Rona Nishliu ngrit zërin kundër dhunës ndaj gruas

Këngëtarja Rona Nishliu na bëri të gjithëve krenarë me paraqitjen e saj në Eurovisionin e këtij viti ku këndoi këngën “Suus”. “Më lerni të qaj” janë vargjet më të njohura të këngës të cilat kanë mbetur në memorien e të gjithëve, por tani Rona ka ndërmarrë një mision për të ndalur vuajtje e shkaktuara nga dhuna ndaj gruas.
Rona është bërë pjesë e fushatës së organizuar nga tre OJQ, Dora Dorës, Shtëpia e Sigurtë Gjakovë, dhe Norma.
Paraqitja e Ronës bëhet përmes një videoje 30 sekondësh ku ajo në një studio muzikore jep mesazhin e saj ku thotë.
“Mos e ndal zerin, por ndale dhunen nda bijes, motres, nenes nda teje. Paqe ne familje, paqe ne bote, te gjithe bashke ta ndalim dhunen.”
Rreth pjesëmarrjes së saj në këtë fushatë, Rona për indeksonline thotë se kjo është vazhdimësi e punës së saj vullnetare të cilën e ka bërë prej kohësh.
“Kam qenë gjithmonë e përfshirë në aktivitete humanitare. Jam shumë e interesuar të jap kontributin tim qoftë me punë të drejtëpërdrejtë praktike e qoftë si imazh për grupet e margjinalizuara, për njerëzit në nevojë, sepse vetëm në këtë formë ndjehem pjesë e realitetit. Për më tepër, kohëve të fundit gazetat dhe kronikat televizive kanë prezentuar gjithë ato raste tmerruese të ushtrimit të dhunës ndaj gruas, prandaj ishte e pamundur të jem indiferente ndaj ftesës së tre OJQ-ve të grave Dora Dorës, Shtëpia e Sigurtë Gjakovë dhe NORMA, të cilët i falënderoj që më dhanë mundësinë të jap një mesazh kaq të rëndësishëm dhe domethënës këto kohë”.
Fushatat e tilla, Rona i sheh si dobiprurëse për opinionin. Ajo tha se këto ndikojnë pozitivisht në vetëdijesimin e opinionit për të ndaluar dhunën në familje, e në veçanti ndaj gruas por e di se duhet bërë akoma më shumë në këtë drejtim.
“Padyshim, mendoj që janë njeri prej faktorëve që ndikon në sensibilizimin e opinionit, por asesi nuk mund të jetë gjithçka që duhet bërë për sensibilizimin e shoqërisë. Hulumtimi i rasteve, dokumentimi i tyre, hulumtimi i arsyeve, shpërndarja e publikimeve me të dhëna të rëndësishme, prezencë mediale të kësaj problematike, të gjitha këto duke plotësuar njëra tjetrën do të ndihmonin në vetëdijesimin e opinionit”, thotë ajo për indeksonline.
Shqetësuese për këngëtaren mitrovicase është fakti që në vendin tonë dhe në Shqipëri në vend se të pakësohet numri i rasteve, ai po shtohet.
“Mendoj që si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri kemi të bëjmë me numra të shtuar të rasteve të dhunës, kjo mbase për shkak të numrit të rritur të denoncimeve. Padyshim që duhet të ketë pasë raste të shumta dhune të cilat nuk janë denoncuar në të kaluarën, e mira e kësaj kohe të paktën është që ato shpalosen e çohen në një stad tjetër.
Do të doja shumë që të bëhej kriminalizim i plotë i kësaj dukurie në tërësi”.
Videoja e kësaj fushate, ku shfaqet Rona Nishliu është ide e regjisorës së suksesshme kosovare, Blerta Zeqiri. (Indeksonline)