Uji Dea

Rrëfimi i Jahjagës për Kosovën

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga , gjatë qëndrimit në Britaninë e Madhe ka mbajtur një fjalim para shoqatës debutuese OXFORD UNION. Ajo ka folur gjerë e gjatë për përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Jahjaga ka thënë se ndjehet e privilegjuar që është gruaja e parë Presidente nga Evropa Juglindore që ndan me të pranishmit rrëfime të rëndësishme duke ndjekur kështu gjurmët e shumë personaliteteve të shquara – produkte të inspirimeve, bashkëveprimeve njerëzore, e po ashtu edhe të rrethanave tragjike dhe të frikshme, të cilat kanë definuar jetët e miliona njerëzve në këtë kontinent dhe më tej.

Presidentja Jahjaga duke folur për proceset historike nëpër të cilat kaloi Kosova, tha se gjatë periudhës së ndërrimit të mileniumeve, Kosova ishte një fushëbetejë.

“Kësaj radhe, ndërsa Federata Jugosllave po shpërbëhej dhe ndërsa Serbia lansoi agjendën e saj nacionaliste të krijimit të Serbisë së Madhe, një kampanjë e represionit filloi në Kosovë, si kundërshtim i vullnetit të shumicës së saj shqiptare për të formuar shtetin e tyre të pavarur, rrugë kjo e ngjashme me rrugën e ndërmarrë nga shumica e republikave jugosllave”, tha ajo.

“…Kosova dhe veprimtaria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një force guerile e cila mundohej ta shkëpuste Kosovën nga kontrolli i Serbisë dhe të krijonte një shtet të pavarur, u ballafaquan me një dhunë që nuk përjashtoi askënd. Civilët u bënë cak i spastrimit etnik nga regjimi serb, dhe NATO-ja – për herë të parë në tërë historinë e saj – intervenoi për të mbrojtur civilët duke zbatuar premtimin e Evropës dhe botës demokratike që të mos lejojë gjenocidin të ndodhë më kurrë”, tha Presidentja, duke potencuar se ky intervenim humanitar u shndërrua në precedent për krijimin e normës së përgjegjësisë për të mbrojtur, ose për të intervenuar në mbrojtje të viktimave të vrasjeve masive dhe shkeljeve të rënda të të drejtave njerëzore nga vetë shteti.

“…Në vitin 2008 ne shpallëm Kosovën vend të pavarur, duke kurorëzuar kështu angazhimet e gjeneratave të tëra të kosovarëve që të jenë zot të fateve të tyre. Gjatë gjashtë viteve të kaluara, jemi fokusuar në realizimin e këtij vizioni”.

“Perspektiva drejtë BE-së ka dëshmuar të jetë mjet i paimagjinueshëm i transformimit në një rajon i cili shpeshherë i ka rezistuar ndryshimit. Dhe unë besoj që ndodhemi para një momenti të cilin duhet ta ruajmë dhe ta avancojmë më tej, ne si rajon po ashtu edhe BE-ja, si një garanci e vetme e progresit të cilin e kemi arritur, si dëshmi solide se ne tashmë kemi mësuar nga e kaluara. Dhe këtu qëndron dallimi kryesor”, tha presidentja.

“Rruga jonë drejtë BE-së është kushtëzuar me aftësinë tonë për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore në Ballkan, të cilat nënkuptojnë respekt për vlerat që përfaqësojnë shoqëritë tona dhe respekt për integritetin e vendeve tona respektive. Marrëdhëniet e mira nuk ndërtohen vetëm me nënshkrim të marrëveshjeve, por me anë të implementimit të tyre dhe pranimit të pavarësisë së vendeve tona”, tha Jahjaga, duke potencuar se marrëdhëniet në mes të vendeve te Ballkanit vazhdojnë të mbesin të brishta, të rënda dhe plot mosbesim.

UBT

“Ne duhej të gjenim forcë dhe kurajo për të adresuar atë që ishte gjëja më e vështirë e dekadës së kaluar, hapjen e kapitullit të pajtimit politik me Serbinë dhe akomodimin e komunitetit serb i cili jeton në pjesën veriore të Kosovës, i mbajtur peng nga hezitimi i Serbisë për të pranuar realitetin e Kosovës së pavarur. Ishte kjo bindja me të cilën ne iu qasëm dialogut me Serbinë”, tha presidentja, duke nënvizuar se sialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA është mënyra e vetme për të rifilluar marrëdhënien tonë si palë të barabarta.

Ndër të tjera Jahjaga tha se “Në këtë proces ne kemi kërkuar përfshirje politike dhe shoqërore. Dialogu ishte investim madhor i cili tejkalon kufijtë ideologjikë dhe politikat ditore. Pasi, unë besoj fuqimisht, se ai i përcakton rrugët tona dhe prek jetën e secilit qytetar”.

“…Gjatë vitit të kaluar ne kemi arritur marrëveshje për shpërbërjen e strukturave ilegale serbe të cilat vepronin në veri”, tha Jahjaga, duke përmendur edhe rezultatet e tjera të marrëveshjeve të arritura në dialog.

“…Nuk mund të ketë as përparim e as anëtarësim ne BE për asnjërën nga vendet aspiruese pa zgjidhjen e problemeve që qëndrojnë në mes nesh. BE-ja nuk është vend në të cilin ne zgjidhim problemet tona, por një forum në të cilin ne i kontribuojmë ndërtimit të ardhmes të së përbashkët evropiane dhe në të cilin dallimet tona transformohen në përparësi, dhe ku bashkëpunimi ynë është një vlerë e rëndësishme për të gjithë anëtarët e këtij unioni”, tha ajo.

Jahjaga tha se “ Tani jemi duke u fokusuar në nevojën për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në sundim të ligjit. Vendosmëria jonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar duhet të përkthehet në veprime konkrete, sepse ne nuk dëshirojmë të shndërrohemi në një pikë të zezë në hartën e Ballkanit”.

“…Perspektiva për anëtarësim e rajonit, e cila na unifikon të gjithëve, duhet të mbizotërojë mbi çfarëdo dyshimi rreth qëndrueshmërisë së politikës së derës së hapur, sepse kjo perspektivë ka prodhuar rezultate të prekshme, aty ku para një dekade ndryshimet ishin të paimagjinueshme…”, tha ajo.

“Është një mundësi unike, dhe ju ftoj të gjithëve që të mendoni për potencialin që ky rajon ka për një paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Evropë. Për t’i dhënë fund armiqësive në Ballkan. Për një mundësi për të ndarë bashkë këtë prosperitet dhe për ta bërë të qëndrueshëm për secilin qytetar…”.

“…Projekti i Bashkimit Evropian duhet të vazhdojë të jetë opsioni i vetëm i pamohueshëm i cili do të ketë ndikimin më të madh dhe rolin më pozitiv transformues në ekonomitë dhe zhvillimin e shoqërive tona. Sepse atë çfarë ne – vendet në prag të BE-së shohim – është një prosperitet i paprecedent gjatë pesë dekadave të shkuara në Evropë… Kosova është shembulli më i mirë i angazhimit për të krijuar normalitet… e jo për një pritje që normaliteti të vijë vetë”, tha Jahjaga. /Telegrafi/