Rrëmbimi i policëve, Abdixhiku Kurtit: Dobësi thirrja për ndihmë nga aleatët pasi je poshtëruar

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë në veri nga forcat serbe, duke thënë se për lirimin e tyre, “bashkërendimi dhe përafrimi me aleatët është i paalternativë”.

Ai ka kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Albin Kurti, të cilit i ka thënë se “dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar”, raporton Express.

“Për këtë lirim, bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i paalternativë. Prandaj, sot, bie dhe perdja e naiviteti popullist që këtë bashkërendim e shihte si dobësi. Dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar.

Kosova nuk e meriton një ditë të tillë. Sot, kërkojmë përgjegjësi politike institucionale nga Kryemnistri dhe vartësi i tij. Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri”, ka shkruar Abdixhiku.

UBT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kanë dyshime se pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë arrestuar nga ushtria e Serbisë dhe se kjo është bërë si hakmarrje prej Serbisë për arrestimin e djeshëm të Millun Millenkoviqit.

Kurti ka thënë që hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është “agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”.

Kryeministri ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ka ftuar faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.

“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor dhe ftojmë faktorët ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”, ka shkruar Kurti.