Fundamenti

Rrëfimi që duhet treguar

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Ka shkruar dhe vazhdon të shkruajë nëpër mediat e huaja për Kosovën me synimin për të ndryshuar ca paragjykime ndaj saj. E pasionuar pas veprës së Kadaresë, vazhdon të ketë bindjen që shqiptarët kanë një rrëfim për të treguar, prandaj ka realizuar mjaft reportazhe nga Kosova.

Medina Abazi, gazetare e TV Arte –versioni austriak, flet për Gazetën Express.

Express:Keni shkruar për shoqërinë kosovare në media të huaja, kryesisht ato në Austri. Si do ta përshkruanit ballafaqimin e parë me realitetin në Kosovë?

Medina Abazi: Thjesht si një shok kulturor. Mendoja që isha mësuar me shumë gjëra nga udhëtimet e mia, psh në Iran, (vendi prej nga është nëna ime), por Kosova, shikuar për herë të parë, ishte krejtësisht përvojë e re.

Mbaj mend verën e 2008, kur erdha në Kosovë me familje. Babai im nga Kosova kishte vendosur që ne fëmijët t’i njihnim rrënjët tona. Sinqerisht ishte diçka që më pëlqeu, si ato dashuritë në shikim të parë.

Megjithëse babai juaj është nga Kosova, keni qenë e përgatitur të përballeni me një ambient të këtillë?

Është tjetër gjë të jesh me familje këtu, tjetër vetëm. Të qenët me familje këtu nuk të jep mundësinë të eksplorosh, sidomos anët e këqija.

Do thosha që kam qenë në dijeni pak a shumë se çfarë më pret këtu prejse kisha rastin të hulumtoja vetëm, por Kosova më mahnit për çdo ditë e më shumë. Sa herë që mendoj se di çdo gjë përreth këtu, shfaqet surpriza e radhës.

Vini nga një shoqëri liberale si Austria. Cilat kanë qenë përvojat tuaja në Kosovë?

Ajo që e dallon shoqërinë kosovare prej asaj austriake, pos tjerash, është mikpritja, por mos më keqkuptoni. Austriakët janë të këndshëm gjithashtu, por ajo aq miqësorë nga shtrëngimi i dorës për herë të parë. Këtu njerëzit të bëjnë të ndihesh si në shtëpi.

Jam rritur në Austri, shkollimin, shoqërinë e kam aty, por gjithnjë e ke ndjenjën që nuk i takon atij vendi, nuk je pjesë e asaj shoqërie.

Kosovarët i respektojnë të huajt, shprehin kureshtje, duan të dinë… kjo të bën të ndihesh e mirëseardhur këtu.

Cilat kanë qenë përvojat tua më të mira/këqija gjatë punës këtu?

Fundamenti

Përvoja më e mirë ka qenë që asnjëri nga të cilët kam kërkuar ndihmë këtu gjatë reportazheve të mia nuk ka ngurruar të më ndihmojë. Të gjithë, nga fëmijët që shesin cigare rrugëve deri te presidentja, nuk kanë ngurruar të flasin me mua, duke dhënë pak nga koha e tyre për projektet e mia. Në këtë mënyrë më kanë ndihmuar të shfaq para botës potencialet që ka ky vend. Do t’i falënderoja të gjithë për këtë.

Nga ana tjetër, përvoja më e keqe është kërcënimi që u shfaqet fëmijëve këtu. Çdoherë që shoh fëmijë mahnitës teksa shesin cigare e sakëza në vend se të jenë në shkollë, diçka vdes nga brenda. Është si ndjenjë faji, ngase do të ndihmosh, por nuk mundesh. Shpresoj njerëzit përgjegjës për këtë të marrin ndonjë hap për të zgjidhur këtë problem.

Nga këndvështrimi juaj, cili është dallimi mes shoqërisë kosovare nga ajo perëndimore, ku jeni rritur?

Të qenit i drejtpërdrejtë, natyrisht. Prejse udhëtoj gjithandej, kam vënë re që jo vetëm në Kosovë, po njerëzit nga jugu përfshirë Greqinë, Turqinë deri te Irani dhe Italinë, Spanjën deri në Portugali kanë pasion të merren me thashetheme. Kjo nuk ndodh në perëndim. Askush nuk flet për vajzën e fqinjit.

Cili është opinioni juaj për të rinjtë këtu, veçanërisht në Prishtinë, të cilët në shikim të parë duket se kalojnë shumë kohë nëpër kafene?

Gjatë qëndrimit këtu, kam vënë re që të rinjtë kanë të njëjtat probleme si në Stamboll, pak a shumë. Janë mes traditës dhe modernes. Të rinjtë mes 18 e 30 janë mjaft të hapur këtu, dalin argëtohen tamam si në perëndim. Po në mëngjes sapo ta dëgjojnë zërin e myezinit, pas party-ve, ndiejnë se duhet t’u binden ca rregullave të mentalitetit. Është e vërtetë që rrinë shumë kafeve të rinjtë këtu, por s’ka ndonjë gjë tjetër për të bërë këtu. Për këtë duhet të mendojnë politikanët gjithashtu.

A ofron Prishtina mjaft ngjarje kulturore (përveç festivalomanisë) që të rinjtë të kenë një qasje në jetën kulturore, pos kafeneve?

Do të ishte jo e drejtë të fajësohej Prishtina për këtë. Ndoshta shprehitë e të rinjve kanë ndryshuar, them jo vetëm këtu por gjithandej, ngase përballen me shumë gjëra duke filluar nga teknologjia, jeta sociale etj. Në këtë kontekst, duket sikur me më qejf i diskutojnë këto çështje kafeneve sesa të shkojnë të luajnë tenis psh. Po t’u përmenden librat, teatri etj; shumë të rinj ndoshta do të qeshnin me këtë. Gjithnjë më duket interesante si nuk i mërzit i njëjti muhabet në të njëjtin vend tërë kohën!

Keni pasur rastin të takoni të ashtuquajturit ‘yje televizioni’. Çfarë mendoni për ta? A të duken sikur lexojnë tepër?

Nuk do i quaja ‘yje’, janë thjesht njerëz që bëjnë punën e tyre. Ma ha mendja çdo doktor bën diçka më të rëndësishme se këta. Kur vjen puna të krahasohen me kolegët e tyre nga Austria, dallimin e bën profesionalizmi dhe kaq. Çka është për të ardhur keq, fakti që nga bukuria e tyre varet fakti nëse do bëjnë karrierë në tv. S’e kam idenë për shprehitë e tyre të të lexuarit, por nga përvoja 9 nga 10 prej tyre nuk i përgjigjeshin nivelit të bisedës, nivel që kërkojnë projektet e mia. Duket sikur më të përqendruar janë te buzëkuqi e takat e larta sesa të çojnë dëm kohën duke lexuar Kantin.

Jeni prezantuese në një TV prestigjioz, nganjëherë keni shkruar dhe për trendë të modës. Çfarë ngjyrash shihni në rrugët e Prishtinës?

E vërtetë. Pasioni për stilin ka qenë gjithnjë. Prandaj provoj të kap diçka nga kjo në rrugët e Prishtinës. S’mund të them ngjyrën dominuese, por njerëzit këtu i japin rëndësi veshjes, e dinë që mënyra e të veshurit është pjesë e shfaqjes së personalitetit.

Më duhet të them se jam e impresionuar, veshje si në Vjenë, Berlin apo Paris.