbylljes së kohës së aplikimit. Aty do të dihen edhe për ditët e qëndrimit dhe komisioni qeveritar do ta nxjerrë koston, mandej ajo do të shpërndahet për disa vite. Ne llogarisim se nuk do të jetë as sa gjysma e 100 milionëshit”, ka thënë Avdiu.

UBT

Duke folur rreth mënyrës se si do të bëhet kompensimi, zv/ministri Avdiu ka thënë se ka shumë propozime në lidhje me këtë çështje, mirëpo, sipas tij, për këtë punë do të vendosë Qeveria e Kosovës.(Tribuna)