KKVITI

Romane gjermanisht të autorëve shqiptarë

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Autorët si Lindita Arapi, Beqë Cufaj, Anila Wilms, Ilir Ferra etj. kanë intriguar lexuesin gjermanofon me temat e rrahura dhe me mjeshtrinë e rrëfimit

Gjatë vitit që po lëmë pas, mediet në gjuhën gjermane i kanë dhënë hapësirë të theksuar romaneve të autorëve shqiptarë të përkthyer (ose edhe të botuar për herë të parë) në gjermanisht.

Ndër këta autorë janë Lindita Arapi, Beqë Cufaj, Anila Wilms, Ilir Ferra etj., të cilët kanë intriguar lexuesin gjermanofon jo vetëm me temat e rrahura por edhe me mjeshtrinë e rrëfimit.

Gazeta zvicerane “St.galler Tagblatt” prezanton romanet e reja të Lindita Arapit dhe Beqë Cufajt.

– Lindita Arapi: “Schlüsselmädchen” (Vajzat me çelës në qafë)

Lodja Lemani vështron nga dritarja në fshatin e saj shqiptar. Vajza është e diferencuar pasi që gjyshi i saj ka qenë kulak (bujk i pasur). Komunistët e kanë vrarë atë ndërsa familja duhej ta shikonte e pafuqishme. Lodja nuk e kupton botën rreth saj.

Edhe autorja, Lindita Arapi, e lindur në vitin 1972 në Lushnjë, Shqipëri e Mesme, ashtu si dhe Lodja më vonë, ka braktisur vendlindjen e saj, ka studiuar letërsinë në Tiranë dhe ka punuar si gazetare. Arapi sot jeton në Bonn.

Në romanin e saj “Schlüsselmädchen” (Vajzat me çelës në qafë) Lodja Lemani kthehet për pak kohë mbrapa, për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur në fëmijërinë e saj. Lodja përjeton edhe njëherë ndjenjat e ndrydhura nga koha e mëhershme dhe tmerrohet kur e konstaton se strukturat arkaike kanë mbijetuar edhe kohën pas komunizmit dhe femrat edhe më tutje vazhdojnë të mos kenë asnjë vlerë.

Fundamenti

Lindita Arapi rrëfen kujdesshëm por fuqimisht mbi përditshmërinë brutale të fshatit.

Një libër mbresëlënës, i bartur në mënyrë të shkëlqyeshme në gjermanishte nga përkthyesi i Kadaresë, Joachim Röhm.

– Beqë Cufaj: “Projekt@party”

Çfarë bën një ndihmës ndërkombëtar në një vend të prekur nga lufta qytetare, kulturën dhe gjuhën e të cilit nuk e njeh? Ai nuk mund të ketë qasje te popullata e vendit. Ndonëse e kupton se janë oligarkët dhe mafiozët që qeverisin, ai nuk mund të bëjë asgjë fare.

Beqë Cufaj, shkrimtar kosovar që jeton në Shtutgard, në romanin e tij “Projekt@party” ka përshkruar punën e kontestuar të OKB-së nga perspektiva e një ndihmëtari ndërkombëtar për rindërtim, një nëpunës i motivuar për punë por i pashpresë.

Është demaskues në kuptim të dyfishtë monologu i përkthyesit, i cili i tregon nëpunësit idealist se si ai, si azilkërkues e ka ndier veten si njeri të dorës së dytë dhe se si tash, në shtetin e vet është sërish njeri i dorës së dytë.

Një roman i rëndësishëm, i përkthyer nga Joachim Röhm që bën fjalë për një temë e cila ka mbetur pothuaj e paprekur nga gazetaria.(albinfo)