Rrëfim shokues i Medinë Dautit: Për tri vite ngacmim të vazhdueshëm Gjykata e Gjilanit e dënoi ngacmuesin me vetëm 1200 euro gjobë

Gjilan – Me 29 dhjetor 2021, Kastriot Kurtin e raportova në Policinë e Kosovës për shkak se më kishte ngacmuar seksualisht që nga viti 2019 Ish-arsimtari im Kastriot Kurti, në vitin 2019 më ka thënë se dëshironte të hynte në lidhje dashurie me mua. Unë e refuzova qartë dhe prerë, por ai vazhdoi të më shqetësojë e të më ngacmojë seksualisht për tri vite dhe nuk u ndal as pasi e raportova në polici, e as pasi që gjykata e shpalli fajtor për ngacmim. Për tri vite, ai shfaqej dhe afrohej në secilën hapësirë që unë isha; kafiteri, rrugë, evente të ndryshme, vinte më fliste, tentonte të më përqafonte dhe ulej në tavolinë kundër vullnetit tim. Unë e pata bllokuar Kastriotin në çdo rrjet social, por ai vazhdoi të më shkruante me profile të rrejshme, madje një herë edhe nga llogaria e familjares së tij. Ai ka qenë edhe asistent i jashtëm në të njëjtin fakultet ku unë studioja, për mua as ajo hapësirë nuk ka qenë e sigurtë ka shkruar Medinë Dauti.

Reagimi i plotë:

Kastrioti nuk ndalej! Tërë kohën më shkruante se më “dashuron”, se më “dëshiron”, se unë isha “e dashura e tij”, se dëshiron “të më shtrydhë”, “të më mbajë shtrëngueshëm”, etj.

Përpos përndjekjes dhe presionit të madh ndaj meje, kishte filluar t’i shkruante edhe familjarëve të mi e shoqërisë; dhe vazhdonte të më ngacmonte edhe kur të gjithë këta i thoshin që të mos më shqetësonte më!

Çfarë ka ndodhur me mua në tri vitet e ngacmimit seksual të vazhdueshëm? Jam izoluar gjatë tërë kësaj kohe dhe kam reduktuar kontaktin tim me botën. Asnjëherë s’kam guxuar të dal shlirë e vetme! Një situatë si kjo që të bën të ndihesh se nuk do të mbarojë kurrë, që të bën të mendosh se është fundi i botës dhe pret dita e ditës që ngacmuesi do të shfaqet dhe do t’i bëj gjërat më të tmerrshme ashtu siç i ka shprehur në mesazhe – është ngulfatje dhe terrorizim i komplet qenies sime! Veprimet e tij më kanë cenuar thellësisht integritetin tim seksual dhe psiqik; gjendja ime emocionale ka qenë dhe vazhdon të jetë e rënduar për shkak të ngacmimit të vazhdueshëm.

Pas krejt kësaj katrahure me frikë, ankth e shqetësim të vazhdueshëm, vendosa t’i drejtohem organeve të drejtësisë – pavarësisht dilemave që i kisha në funksionimin e tyre. Fatkeqësisht, të gjitha këto dilema që doja t’i sfidoja dhe doja që të më vërtetohej e kundërta – përfaqësuesit seksistë të këtyre institucioneve në Gjilan, më përplasën për fytyre realitetin që veç se e dija.

Fillimisht, prokurorja përgjegjëse e rastit, Slavica Popovic, veprimet e Kastriot Kurtit i cilësoi vetëm si “ngacmim” e jo edhe si “ngacmim seksual”, përkundër që denoncimin e kisha bërë për të dy këto vepra dhe përkundër faktit që avokatja ime, Rina Kika, vazhdimisht kishte kërkuar që aktakuza të ndryshohej dhe krahas veprës penale “Ngacmim” aktakuza të përfshinte edhe “Ngacmimin seksual” për t’i mbuluar të gjitha veprimet kriminale të Kastriot Kurtit. 64 faqe dëshmi, 1 video incizim dhe 6 dëshmitarë nuk mjaftuan për t’i bindur institucionet se vepra ishte ngacmim seksual.

Prokurorja e rastit Slavica Popovic nuk erdhi në seancën e shqyrtimit kryesor, atë e zëvendësoi prokurorja Kujtesa Fazliu, e cila dukej qartazi se as që e kishte lexuar lëndën. Kur avokatja ime e pyeti nëse ishte në dijeni për kërkesën për rikualifikim të veprës penale, Prokurorja u përgjigj se “pak a shumë” ishte në dijeni për lëndën. Me “pak a shumë” dijeni për lëndën kishte ardhur në seancën gjyqësore të shqyrtimit kryesor.

Gjyqtari i vetëm gjykues Rilind Sermaxhaj, me 12 gusht 2022, për tri vite torturë psiqike, ngacmim, shqetësim dhe frikë, e dënoi Kastriot Kurtin vetëm me gjobë 1200 euro. Praktikisht, 1 euro dita, për 1095+ ditë ngacmim.

Çka e bën më shqetësues këtë dënim është që gjyqtari ia pranoi si rrethana lehtësuese Kastriot Kurtit: kërkim faljen dhe premtimin e tij se nuk do ta përsëriste më veprën penale – Zoti Gjykatës, nuk e morri parasysh kur avokatja ime ia sqaroi që kërkim falja nuk duhet të pranohet, sepse i njëjti kishte kërkuar falje për tri vite, dhe prapë kishte vazhduar të më ngacmonte! Ndërsa, në gjykatë asnjëherë nuk ka deklaruar se nuk do ta përsërisë më veprën penale.

Ndërsa si rrethana rënduese, ndër të tjera, gjykata kishte njohur “…këmbëngulësinë e shfaqur nga ana e tij për kryerjen e veprës penale ngase përkundër faktit se e dëmtuara e kishte refuzuar që të ketë një lidhje me të njëjtin i njëjti përsëri kishte gjetur mënyra tjera si përmes rrjeteve sociale apo personave të tretë të shqetësonte të dëmtuarën…” – nuk e di se a është e pakuptueshme për mua, apo organet e “drejtësisë” nuk e kuptojnë që sjellja e padëshiruar verbale, joverbale ose fizike e natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues – ËSHTË NGACMIM SEKSUAL! Për çfarë lidhje e kam refuzuar unë Kastriotin? Nuk ka qenë fjala për lidhje shoqërore e as lidhje pune, por INSISTIM PËR LIDHJE DASHURIE TË IMPONUAR KUNDËR VULLNETIT TIM!

Gjashtë ditë pasi ka pranuar aktgjykimin Kastriot Kurti, i shpallur fajtor për ngacmim, përmes një familjares time, ka kërkuar sërish takim me mua. E ka përsëritur veprën vetëm 6 ditë pasi është publikuar aktgjykimi! Kaq huqje ka qenë dënimi i butë i gjykatës që morri për bazë keqardhjen e tij të shprehur në seancë gjyqësore e premtimin tij inekzistent se nuk do ta përsërisë më veprën penale. Pas 6 dite nga marrja e aktgjykimit, u detyrova ta raportoj përsëri Kastriot Kurtin në polici për ngacmim seksual!

Gjoba 1200 euro është thellësisht denigruese për mua! Unë kam zgjedhë (me 1 milion dilema) ta raportoj ngacmuesin, ku më kanë mbështetë jashtëzakonisht rrethi i ngushtë, por çfarë ndodhë me vajzat e tjera të cilat nuk i kanë privilegjet që unë i kam gjatë këtij rrugëtimi? Trajtimi i tillë i rasteve nga organet e drejtësisë vetëm se e thellon më shumë kulturën e heshtjes tek viktimat. Gjoba 1200 euro është legjitimim i ngacmimit seksual nga ana e gjykatës, dhe ekskluzivisht, Gjyqtari Rilind Sermaxhaj, ia mundësoi një ngacmuesi që t’i ikë dënimit të merituar. Zoti gjykatës, sinqerisht po ju pyes në dorë të kujt është siguria ime tash? Në të shtetit po e di që jo, se ju e dorëzuat atë në dorë të ngacmuesit.

Unë nuk jam veç një rast tjetër në tavolinat e institucioneve seksiste, cënimi i dinjitetit tim nuk është hajgare. Shndërrimi i hapësirës publike e private në hapësira frikësuese e terrorizuese për tri vite, nuk kushton 1 euro në ditë. Ngacmimi seksual nuk është veç ngacmim e as fajtorët nuk duhet dënuar me dënime qesharake.

Por, neglizhenca me të cilën u përballa nuk më zmbrapsë. Përkundrazi. Është detyrë e imja që të mos pajtohem me trajtimin skandaloz te rastit, andaj unë do ta vazhdoj procesin me ankesë në Gjykatën e Apelit për gjobën skandaloze.

Unë besoj që secila grua e vajzë duhet të jetojë pa frikë nga të tjerët dhe pa iu cenuar autonomia individuale. Pikërisht për këtë, nuk do të ndalem deri sa e drejta ime për gjykim të drejtë të vie në vend: Për mua dhe për krejt vajzat e gratë tjera të Kosovës.

Sqarim: Pretendimi i Avokatit Sherif Sherifi (përfaqësues ligjor i K.K) se i pandehuri nuk ka qenë arsimtar direkt në klasën time është tentim i kotë për ta shmangur nga përgjegjësia personin që e përfaqëson. Unë takimin e parë me të e kam pasur në cilësi të arsimtarit ku ai ka mbajtur orë në klasën time si arsimtar zëvendësues. Nuk ka fare rëndësi se në cilën klasë ka mbajtur mësim të rregullt, ai ka qenë arsimtar në institucionin ku unë vijoja mësimin./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS