Rreth 19 mijë persona presin për punë në regjionin e Gjilanit
Gjilan – Sipas Zyrës Komunale të Punësimit, për nëntë muaj janë punësuar vetëm 397 punëkërkues.
Rreth 19 mijë persona presin për punë e numri i punëkërkuesve ka shkuar duke u rritur nga viti në vit. Në Zyrën e Punësimit në Gjilan, aktualisht janë të regjistruar 18.886 punëkërkues, pa llogaritur komunat tjera të regjionit. Besohet se ky numër është dyfish më i madh, por jo të gjithë lajmërohen në këtë ent, meqë nuk shohin shpresa për punësim.
Ismet Mustafa, këshilltar në Zyrën Komunale të Punësimit, thotë se brenda këtij nëntëmujori janë punësuar vetëm 397 punëkërkues. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur numri i punëkërkuesve ishte 18.483, janë punësuar 288 persona. Kërkesat për punë mbeten të larta, ndërkohë që mundësitë, sado që po shtohet numri i bizneseve të reja, mbeten të kufizuara. Mbi 1.110 familje jetojnë nga asistenca sociale, kurse mbi 120 raste kanë probleme banimi. Komuna e Gjilanit, sivjet, përmes një aksioni humanitar, ka arritur të ndërtojë 23 shtëpi si dhe t`i rinovojë 40 të tjera.
Edhe, Agim Zuzaku, drejtor i Zhvillimit Ekonomik, thotë nga pikëpamja e krijimit të kushteve sa më të mira për bizneset, nuk mungon angazhimi i pushtetit lokal. “Jemi duke punuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes zhvillimit lokal dhe mbështetjes së bizneseve në ofrimin e shërbimeve sa më të mira”. Edhe në këta nëntë muaj është punuar në ngritjen e nivelit të zhvillimit ekonomik lokal duke përkrahur bizneset e vogla dhe të mesme në thithjen e granteve. Përndryshe, për këtë periudhë kohore janë regjistruar 403 biznese të reja në Gjilan, ku në 81 prej tyre pronare janë femrat. Këto biznese, sipas deklarimit të tyre, kanë punësuar 660 punëtorë të rinj, ose më pak se 2 punëtorë secili prej tyre. Edhe pse numri është simbolik, trendi është pozitiv dhe shpresëdhënës, ka thënë Zuzaku./rajonipress/


