Fundamenti

Rrahmani: Asnjë shans që në Kosovë të ketë kore raciste kundër anglezëve

/ 4 minuta lexim

Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, është paraqitur në konferencën për shtyp para ndeshjes Kosovë – Angli.

Më poshtë lajmi.net ua përcjell intervistën e plotë të Rrahmanit.

Amir, e dimë që zhgënjimi ishte i madh para pak ditësh, por sa arriti skuadra të ngritet moralisht, edhe pse e dimë se jemi të eliminuar?

“Është e vërtetë se jemi zhgënjyer të gjithë, jo vetëm lojtarët por edhe stafi dhe populli, sepse jetuam me ëndrrën që mund të kualifikoheshim përmes kualifikueseve dhe ndeshjen që do të luanim nesër do të kishte më shumë rëndësi sesa ka tani.”

“Por nuk do të thotë se edhe ndeshja e nesërme nuk ka rëndësi, pasi për ne secila ndeshje është mundësi për t’u përmirësuar dhe të përmirësojmë rezultatet.”

Është ndryshe kur përfundon ciklin me humbje, ndryshe me fitore. Sa do të kishte ndikim rezultati pozitiv për gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve?

“Normalisht është e rëndësishme jo vetëm ta mbyllim kampanjën me fitore, por për secilën ndeshje është e rëndësishme fitorja, sidomos kur përballë kemi një kundërshtar të fortë. Fitorja do të thoshte se jemi të aftë të kthehemi nga zhgënjimi dhe t’i bëjmë ballë një kundërshtari të fortë.”

A e ka harruar skuadra ndeshjen me Çekinë, dhe a mendoni se kemi kualitet për tri pikët ndaj Anglisë?

“Këtë e kemi dëshmu edhe pas ndeshjes në Angli, pasi ndeshjen tjetër fituam në shtëpi. Do të thotë se kemi karakter dhe jemi të gjithë së bashku.”

Ndeshjen e kaluar pësuam shumë gola (në Angli) , a mendon të jemi më të kujdesshëm kësaj here?

UBT

“Po është e vërtetë. Është ndeshja ku pësuam më së shumti gola në këto kualifikuese. Normalisht do të mundohemi të bëjmë më mirë. Ne futemi për fitore. Do të zhvillojmë ndeshjen tonë, dhe pse jo të pësojmë sa më pak gola, ose hiç, dhe në fund të fitojmë.”

Ti do të markosh Harry Kane, ai ka shënuar në secilën ndeshje. Sa ke besim se mund ta ndalësh atë? (gazetari anglez)

Je i sigurt se luan Kane (reagon Challandes)

“E di se Harry Kane është një nga më të mirët në botë në pozitën e tij dhe është e vështirë jo vetëm ta ndalësh atë, por secilin lojtar në Angli. Nëse ai nuk luan, ka zëvendësues të tjerë që mund ta mbulojnë atë. Nuk është vetëm Kane i mirë, ka shumë të tjerë. Sigurisht do të duhet të luajmë kundër tyre dhe do të provojmë që si skuadër ta ndalim atë dhe tërë skuadrën angleze.”

Kudo që shkojmë jashtë vendit, zakonisht në vendët ku shkojmë shqetësohen për tifozët e Anglisë, por këtu po shihet se ka respekt dhe slogane të miqësisë. Nga vjen kjo?

“Është e vërtetë, sepse shumë njerëz kur dëgjojnë për Kosovën mendojnë gjithçka por e vërteta është se populli këtu është miqësor dhe ka raport të veçantë me Anglinë.”

Jam e sigurt se patë çfarë ndodhi me futbollistët e Anglisë në Bullgari, me koret raciste. A ka ndonjë shqetësim se një gjë e atillë mund të ndodh këtu

“E di se ajo ndodhi. Nuk e di arsyen pse, por në vendin tonë ajo nuk mund të ndodh. Ne jemi miqësor dhe shumë nga këta lojtarë janë idhujt e njerëzve tanë. Ka tifozë të Man City, Man United, Liverpool kështu që janë idhujt e tyre. Ajo nuk ndodh këtu.”

Kujtojmë se Rrahmani po kalon në një formë të shkëlqyeshme në ekipin e Hellas Veronës në Itali, ndërsa nesër pritet të jetë startues në sfidën ndaj Anglisë.