RCCOLA

Roth: BE s’është i plotë pa Kosovën, dhuna në Kuvend e papranueshme

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ministri Gjerman i Shtetit për Evropë, Michael Roth, në një konferencë për medie, pas takimit me ministrin për Integrime Evropiane të Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Kosovën, ndërsa ka përshëndetur punën e ekzekutivit në drejtim të përmbushjes së kritereve të parashtruara.

“Jam i lumtur të uroj Kosovën për hyrjen në fuqi të MSA-së para tri javësh, që është hap madhor drejt perspektivës evropiane të vendit tuaj. Po ashtu është shenjë e qartë për angazhimin e BE-së në Kosovë. Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë pa Kosovën. Pjesëmarrja e Kosovës e barabartë me fqinjët në nisma rajonale tregon qartë për interesimin tonë për këtë gjë”, ka thënë ai, duke shtuar se do të vazhdojnë të qëndrojnë me Kosovën për ta afruar sa më pranë BE-së.

Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës po e presin me padurimin liberalizimin e vizave dhe ndjenjën e izolimit, duke shtuar se i kupton shumë mirë, sidomos të rinjtë.
“Qeveria e Kosovës ka arritur rezultate mbresëlënëse në drejtim të liberalizimit të vizave”, ka shtuar Roth.

Mobi Casa

Ai është shprehur i shqetësuar me dhunën e përdorur në Kuvendin e Kosovës dhe inaugurimin e presidentit të vendit, ndërsa ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për shtetin.
“Jemi të brengosur me përdorimin e gazit lotsjellës në procesin e inaugurimit të presidentit të Kosovë. Dhuna nuk ka vend kur presidenti është i zgjedhur në mënyrë demokratike, por as në Kuvendin e Kosovës. Gjermania do ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën, si mike dhe partnere”, ka thënë ai.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Roth ka thënë se janë duke pritur një raport tjetër, por që gjërat janë duke ecur në drejtimin e duhur.
“Gjermania, si Franca, mbështet sistemin pa viza dhe jemi të vetëdijshëm rreth pritjeve të qytetarëve të Kosovës. Ne jemi duke pritur një raport tjetër dhe duhet ta dini që ambienti për vendime të tilla është shumë sfidues. Gjërat janë duke ecur në drejtimin e duhur. Por duhet ta dini që deri në shtator të vitit të kaluar, 43 për qind e migrantëve në Gjermani kanë qenë nga Ballkani Perëndimor. Vetëm falë bashkëpunimit me qeveritë e vendeve, kemi arritur që këtë shifër ta zvogëlojmë shumë”, ka shtuar ai./indeksonline/