Rrëfimi i Aro Muric për karrierën e tij

I lindur në Schlieren të Zvicrës, por me rrënjë nga Rozhaja e Malit të Zi, Aro Muric vendosi të largohet nga grupmoshat e malazezëve për ta përfaqësuar Kosovën.

Shumë pak kishin njohuri për të në vitin 2018, kur një djalosh i ri 20-vjeçar në atë kohë erdhi për ta prezantuar Kosovën.

Në ndeshjen e parë ndaj Maltës qëndroi në bankë, derisa debutimin e tij me fanellën e Dardanëve e bëri më 20 nëntor ndaj Azerbajxhanit.

Arijanet Muric që nga ajo kohë është portieri numër një i Kosovës dhe një nga shtyllat kryesore të Përfaqësueses dardane.

Këtë vit Aro është bërë me klub të ri, pasi ka shkëlqyer me fanellën e skuadrës angleze Burnely, ku iu bashkua nga Manchester City pas një sezoni të jashtëzakonshëm në Turqi si i huazuar te Adana Demirspor.

Në një intervistë për Telegrafin, Aro flet për të gjitha, formën e mirë te Burnley, periudhat jo të mira gjatë huazimeve, raportin me Pep Guardiolën e tani me Vincent Kompanyn.

24-vjeçari ka folur edhe për specialitetin e tij, pritjen e penalltive si dhe ndjenjën që luan me Kosovën dhe gjasat e Dardanëve për tu kualifikuar në Kampionatin Evropian 2024.

Viti i parë me Burnleyn dhe je duke kaluar formë fantastike?

Aro Muric: Nuk kam ndonjë sekret, unë vetëm e jap më të mirën në çdo stërvitje dhe në ndeshje. Tentoj që gjithmonë ta mbajë mentalitetin lartë dhe ta ndihmojë ekipin të marrim rezultatet që duam. Qëllimi ynë është që të rikthehemi në Ligën Premier.

Është viti i dytë radhazi që shkëlqen pas huazimeve jo të mira te Nottingham Forest dhe Girona, a do të thotë se periudha e keqe të ka ndihmuar për tu pjekur më shumë?

Aro Muric: Po, më ka ndihmuar jo vetëm në futboll por mendërisht dhe personalisht unë kam mësuar shumë gjatë këtyre dy viteve. Nuk kam pasur dy huazime të lehta, por kam ruajtur qetësinë, kam punuar shumë dhe pastaj pas atyre dy huazimeve kam gjetur formën e mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë.

E ke nisur karrierën si i ri te Grasshoppers, por ke luajtur edhe për skuadra si Manchester City, Nac Breda, Nottingham Forest, Girona, Willem II, Adana Demirspor dhe tani Burnley. Ku jeni ndier më mirë?

Aro Muric: Unë tani ndihem shumë mirë te Burnley ku të gjithë kemi një qëllim dhe duam ta arrijmë atë së bashku. Por kohë të mira kam kaluar edhe te Manchester City, Willem II dhe Adana gjithashtu.

Sa është e vështirë për një portier të mbahet porta e paprekur gjatë një ndeshje?

Aro Muric: Nuk është diçka që varet vetëm nga ti si portier edhe pse ne bëjmë maksimumin për ta mbajtur portën e paprekur. Por gjithçka varet se si shkon ndeshja dhe këto lloj gjërash nuk mund t’i kontrollosh.

Çfarë do të thotë të kesh trajner njërin nga më të mirët në botë Pep Guardiolan?

Aro Muric: Natyrisht për mua është nder që kam punuar me një trajner të tillë siç është Pep Guardiola. Kam mësuar shumë për futbollin gjatë kohës sa jam trajnuar nga ai dhe për mua personalisht ka qenë një hap i madh që kam qenë nën urdhrat e Pep. Jo shumë lojtarë kanë pasur fatin të punojnë me Guardiolan dhe unë e cilësoj vetën me fat në këtë rast.

Cili ka qenë shoku yt më i ngushtë te Manchester City?

Aro Muric: Nuk mund ta përmendi vetëm një emër, kam kaluar kohë të mira te City dhe kemi kaluar mirë me të gjithë. Kam pasur momente të mira me të gjithë bashkëlojtarët.

Jeni specialist për pritjen e penalltive, pasi keni pritur disa gjatë karrierës. Por cilat janë tre penalltitë e pritura që nuk do t’i harroni kurrë?

Aro Muric: Penalltitë që kam pritur me fanellën e Kosovës ndaj Anglisë dhe Greqisë nuk do t’i harrojë kurrë. Gjithashtu edhe me Manchester Cityn penalltitë e pritura ndaj Leicester Cityt në Carabao Cup. Isha në një moshë të re dhe ato kanë qenë pritje të rëndësishme për karrierën time dhe kam pasur ndjenjë fantastike.

Kosova tanimë ka mësuar kundërshtarët për kualifikimet e Evropianit. Jemi në grup me Izraelin, Andorran, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Zvicrën? A kemi gjasa të kualifikohemi dhe cili është parashikimi juaj?

Aro Muric: Ne kemi futbollistë të mrekullueshëm dhe nëse të gjithë japim maksimumin duke qëndruar të uritur për fitore, unë mendoj se mund të bëjmë gjëra të mëdha së bashku dhe të kualifikohemi. Të gjithë që do të futemi në lojë në këto ndeshje duhet të japim më të mirën dhe të kemi qëllimin e njëjtë që ta dërgojmë Kosovën në ‘Euro 2024’.

Cila është ndeshja jote më e mira me fanellën e Kosovës dhe nuk do ta harrosh kurrë?

Aro Muric: Mendoj që ndeshja me Greqinë në Athinë vitin e kaluar kur kemi barazuar 1-1. Kam pasur një ndeshje të mirë me shumë raste të pritura, por edhe një penallti të mbrojtur.

Për fund, tani ke trajner legjendën belge Vincent Kompany, ku e ke pasur edhe kapiten te Manchester City. Si është marrëdhënia me të?

Aro Muric: Unë jam i lumtur ta kem një karakter si Kompany për trajner. Ai më motivon gjithmonë dhe kjo më jep një siguri. Gjithashtu ka qenë kapiten i im tek City në moshë të re dhe më ka këshilluar gjithmonë dhe më ka ndihmuar. Jam shumë i lumtur që e kam një trajner të tillë që është edhe një person fantastik. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS