KKGJILAN

Rrahmani: Pushteti po e injoron sferën e shëndetësisë

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Me keqardhje edhe një herë konstatojmë se shëndetësia dhe problemet sociale nuk po trajtohen me seriozitetin e nevojshëm nga ana e pushtetit. Kjo nuk paraqet risi, sepse një qasje e tillë e Qeverisë Komunale, por jo vetëm e saj, ndaj shëndetësisë po vazhdon me vite, bile me trende përkeqësimi tha Imet Rrahmani kryetar i komisionit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale në kuadër të LDK-së.

LDK, përmes Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie sociale të shtunën në një konferencë për medie ka dhënë vërejtje dhe kritika në sferën e shëndetësisë dhe fusha tjera që menaxhohen nga drejtorati për shëndetësi dhe mirëqenie sociale.

Imet Rrahmani dhe Salije Sllamniku nga ky komision thanë se pushteti komunal po e injoron sferën e shëndetësisë meqë problemet sociale nuk po trajtohen me seriozitetin e nevojshëm nga ana e pushtetit. “Kjo nuk paraqet risi, sepse një qasje e tillë e Qeverisë Komunale, por jo vetëm e saj, ndaj shëndetësisë po vazhdon me vite, bile me trende përkeqësimi” tha Imet Rrahmani kryetar i komisionit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale në kuadër të LDK-së.

Sipas Rrahmanit në asnjë segment dhe në asnjë situatë , kjo sferë shumë me rëndësi për qytetarët e komunës tonë, nuk është trajtuar me prioritet. “Ndarja e buxhetit të pamjaftueshëm në fillim, e pastaj edhe tkurrja e tij përmes ridestinimeve, jotransparenca e deri te menaxhimi me kompetencë jo të mjaftueshme, janë shkaqet kryesore të dështimit në përmbushjen e obligimeve të pushtetit karshi qytetarëve. Natyrisht që LDK, sikur edhe herëve tjera , ka argumente të pakontestueshme për konstatimin e mësipërm” tha Rrahmani.

Rrahmani ka dhënë vërejtje edhe për drejtoratin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. “Buxheti i DSHMS-së, asnjëherë nuk është dërgua për diskutim në Komitetin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, as në periudhën e miratimit e as në kohën e rebalancit të buxhetit. Kjo, ndoshta edhe ka një justifikim kur dihet se edhe hartimi i planit të punës dhe planifikimi i projekteve dhe programeve që duhet të realizohen nga ana e Drejtorisë në fjalë, bëhen sa për tu bërë dhe aty për aty!. Pra, nuk ka qëndrueshmëri planifikimi, veprimi, financimi dhe realizimi. Për të vërtetuar këtë mjafton të merën kopjet e raporteve periodike të bëra nga ana e DSHMS-së dhe të analizohen nëse ka çka të analizohet në ato” tha me ironi Rrahmani.

Mobi Casa

Rrahmani ka hedhur dyshime tek një projekt për kontrollimin e fëmijëve në shkolla. “U bë një projekt shumë i mirë nga profesionistët shëndetësorë të kujdesit primar, i pranueshëm dhe i përkrahur edhe nga ne, për kontrollimin sistematik të fëmijëve në shkolla. Projekt gjithëpërfshirës, lehtë i realizueshëm, me një kosto financiare rreth 18.000 euro, i paraparë të realizohej para përfundimit të vitit shkollor 2011/2012. Kjo nuk ndodhi sepse nuk u siguruan mjetet, dhe një gjeneratë e tërë e fëmijëve mbeti pa u përfshi në projekt. Projekti ka filluar me disa muaj vonesë dhe pa përkrahje financiare të domosdoshme. Ne dyshojmë se nuk do të realizohet në plotëni, dhe do të bëhet vetëm sa për të thënë se u bë”.

Rrahmani tha se LDK, ka kërkuar shumë herë që të fillohet me një Pilot projekt për fillimin e implementimit të konceptit të Mjekësisë Familjare, ide kjo e përkrahur deklarativisht edhe nga drejtori i QKMF-së . “Duam të besojmë se kur u premtua se do të fillohet shpejt me këtë projekt , është shpresuar se do të ndryshoj komplet kursi i trajtimit të shëndetësisë nga ana e pushtetit aktual” tha ai.

Ky komision ka folur dhe dhënë kritika edhe rreth ushqimit dhe ujit si burime të shumta të infeksioneve të ndryshme. “Mbrojtja e ambientit, respektivisht parandalimi i sëmundjeve, ushqimi i sigurt dhe sigurimi ujit për pije janë obligime edhe të pushtetit lokal. Pushteti aktual nuk mund të ofroj siguri lidhur me cilësinë dhe higjienën e ushqimit që konsumojmë, sepse ka numër të pamjaftueshëm të inspektorëve sanitar, vetëm dy. Sipas kritereve duhet s’paku një inspektor sanitar në 20-25 mijë banorë. Edhe ata pak inspektor kanë vetëm një automjet në shfrytëzim. Zyra e ujit, nuk e ka krye punën si duhet. Raporton për marrje të kaq e kaq mostrave të ujit, në vende të caktuara, por nuk i ka bë transparente rezultatet e mostrave të analizuara . Detyrimisht na imponohet dyshimi se rezultatet flasin për gjendje jo të sigurt epidemiologjike të ujit të pijshëm” tha Rrahmani.

Sipas komisionit të LDK-së për shkak të mos planifikimit të mirë dhe buxhetit të pamjaftueshëm, as për së afërmi nuk po plotësohen nevojat sociale të familjeve në nevojë sepse janë mbi 25 mijë euro borxhe të papaguara për familjet e dëshmorëve, shërbyesve civil dhe për qiratë e banimit të familjeve të strehuara. Kohëve të fundit është pru një vendim që ka shfuqizuar vendimin e vitit 2002 për ndërprerjen e ndihmës për familjet e shërbyesve civil të vdekur , duke i lënë ato familje pa asnjë lloj përkrahje. LDK e ka kundërshtuar vendimin edhe në Asamblenë Komunale duke votuar kundër. Gjithashtu,ka kohë që QPS, Zyra për Mirëqenie Sociale dhe sektorët e tjerë ballafaqohen me mungesa prej më të ndryshmeve si: automjetet e stërvjetëruara bile disa edhe në defekte, mungesa e naftës, mospagimi i kujdestarive të punëtorëve social, mospagesa e punës në teren për punëtorët shëndetësorë nëpër punkte, borxhet e shumta për rrymë, dhe mungesat në aparaturë”./rajonipress/