UBT

Romët përkrahen nga Komuna,por jo edhe nga Ministria për Kthim

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Elez Kurteshi zyrtar për komunitetin rom thotë se Komuna e Gjilanit ka ndihmuar në procesin e kthimit,integrimit dhe rregullim të infrastrukturës,kurse Radoica Tomiq asnjëherë nuk e ka vizituar komunitetin rom në Gjilan.

Para luftës komuniteti rom në Gjilan numëronte rreth 6000 veta që jetonin në këtë qytet, derisa një numër i madh i tyre ishte i punësuar edhe në ndërmarrjet shoqërore. Sot ky numër ka zbritur në 560 veta,me vetëm tre veta të punësuar.

Derisa komuniteti rom në Gjilan ka përfituar ndihma në infrastrukturë,në integrim, edukim,por edhe veshmbathje e gjëra ushqimore, zyrtarët e këtij komuniteti janë të zhgënjyer me Ministrinë për kthim dhe Komunitete,që udhëhiqet nga Radoica Tomiq.

Elez Kurteshi zyrtar për komunitetin rom në komitetin për komunitete thotë për Rajonipress se Komuna e Gjilanit në koordinim me zyrën për projekte ka ndihmuar dhe përkrahur komunitetin rom në të gjitha fushat e jetës.”Që nga viti 2002 me ndihmën e komunës nga vendet e treta në Gjilan janë kthyer rreth 342 persona, derisa me ndihmën e komunës dhe të organizatave të huaja për nevojat e këtyre familjeve janë ndërtuar 97 shtëpi në lagjen “Abdullah Presheva”.

Kurteshi thotë se komuniteti rom ende ka nevojë për përkrahje dhe mbështetje,në veçanti në procesin e kthimit dhe riintegrimit.”Qysh në vitin 2010 nga Ministria për kthim dhe Komunitete kemi kërkuar të ndihmojë në ndërtimin e 15 shtëpive për komunitetin rom dhe për familjet që kanë shprehur dëshirë të kthehen në fshatin Përlepnicë,por fatkeqësisht asnjë përgjigje nuk e kemi marrë deri tashti”shprehet Kurteshi.

UBT

Sipas tij kjo Ministri po ndihmon familjet serbe në Shillovë, ku vetëm këtë vit ka paraparë ndërtimin e tri shtëpive .”Ne jemi të anashkaluar nga Radoica Tomiq i cili kurrë nuk e vizitojë komunitetin rom. Përkundër dëshirës që ka ky komunitet për integrim,shkollim dhe punësim aktualisht vetëm tre romë jemi të punësuar, edhe atë një në komunë, një në kompaninë “Higjiena’ dhe një doganier” shprehet Kurteshi.

Edhe,Kemajl Shahin kryetar i komitetit për komunitete tha për Rajonipress se komuniteti rom ka filluar që të jetë më i afërt me institucionet komunale. “Ka shumë familje rome që jetojnë në Serbi, disa në Shkup e vende të Evropës. Ka një tendencë që këto familje të kthehen,por kushtet e banimit dhe gjendja e rëndë financiare e atyre familjeve e bënë të pamundur jetesën momentale në Gjilan” tha Shahin.

Sipas, Shahin romët viteve të fundit kanë nisur të vijojnë shkollimin,dhe kjo është shumë pozitive sepse vetëm të edukuar ata mund të integrohen dhe punësohen më shpejt, mendon Shahin.

Fadil Osmani menaxher në zyrën e projekteve thotë se komuniteti rom fillimisht ishte anashkaluar nga ministritë në Prishtinë,por viteve të fundit është parë se ky komunitet ka nevojë për mbështetje dhe përkrahje.”Komuna e Gjilanit për asnjë moment nuk e ka lënë pasdore këtë komunitet dhe do të vazhdojë ta ndihmojë edhe viteve tjera. E rëndësishme është që bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe romëve është e kënaqshme”tha Osmani.

Galip Hyseni njëri nga liderët lokal të komuniteti rom mendon se në fushën e shëndetësisë romët duhet të ndihmohen më tepër.”Tash së fundit jemi duke shkuar edhe në Spitalin e Gjilanit dhe po na presin shumë mirë aty. Edhe operacionet e rënda tash po i kryejmë në spitalin e Gjilanit dhe jo tek ambulancat serbe “u shpreh Hyseni./rajonipress/