UBT

Rrëfimi i një viktime të dhunës

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Emri i saj i vërtetë është i njohur për redaksinë. Ajo ka kohë që është strehuar në Qendrën për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës, pasi është përndjekur nga shtëpia e bashkëshortit të saj. Me zë të ngjirur dhe sy të përlotur vazhdimisht, Linda fillimisht tregon se si është rrahur nga bashkëshorti i saj.

“Më ka goditur me duar e me grushte. E kohët e fundit më ka thënë se do të më mbysë krejt; deshi ta marrë thikën… ka tentuar të më godasë edhe me thikë. Vjehrri e ka thirrur policinë në atë rast, policia ka ardhur dhe ka ndërhyrë”, tregon Linda për Radion Evropa e Lirë. Martesa e saj me bashkëshortin ishte me vetë dëshirë dhe problemet me të kishin nisur vetëm pas pak kohe, fillimisht me grindje. Ky është rrëfimi i një gruaje rreth të njëzetave, e cila vjen nga një qytet i vogël i Kosovës. Ajo ka pësuar dhunë familjare nga bashkëshorti. Për arsye sigurie dhe privatësie, Radio Evropa e Lirë i drejtohet me emrin Linda.

Në intervistë ajo ka treguar se burri e ka rrahur në prani të vjehrrës dhe vjehrrit i cili e ka lajmëruar policinë. Këta të fundit sipas Lindës vetëm e kanë marrë në pyetje bashkëshortin e saj me të cilin janë duke pritur edhe një fëmijë. Linda ka rrëfyer se ka disa muaj që është shtatzënë dhe thotë se para saj janë dy zgjidhje.

Uji Dea

“Tash i kam vetëm dy zgjidhje; ose ta marr beben unë ta rris, ose t’ia lë atij, kurse unë të kthehem te familja ime. Tash jam duke menduar cilën, derisa të më bëhet një zgjidhje. Babai im po thotë kur ta lindi fëmijën, duhet t’ia lë atij dhe të shkoj të jetoj te shtëpia e babait. Por, tash jam lidhur shumë me beben dhe s’di kah t’ia mbaj”, thotë Linda.

Ajo vazhdon të jetojë në QMGF dhe thotë se është qetësuar paksa nga ato ditë që ajo i përshkruan si shumë të mundimshme. Kjo femër e re, viktimë e dhunës në familje u bën apel të gjitha femrave që mos ta durojnë dhunën. Sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e grave, por edhe sipas autoriteteve të rendit në Kosovë, numri i viktimave të dhunës ndaj grave, konsiderohet të jetë shumë i madh. Kohët e fundit institucionet kanë angazhuar edhe udhëheqësit fetarë që të shfrytëzojnë ndikimin që kanë për të bërë thirrje kundër dhunës ndaj gruas.