Rreth 30 mijë euro kompensim për 710 ditët në burgjet e Serbisë

141 ish të burgosur, pjesëtarë të të ashtuquajturit “Grupi i Gjakovës”, kanë ngritur padi civile për kompensim të dëmeve jomateriale për kohën që kanë kaluar në burgjet e Serbisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pak ditë më parë një gjykatë në Serbi për herë të parë ka marrë vendim për këtë kompensim. Albert Koshi sipas vendimit të gjykatës serbe do të përfitojë 30 mijë euro për kohën e kaluar në burg.
Albert Koshi nga Gjakova pritet që t’i përfitojë rreth 30 mijë euro për 710 ditët e kaluara në burgjet e Serbisë. Koshi është ish i burgosuri i parë shqiptar, i cili e ka fituar të drejtën e kompensimit të dëmit jomaterial në vlerë financiare.
Shteti i Serbisë ka pranuar që t’ia bëjë këtë kompensim gati pas 15 vjetëve kur ka arrestuar Koshin dhe 155 qytetarë të tjerë nga Gjakova. Këtë e ka konfirmuar për gazetën avokati Teki Bokshi, i cili ka qenë që nga fillimi avokat i të ashtuquajturit “Grupi i Gjakovës”.