Rrëfehet Kabil Hajdari: Jam i pafajshëm

Gjilan – Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan ka vazhduar gjykimi kundër Kabil Hajdarit e Nexhmedin Arifit. Hajdari duke u përgjigjur në interesimet e trupit gjykues rreth akuzave tha se ndihet i pafajshëm. Ndihem i pafajshëm dhe plotësisht i drejtë sepse nuk e kam shkelur ligjin e as nuk kam kryer vepër penale tha Hajdari.
Në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër ish kreut të Vitisë, Nexhmedin Arifi i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe Kabil Hajdarit i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”, ka rrëfyer para trupit gjykues Kabil Hajdari, derisa deklaratën e tij përfundimtare Nexhmedin Arifi pritet ta thotë në muajin prill, raporton rajonipress.
Kabil Hajdari duke u përgjigjur në interesimet e trupit gjykues që po kryesohet nga Hasan Sadiku tha se që nga fillimi është ndier i pafajshëm. “Që nga dita e parë e gjykimit jam deklaruar i pafajshëm. Edhe tani po ju them me tërë sinqeritetin se jam i pafajshëm dhe plotësisht i pastër e i drejtë. Nuk e kam shkelur ligjin dhe nuk kam kryer kurrfarë vepre penale” tha Hajdari.
Hajdari ka thënë se çdo gjë që e ka kryer në kompaninë “Universal” e ka bërë me ndërgjegje të pastër dhe në interes të punëtorëve dhe të vet kompanisë.
Ndryshe edhe Nexhmedin Arifi pritet të jap deklaratën e tij në muajin prill. Avokati mbrojtës Shemsedin Piraj tha për rajonipress se asnjë dëshmitar apo provë nuk e implikon Arifin në këtë proces gjyqësor. “Edhe ekspertiza financiare e kryer nga ekspertët gjyqësor ka konstatuar se Arifi ka punuar sipas ligjeve dhe vendimeve në fuqi” tha Piraj.
Sipas aktakuzës kryetari i Komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi akuzohet për veprën penale “korrupsioni zyrtar” derisa Kabil Hajdari për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”.
Sipas aktakuzës i dyshuari Kabil Hajdari në gusht të viti 2008 deri në maj 2011, derisa ka qenë drejtor në NP “Univerzal”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore nga datat 24.03.2009, deri më 01.01.2011, mjetet e trustit pensional për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje: Kadri Halabaku, Bajram Aliu, Berat Ymeri, Ruzhdi Musa, Hysni Beqiri, Sabit Salihu, Sabri Rrahimi, Ali Islami, Taf Mustafa dhe Agron Misini, edhe pse kanë qenë në listën e pagave, trusti pensional atyre nuk u është paguar fare, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë të 16 mijë eurove.
Kabil Hajdari gjithashtu dyshohet se ka shmangur mos pagesën e tatimit në Administratën Tatimore të Kosovës në vlerën e 79.815.29 eurove.
Kurse, Nexhmedin Arifi dyshohet se duke qenë në pozitën e kryetarit të Vitisë më 22 gusht 2008, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti apo tjetrin, në kundërshtim me Ligjin mbi ndërmarrjet publike, ka marrë vendimin mbi ekzekutimin e vendimit të Kuvendit komunal për derajonalizimin e KRM”Higjiena”, njësia punuese në Viti e cila ishte pjesë integrale e “Higjienës” në Gjilan.
Arifi gjithashtu akuzohet se nuk e ka respektuar shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e as vendimin e Qeverisë së Kosovës që të shfuqizojë atë vendim. Sipas aktakuzës Arifi i ka mundësuar Kabil Hajdarit që të keqpërdor mjetet e kompanisë publike duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerën e 79 mijë eurove. /rajonipress/