Uji Dea

Roku thuajse nuk ekziston në Kosovë!

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

U formua në vitin 1981 dhe ende vazhdojnë të vijnë me shumë këngë dhe plane të tjera muzikore. Janë këta anëtarët e grupit ‘Ilirët’ , që është njëri ndër rok-bendet më të njohura dhe ndër të vetmet në Kosovë. Ata po zotohen që do të bëjnë një rikthim të fuqishëm në skenë. Kështu së paku ka treguar Shemi, vokalisti i grupit i cili në një intervistë për gazetën Tribuna ka folur rreth projekteve, bashkëpunimeve me këngëtarët tjerë dhe për shumëçka tjetër.

Kënga ‘Xhamadani’ dhe shumë këngë të tjera që sollën ndër vite, bëjnë që emri i Ilirëve të jetë i pavdekshëm në skenën tonë. Ndonëse sollën shumë këngë të cilat edhe sot dëgjohen, Ilirët nuk do ta lënë me kaq. Kështu të paktën ka treguar vokalisti Shemi në një bisedë për gazetën Tribuna. Ai ka theksuar se shumë shpejt do të lansohet klipi i këngës ‘Fjalët e Qiririt’, këngë kjo është ripërpunuar dhe përveç tij do të interpretohet edhe nga këngëtarja Ganimete Abazi dhe reperi Gold Ag.

“Në këto ditë do të dalë kënga ‘Fjalët e Qiririt’ që e kemi përpunuar unë, Ganimete Abazi dhe Gold Ag. Aranzhmanin e kësaj kënge e ka bërë Florent Boshnjaku dhe do të jetë një megahit” ka thënë ai. Po ashtu, Shemi ka shtuar se kënga është realizuar edhe me videoklip dhe është punuar nga produksioni ‘Max Production’ ndërsa është xhiruar në qytetin e Krujës. Shemi gjithashtu ka theksuar se këtë këngë e kanë bërë për hir të festës së 28 Nëntorit. Ndër të tjera, vokalisti i grupit ka thënë se ky projekt por edhe kënga ‘Unë jam loti yt’ janë dëshmi e rikthimit të bashkëpunimeve me këngëtaren Ganimete Abazi me të cilën ka punuar edhe para shumë viteve.

“Kjo këngë që do të dalë në këtë javë, po edhe kënga të cilën e kemi lansuar para dy muajsh, janë fakt i gjallë që unë edhe Ganja jemi rikthyer këngëve duet” ka shtuar Shemi. Ai ka treguar se në muajin tetor pritet të dalë edhe albumi i radhës i cili do të ketë 11 këngë. “Albumi do të dalë në tetor, ai do të jetë një kolazh që do t’i ketë 11 këngë ku katër apo pesë janë incizuar dhe për këtë album kam punuar me Alfred Sulën dhe një këngë e kam incizuar edhe me një instrumentalit në Sarajevë dhe e gjitha që mundem me thënë është se do të vijmë më ndryshe se herëve të tjera” ka theksuar rokeri.

Hidromorava

Po ashtu në këtë album përveç Ganes do të ketë edhe mysafirë të tjerë në album. Në radhën e bashkëpunimeve, Shemi ka përmendur që një këngë duet do të ketë edhe me reperin Nitti BronX. “Nitti është shumë talent, e kem pas si ide ta realizojmë një këngë së bashku mirëpo unë kam pasur disa probleme të mia, por, ideja nuk është fundosur sepse shpejt do të dalë edhe kënga jonë” ka shtuar ai.

Muzika tallave ka më shumë përfitime

Shemi ka treguar që tashmë 7 vjet ka lënë pirjen e duhanit dhe ky veprim i tij ka bërë që ai të merret me shumë më muzikën rok të cilën e kultivon tash e sa vite, zhanër ky që sipas tij po zhduket dita-ditës. “Në Kosovë pothuajse nuk ekziston roku. Tek ne nuk ka fare interesim që të kultivohet kjo muzikë, nuk ka as bende që janë të interesuara përveç grupit ‘Na’ nga Gjakova të cilët po mundohen ta mbajnë rokun gjallë kurse të tjerët as që punojnë në këtë drejtim” ishin fjalët e Shemit.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk ndjehet fare si roker por vetëm si këngëtar. Sipas Shemit si një ndër shkaqet kryesore në zhdukjen e rokut janë edhe përdoruesit e muzikës tallava. Ai ka thënë se nuk mund të ekzistojë një roker përderisa me manipulimin e popullit, kultivuesit e tallavasë kanë arritur që të kenë më shumë përfitime dhe janë me të përgatitur me instrumente. “Rokerat nuk kanë instrumente që të bëjnë muzikë, kështu që atyre askush nuk ju shkon në koncert, ndërsa ata që bëjnë muzikë tallava ata po manipulojnë me popullin edhe po fitojnë ma shumë”, – ka thënë për fund të intervistës Shemi.