UBT

Rrënimi i logjikës

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Blerim Shala-Zhurmë e piskamë po na shkon kjo verë politike, plot ide të gabuara dhe përplasje të shumta, të cilat nuk do të sjellin farë ngritje të cilësisë politike.

Që prej se Kosova është bërë shtet, nuk ka pasë më shumë nevojë për mendim të matur e të pjekur politik, e ky mendim është një minoritet politik në vend. Nuk ka pasë më shumë nevojë për bashkëpunim dhe koordinim politik, e të paktë janë ata që njëmend duan diçka të tillë. Zhurmë e piskamë po na shkon kjo verë politike, plot ide të gabuara dhe përplasje të shumta, të cilat nuk do të sjellin farë ngritje të cilësisë politike, por vetëm sa do të paralajmërojnë mundësinë reale që vjeshta në Kosovë të jetë edhe më e keqe, edhe më e mbrapshtë.

A i bën kujt përshtypje ky fakt? Vështirë. Po flasim, natyrisht, për skenën politike të Kosovës.

Javën e kaluar ta zëmë, dëgjuam një ‘xhevahir’ politik që na mbërriti prej PDK-së, me këtë përmbajtje. PDK është gjithsesi e interesuar që ta ndërtojë një konsensus politik në përgatitjen për tu përballë me sprovën politike të quajtur Veriu i Kosovës, por nëse diçka e tillë nuk do të jetë e mundur, atëherë, PDK është e gatshme që të hyjë edhe në një proces të ri të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Kjo parti që udhëheq me vendin nuk i druan ballafaqimit me votuesit.

Katër gabime logjike dhe politike vërehen në këtë qëndrim politik, gjithsesi testues dhe provokues për situatën aktuale politike në vend.

Së pari, paralajmërohet dështimi në mbërritjen e një pajtimi politik rreth çështjes së Veriut, ende pa bërë përpjekje serioze në këtë drejtim, të cilat në radhë të parë njohin përgjegjësinë e institucioneve qendrore të vendit.

Së dyti, i thuhet, në këtë mënyrë, Perëndimit i cili përmes emrave të Hillary Clinton dhe Catherine Ashton e ka ndërmend ta trajtojë këtë temë të rëndësisë sipërore për Kosovën, që këndejpari është lëmsh puna, dhe natyrisht, fillimi i çfarëdo dialogu me Beogradin në këtë gjendje, për lidershipin e tanishëm të Serbisë është i mirëseardhur. Sa më të përçarë që jemi, aq më keq do të ndahemi. Derisa në Serbi, fituesit e zgjedhjeve po thonë që duhet të ketë konsensus midis të gjithë partive kryesore, ndër ne po thuhet që në mungesë të konsensusit, mund të ketë zgjedhje të reja.

Së treti, organizimi i supozuar i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, shtynë për 6-9 muaj (së paku) gjithçka në këtë përpjekjen e planifikuar të Washingtonit dhe Brukselit për ta mbyllur, po që se diç e tillë është e mundur, temën e Veriut pa dëme për Kosovën (kjo temë ka njëqind pyetje të mira me pak përgjigje të po të njëjtës cilësi).

Politika kosovare duhet ta definojë interesin e saj, për ta nisë apo zvarritë më tej zgjidhjen e çështjes së Veriut. Faktet na thonë që shtyrja nuk sjell gjë të mirë, apo, thënë ndryshe, është me më shumë rrezik se sa përpjekja për zgjidhjen e saj. Se rreziqet janë të pashmangshme, çfarëdo qoftë që do të zgjedhim. Kështu është kur nuk punohet si duhet.

Së katërti, pyetja që del në sipërfaqe është kjo: Si është paramenduar organizimi i zgjedhjeve të reja parlamentare, pa e kryer reformën zgjedhore, e cila ka dalë si domosdoshmëri pas gjithë atyre matrapazllëqeve të bëra masovikisht në zgjedhjet e dhjetorit, 2010?

KKVITI

Të hyhet prapë në votime me po të njëjtën logjikë të mbrapshtë si në dimrin e vitit 2010, do të thotë ta thellosh edhe më shumë krizën e legjitimitetit politik në vend, e cila pastaj mund të dëmtojë më themel shtetin e Kosovës.

Më në fund, reforma zgjedhore është klasifikuar qartë nga Brukseli si një kriter kyç për një Raport pozitiv në Studimin e fisibilitetit, prandaj, dështimi këtu do të ketë pasoja të menjëhershme për relacionet e Prishtinës me Bashkimin Evropian.

Pse atëherë veprohet kështu, mbrapsht dhe pa mend? E pse jo? Nuk kushton gjë që disa ditë të lume të Kosovës të humben kot së koti në trajtimin e një propozimi të këtillë, të cilit, ndryshe, i rri mirë edhe kërkesa që Presidentja Jahjaga të jep menjëherë dorëheqje nga posti i Presidentes së vendit. Poqëse diçka e tillë aprovohet nga Jahjaga (e kjo gjë duket që nuk po i lë fare përshtypje Presidentes), atëherë, edhe përmes kësaj dere të pasme politike, hyhet në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse me Kushtetutën aktuale, vendi nuk mund të mbetet pa President. Zgjedhjet janë të mundshme edhe nëse vetë Qeveria organizon Mocion të mosbesimit ndaj vetvetes, siç ishte rasti në vjeshtën e vitit 2010.

Nuk ia vlen, mbase, të shkohet më tej në analizimin e të gjitha pasojave politike për Kosovën, po që se njëmend do të ndodhte ajo çfarë nuk duhet të ngjajë, dhe as që mundet, po që se vetëm pak respektohet Agjenda politike e Kosovës, që njeh përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, ndryshimin e Kushtetutës dhe të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, trajtimin e çështjes së Veriut.

Me këtë Veri çfarë e kemi, me këtë bazën ligjore që e kemi për zgjedhje, me këtë atmosferë të rënduar politike deri në skajshmëri, zgjedhjet do të shndërroheshin në burimin e krizës më të rëndë të Kosovës që prej pavarësimit të saj.

A është e ditur kjo për të gjithë skenën politike të Kosovës? A po kuptohet që qytetarët e Kosovës kanë gjithnjë e më pak besim (këtë po e vërtetojnë edhe të gjitha hulumtimet), tek politikanët e Kosovës, që përherë e më shumë i druajnë ardhmënisë së tyre në këtë vend?

Nuk është pra vështirë të mbërrihet tek këto konkludime. Janë fare të logjikshme. Por logjikë ka shumë pak në këtë politikën kosovare. Kush mërzitet për te. Mësa për interesat jetik të Kosovës.

Autori është:

Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express.